00:00:00
23 Mar

INDEP-BGF: Reagim kundër ZRRE për të dyfishuar çmimin e energjisë

Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) dhe Balkan Green Foundation (BGF) kundërshtojnë dokumentin “Vendosja e Obligimit të Shërbimit Publik për Siguri të Furnizimit” nga ana e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE). Kjo iniciativë është në kundërshtim me rolin kushtetues që ka ZRRE, në kundërshtim me ligjet vendore dhe evropiane dhe synon të legjitimojë kontratën shkatrrimtare për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”.

Me datë 6 shkurt, Zyra e Rregullatorit për Energji ka vënë në diskutim publik dokumentin skandaloz “Vendosja e Obligimit të Shërbimit Publik për Siguri të Furnizimit”. Përmes tij, ZRRE synon që të shtyej përpara ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re” duke vënë barrën financiare drejtëpërdrejtë në shpinën e konsumatorëve. Në një akt të pashembullt, ZRRE ka vendosur të vë “taksë për siguri të furnizimit” e cila do të paguhet nga të gjithë furnitorët e licencuar tek Ndërmarrja e Re (NKEC). Këtë taksë, do ta paguajnë qytetarët e Kosovës përmes çmimeve të dyfishuara të energjisë elektrike.

ZRRE nuk ka asnjë mandat për të gjetur modalitete për të akomoduar kontrata të dëmshme që Qeveria e Kosovës nënshkruan. Si një institucion që nuk i subordinohet Qeverisë së Kosovës, ZRRE ka në mandatin e saj ruajtjen e interesit publik përmes garantimit të funksionimit të një tregu të konkurrencës së lirë duke vënë bazat për një treg të integruar rajonal. Të gjitha këto shkelen nëse ZRRE vendosë të vëhet në shërbim të një kontrate skandaloze e në kundërshtim të plotë me frymën e pakos së tretë të legjislacionit evropian në fushën e energjisë.

Siguria e furnizimit është e drejtë që nuk duhet taksuar qytetarëve të Kosovës. Energjia elektrike është produkt bazë dhe ofrimi i saj për qytetarët nuk duhet kushtëzuar me taksë për të kompensuar profitin e një ndërmarrje sabotuese të tregut të lirë e të integruar të energjisë. Projektimi i sigurisë së furnizimit duke u bazuar në një kontratë izoluese për Kosovën nuk garanton asgjë tjetër pos çmime të papërballueshme dhe thellim të varfërisë energjetike për qytetarët e Kosovës.

Siguria e furnizimit është dashur të garantohej me privatizimin e rrjetit të distribucionit. Në arsyetimin e privatizimit, Qeveria e Kosovës kishte përmendur dhjetra herë se privatizimi i rrjetit të distribucionit ishte i domosdoshëm për garantimin e sigurisë së furnizimit. Tani, me këtë dokument, ZRRE po shpallë se për siguri të furnizimit qytetarët duhet të paguajnë edhe njëherë nga xhepi i tyre miliarda euro!

INDEP dhe BGF i bëjnë thirrje bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji të mos e miratojnë këtë dokument dhe të heqin dorë nga përpjekjet për të implementuar kontratën izoluese për tregun e energjisë së Kosovës. Për më tepër, ne ftojmë Kuvendin e Kosovës, respektivisht Komisionin parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal të thërras një dëgjim të menjëhershëm për të diskutuar mbi këtë situatë. Ne kemi hartuar analizën me komente të detajuara rreth dokumentit të ZRRE-së. Atë ua kemi dërguar sot Zyrës së Rregullatorit për Energji dhe do t’ua dorëzojmë edhe Kuvendit të Kosovës.

Ju pëlqen ky artikull? Klikoni këtu dhe na bëni like në Facebook për më shumë artikuj të tillë.