00:00:00
23 Mar

KESCO lanson aplikacionin eKesco

Aplikacioni eKesco – ofron informata për faturat, borxhin e papaguar, shkyçjet dhe rikyçjet, për ndërprerjet e rrymës për shkak të punimeve në rrjet, dhe shumë informata të tjera.

Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) ka lansuar këtë javë aplikacionin “eKesco”, i cili u mundëson konsumatorëve të paguajnë faturat e energjisë elektrike online si dhe të jenë të informuar për çdo zhvillim që lidhet me furnizimin me rrymë.

Aplikacioni eKesco – që mund të shkarkohet në telefonat e mençur – ofron informata për faturat, borxhin e papaguar, shkyçjet dhe rikyçjet, për ndërprerjet e rrymës për shkak të punimeve në rrjet, dhe shumë informata të tjera.

Në KESCO thonë se përmes këtij aplikacioni synojnë që ta përmirësojë edhe më shumë shërbimin ndaj klientëve.

“Ne jemi kujdesur që aplikacioni të jetë lehtë i qasshëm dhe i përdorshëm. Për këtë arsye, presim që ai të gjejë përdorim të gjerë tek konsumatorët,” thotë Naxhije Pajaziti-Arifaj, Drejtoreshë e Komunikimeve në KEDS/KESCO.

“Ky aplikacion do t’u kursejë kohë konsumatorëve, të cilët nuk kanë më nevojë të shkojnë në zyret e kompanisë për të bërë pagesat si dhe në këtë aplikacion konsumatorët do marrin shumë informata të nevojshme për ta”, shton ajo.

Ditëve të fundit, KESCO ka shpërndarë mijëra fletushka për të informuar qytetarët se si të regjistrohen në këtë aplikacion.

Përdoruesit e telefonave me sistem Android, këtë aplikacion mund ta shkarkojnë në PlayStore, ndërsa përdoruesit e telefonave iPhone mund ta shkarkojnë në AppStore.

Një udhëzues që u sqaron konsumatorëve se si të regjistrohen dhe ta përdorin këtë aplikacion gjendet në faqen e KESCO-s në internet.

Aplikacioni lejon disa persona të hapin llogari me njehsorin e njëjtë dhe një përdorues mund të ketë një ose më shumë njehsorë të regjistruar në llogari, sqarohet ndër të tjerash në manual.

KESCO është themeluar në janar të vitit 2015. Një nga reformat e ndërmarra nga institucionet përgjegjëse të sistemit energjetik në Kosovë, është edhe ndarja e Shpërndarjes dhe Furnizimit dhe KESCO është një nga ato reforma të cilat synojnë liberalizimin e tregut të furnizimit me energji elektrike.

Ju pëlqen ky artikull? Klikoni këtu dhe na bëni like në Facebook për më shumë artikuj të tillë.