Komediani Kevin Hart, drejtues i ceremonisë së çmimeve Oscar 2019

Komediani Kevin Hart do të drejtojë ceremoninë e ardhshme të Academy Awards në shkurt të vitit 2019. Ai e dha këtë lajm përmes një postimi në Instagram.

“Jam shumë i lumtur të njoftoj se më në fund ka ardhur dita që unë të drejtoj Oscars”, shkroi Hart. Academy Awards janë nderimet më të larta në industrinë e filmit.

Akademia e Arteve dhe Shkencave të Filmit që organizon çmimet Oscar dhe zakonisht shpall drejtuesin, postoi në Twitter duke e mirëpritur Hart “në familje”.

“Jam i mahnitur thjesht sepse ky ka qenë qëllimi im në listë për një kohë të gjatë”, shkroi Hart në faqen e tij në Instagram.

Drejtimi i Oscars është një nga punët më prestigjioze por edhe më të vështira në showbiz pasi drejtuesit duhet të plotësojnë pritjet e audiencës kryesore në teatër dhe të miliona njerëzve që e ndjekin nga televizioni.

Zgjedhja e tij si drejtues vjen në një kohë kur Akademia është nën vëzhgim për rritjen e llojllojshmërisë mes anëtarëve të saj si dhe mes filmave dhe performuesve të nominuar për Oscar.

Nominimet për Oscar do të shpallen me 22 janar ndërsa ceremonia do të zhvillohet drejtpërdrejt në Hollywood me 24 shkurt.

Ju pëlqen ky artikull? Klikoni këtu dhe na bëni like në Facebook për më shumë artikuj të tillë.