Interesim, por edhe kujdes për ofertat e punësimit jashtë vendit

Në anketën e UNDP-së dhe USAID-it, të kryer në shtator të këtij viti, del se rreth 60 për qind të të anketuarve kanë deklaruar se ka gjasa që në tri vitetet e ardhshme të lëshojnë Kosovën, po që se do të liberalizoheshin vizat dhe se do të tentonin që së paku përkohësisht të gjenin punësim në ndonjërën prej vendeve të Bashkimit Evropian (BE).

Qytetarët e anketuar të Kosovës si arsye kryesore për një vendim të tillë kanë theksuar mungesën e perspektivës dhe pakënaqësinë me situatën politike.

Mu papunësia është një prej problemve më të mëdha me të cilat ballafaqohet shoqëria kosovare, e sipas të dhënave zyrtare shkalla e papunësisë është rreth 30 për qind. Nga ana tjetër, po ashtu sipas të dhënave zyrtare, në tregun e punës çdo vit paraqiten rreth 25 mijë deri 30 mijë qytetarë të rinj të aftë për punë.

Me qëllim të zvogëlimit të numrit të të papunëve, 17 agjenci për ndërmjetësim kanë marrë licencë nga Ministria për Punë dhe Miriëqenie Sociale apo për ndërmjetësim në punësim si në Kosovë ashtu edhe jashtë saj.

Mimoza Kqiku, këshilltare për informim në Ministrinë për Punë dhe Mirëqenie Sociale para do kohësh ka deklaruar në media se sa i përket punësimit në vendet e BE-së, kjo ministri po angazhohet që të arrijë marrëveshje për punësim sezonal me disa vende të BE-së dhe se deri në fund të vitit, pritet të nënshkruhet së paku një marrëveshje e tillë.

Në ndërkohë, qytetarët mendjelehtë dhe të rrezikuar në aspektin social, të cilët kanë nevojë për të ardhura për një jetë normale, shpesh biejnë në grackë të agjencive të rrejshme që ofrojnë punë në vendet e BE-së, në këmbim për sasi të caktuara të parave, më së shpeshti vetëm në emër të aplikimit.

Nga fillimi i nëntorit disa mijëra qytetarë kanë pritur në rradhë para Shtëpisë së Kulturës në Prizren për të marrë informata, me shpresë se pas aplikimit do të arrijnë të fitojnë ndonjë vend pune në Gjermani.

Mediat kosovare transmetojnë se dy kompanitë, një gjermane “OBM Aviation” dhe kompania partnere “BSB aviation”, e regjistruar në Kosovë, u kanë ofruar qytetarëve kosovarë 2,000 vende pune, kryesisht në sektorin e aviacionit, në Aeroportin e Frankfurtit.

Megjithatë, gjatë paraqitjes së ofertës, nga fillimi i muajit në Prizren, të interesuarve u është thënë se ka nevojë kryesisht për infermiere, shoferë kamionësh dhe punëtorë e bagazhit në aeroport, sikur edhe për pastrues, por se duhet të posedojnë diploma si dëshmi të kualifikimit të tyre profesional. Po ashtu është thënë se aplikimi do të përfundonte më 5 nëntor.

Në ndërkohë, në një hulumtim të kryer online, “EkonomiaSot”, shtrohet dyshimi se bëhet fjalë për firma fiktive, gjegjësisht për mundësinë që qytetarët që aplikojnë të mashtrohen.

Zaten, kjo agjenci pohon se kompania gjermane O.B.M. “Aviation” “fare nuk ekziston”, gjegjësisht se ekziston vetëm web faqja e tyre www.obm-aviation.com, në të cilën nuk ekziston as numri i regjistrimit të biznesit, që është e obligueshme sipas ligjeve gjermane. Në hulumtimin e mëtejmë të kësaj web faqeje, “”EkonomiaSot” ka arritur të mësojë se “OBM Aviation” është themeluar në korrik të këtij viti dhe se pas saj qëndron kompania “Gate Training GmbH” me seli në Hamburg e cila, ndryshe merret me trajnimin dhe lëshimin e certifikatave të ndryshme në sektorin e aviacionit. Për këtë shkak në këtë hulumtim nuk përjashtohet mundësia që kosovarëve të rinjë  faktikisht po u ofrohet punësimi në Gjermani, por me kusht që ata të ndajnë para të konsiderueshme për trajnim dhe kurse që ofron kjo kompani, gjegjësisht se ekziston rreziku që qytetarët të mbesin pa para dhe pa vend të pritur të punës.

Një përfundimi të tillë jo gjithaq pesimistik po i kontribuon edhe fakti se kompania partnere “BSB Aviation” është regjistruar vetëm më 23 tetor të këtij viti në Kosovë, si shoqatë me përgjegjësisi të kufizuar (SHPK), se ka kapital prej 1,000 eurosh dhe se pronari i kësaj kompanie është Bujar Berisha. Fakti se kompania është regjistruar si SHPK do të thotë se në rast se pala e dëmtuar ngritë kallëzim penal, të gjitha palët së bashku mund të marrin dëmshpërblimin prej gjithsej 1 mijë euro.

Dyshimet se bëhet fjalë për një agjenci potencialisht fiktive për punësim, i ka shprehur edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili ka njoftuar se hetimet po i udhëheqin organet kompetente, por se është herët të sillet ndonjë përfundim. Ka reaguar edhe kryetari i komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka duke u shprehur i zënë në habi.

“Shpresoj që nuk është ndonjë aspekt korruptiv aty dhe qytetarët nuk bien pre e ndonjë mashtrimi. Nuk kemi pasë as informata, nuk kemi ditë as për çka është fjala. Pos asaj që e kemi pa nga mediat, nuk e kanë kontaktuar komunën as nuk kanë kërkuar ndonjë bashkëpunim nga komuna”, ka thënë Haskuka.

Si transmetojnë mediat, Policia e Kosovës në Prizren ka deklaruar se deri më tani nuk ka marrë kurrfarë urdhërese për fillimin e hetimeve, e detajet nuk i ka paraqitur as Prokuroria Themelore në këtë qytet.

“Kohavision”, nga ana tjetër, ka transmetuar se hetimet i ka nisur Departamenti për krime ekonomike dhe korrupcion.

Pa marrë parasysh rezultatet e hetimeve të nisura, është fakt se qytetarët kosovarë në dy dekada të fundit shpesh kanë qenë cak i mashtrimeve të agjencive fiktive për ndërmjetësim në punësim. Aktualisht, udhëhiqet procesi kundër deputetit Miliam Zeka dhe partnerit të tij, Ilir Krasniqi të cilët akuzohen se kanë marrë para nga 900 kosovarë në këmbim të vendit të punës në Gjermani.

Ndryshe, për shumicën e qytetarëve të Kosovës, Gjermania edhe tutje mbetet destinacioni i parë ku mund të gjendet një vend pune i paguar mirë.

Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë për vetëm gjashtë muajt e këtij viti u ka dhënë kosovarëve 5.515 viza pune apo për nevoja studime, ndërkohë që vitin e kaluar ka lëshuar gjithsej 11,960 viza.

KosovaLive – Violeta Oroshi Berishaj