00:00:00
23 Mar

Kemi pasur të drejtë më 17 shkurt 2008, të drejtë kemi edhe sot

Kryeministri i Republikës së Kosovës ka mbajtur fjalën e tij në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës me rastin e shënimit të 11- vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

“Sot është një ditë në të cilën ne të gjithë e ndjejmë rrugëtimin tonë deri në liri, e deri në 11 vjet shtet dhe njëkohësisht e urojmë njëri tjetrin me bindjen që e kaluara jonë na konfirmon se kemi pasur të drejtë breza e breza në përpjekjet tona për liri, kemi pasur të drejtë edhe më 17 shkurt 2008 dhe njëkohësisht kemi të drejtë edhe sot kur punojmë në konsolidimin e shtetit tonë, pra Republikës së Kosovës së 17 shkurtit 2008”, tha ai.

Pasi përshëndeti të gjithë për këtë ditë shumë të rëndësishme për vendin, kryeministri Haradinaj tha se shqiptarët në Ballkan janë popull që kanë dhënë dhe kanë kontribuar për Ballkanin dhe kontinentin tonë dhe se kanë paguar çmim për të gjitha proceset që ka kaluar kontinenti ynë në shekujt e fundit, duke qenë po ashtu edhe sot kontribuues të paqes dhe stabilitetit.

“Gjithë ne do të punojmë në vazhdimësi për konsolidimin e shtetit tonë dhe do të punojmë për marrëdhënie të mira me fqinjët, me të gjithë. Jemi të interesuar për një marrëveshje tashmë të ditur të quajtur obligative dhe ligjore për njohje reciproke me Serbinë me kufijtë ekzistues dhe po ashtu jemi të interesuar në avancimin e Kosovës drejt anëtarësimit në NATO dhe BE”, vlerësoi kryeministri Haradinaj duke shprehur respekt për të gjithë meritorët për lirinë e vendit për konsolidimin e shtetit të Kosovës.

“Zoti e bekoftë Kosovën, zoti e bekoftë popullin shqiptar”, përfundoi fjalimin e tij kryeministri Ramush Haradinaj.

Ju pëlqen ky artikull? Klikoni këtu dhe na bëni like në Facebook për më shumë artikuj të tillë.