00:00:00
23 Mar

IKD: Pandëshkueshmëria e korrupsionit, rrezik për shtetin

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), me përkrahje të Ambasadës Britanike në Kosovë dhe NED, të hënën, ka mbajtur tryezën me titull “Pandëshkueshmëria e korrupsionit, rrezik për shoqërinë dhe shtetin. Zgjidhja: Integritet, transparencë, llogaridhënie?”. Në këtë tryezë, u publikua raporti si rezultat i monitorimit tre vjeçar të trajtimit të rasteve të korrupsionit në sistemin prokurorial, sistemin gjyqësor dhe institucionet e tjera të zbatimit të ligjit.

Pjesë e panelit të kësaj tryeze ishin ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruairi O’Connell, kryetarja e Komisionit për Legjislacion, Albulena Haxhiu, ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, kryesuesi i Këshillit Gjyqësor, Skender Çoçaj, kryesuesi i Këshillit Prokurorial, Bahri Hyseni, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj dhe drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj.

Miftaraj ka prezantuar gjetjet e raportit, që përfshijnë veprimet e institucioneve të drejtësisë dhe sigurisë në hetimin, ndjekjen dhe gjykimin e rasteve të korrupsionit, përfshirë monitorimin e miratimit dhe zbatimit të ligjeve, politikave dhe strategjive në nivel institucional në adresimin e luftës kundër korrupsionit gjatë tri viteve (2016, 2017, 2018).

Miftaraj bëri të ditur se vlerësimi i përgjithshëm i IKD-së është se në Kosovë nuk mungojnë ligjet dhe politikat për luftimin e korrupsionit, por mungon vullneti politik.

“Politika dhe grupet e interesit, kanë prodhuar një sistem të drejtësisë, i cili në vend që të prodhojë drejtësi dhe siguri juridike, është shndërruar në mekanizëm persekutimi për individë të caktuar, në emër të luftës kundër korrupsionit edhe mjet efikas për të ofruar pandëshkueshmëri dhe amnisti për zyrtarë të caktuar brenda sistemit të drejtësisë, politikës dhe grupeve të interesit”, tha ai.

Drejtori i IKD-së ka thënë se janë miratuar politika të kundërligjshme, përmes të cilave është centralizuar hetimi dhe ndjekja e profilit të lartë të korrupsionit, duke ndërhyrë rëndë në pavarësinë individuale të prokurorëve.

“E kam fjalën për Udhëzimet e Kryeprokurorit të Shtetit, i cili në kundërshtim me ligjin, ka krijuar një sistem të kontrollit që asnjë rast ndaj profilit të lartë, mos të ketë mundësi që të hetohet, pa e marrë vizën e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit. Kjo është ndërhyrje e drejtpërdrejtë në punën e prokurorëve, sepse prokurorët janë plotësisht të pavarur në punën e tyre”, deklaroi Miftaraj.

Tutje, drejtori ekzekutiv i IKD-së ka prezantuar gjetjet kryesore nga monitorimi i rasteve të korrupsionit, sipas të cilave gjatë tri viteve ky Institutit ka monitoruara 3994 seanca, dhe ka raportuar për shpalljen e 518 aktgjykime nga Gjykatat Themelore, ku janë përfshirë 996 persona të akuzuar për korrupsion.

“Prej këtyre aktgjykimeve, rezulton se Gjykatat ndaj 176 personave (17.7%) kanë dënuar me burg efektiv, ndaj 178 personave (17.9%) kanë shqiptuar dënime me kusht, ndaj 98 personave (9.8%) kanë shqiptuar dënime me gjobë, ndërsa janë liruar 544 persona (54.6%) të akuzuar për korrupsion. Prej këtyre 996 të akuzuarve për korrupsion, 442 persona i takojnë profilit të ulët, 516 persona profilit të mesëm dhe 38 persona i takojnë të profilit të lartë”, sqaroi Miftaraj.

Ai tha se sundimi i ligjit edhe në vitin 2019, mbetet sfidë e pakalueshme, dhe me institucione dhe me individ të caktuar që udhëheqin me këto institucione me integritet dhe kredibilitet të cenueshëm.

“Gjetjet e IKD-së konstatojnë se Kosova nga faza e gjendjes fillestare në sundimin e ligjit ka shënuar regres, duke u kthyer në një shtet të kapur, ku drejtësia amniston zyrtarët e korruptuar dhe nuk i zbaton obligimet kushtetuese e ligjore në mënyrë të drejtë, të paanshme dhe të pavarur”, përfundoi Miftaraj.

Ambasadori i Britanisë së Madhe, Ruairi O’Connell, në fjalën hyrëse tha mungesa e rezultateve, pandëshkueshmëria, mos reagimet dhe mungesa e llogaridhënies mbeten problemet kyçe në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Sipas tij, këto janë edhe si pasojë e përfshirjes së politikës në sistemin e drejtësisë.

“Natyrisht, ne vazhdojmë të kërkojmë prej politikës që mos të ndikojë në sistemin e drejtësisë, duke u përfshirë në emërimin e prokurorëve dhe gjykatësve, kryeprokurorëve, kryetarëve të gjykatave. Duhet lënë të pavarur, se vetëm në këtë mënyrë do të ketë rezultate, do të luftohet kriminaliteti dhe do të ketë drejtësi për qytetarët”, tha O’Connell.

Ambasadori Britanik theksoi se kërkesa e tyre është shumë e qartë, se Kosova nuk mund të jetë strehimore e korrupsionit e krimit të organizuar, por që sipas tij po vazhdohet të dëshmohet e kundërta.

“Deri kur mund të vazhdojë Kosova të ketë përkrahjen e bashkësisë ndërkombëtare, kur vazhdon të dëshmojë mungesën e luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit. Është koha e fundit që zyrtarët me integritet të kontestuar të ecin nga pozitat dhe të ndiqen për veprimet e tyre”, ka thënë ai.

Sipas O’Connell, prokurorët dhe gjyqtarët mund dhe duhet të behën heronj të rijnë të Kosovës.

Kryesuesja e Komisionit për Legjislacion, Albulena Haxhiu tha se shqetësuese janë dënimet me kusht, pasi sipas saj ato i inkurajojnë zyrtarët të vazhdojnë me keqpërdorime. Ajo tha se ka ardhur koha e fundit kur prokurorëve dhe gjyqtarëve nuk duhet t’iu interesojë pushteti ose posti që ka një zyrtar i caktuar i akuzuar për korrupsion, por ai duhet të hetohet dhe dënohet.

Tutje, Haxhiu deklaroi se e përkrah procesin e vetingut, duke shtuar se një proces i tillë nuk është luftë ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve, por veprim urgjent për një sistem të drejtë dhe të sigurt. E njëjta theksoi se raporti i IKD-së duhet zgjuar të gjithë.

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri tha se raporti në fjalë sjellë në një momentum të ri për sistemin e drejtësisë. Sipas tij, nuk përjashtohet mundësia që ka zyrtarë të papërgjegjshëm, që në forma të ndryshme duan të abuzojnë apo parandalojnë raste në të cilat mund të jenë të involvuar edhe vet, por që sipas tij, prokurorët dhe gjyqtarët duhet të jenë ata që nuk duhet të bien pre e atyre ndikimeve nga kushdo që vijnë. Tahiri bëri të ditur se këtë vit numri i gjyqtarëve pritet të rritet për 162 gjyqtarë, gjë që sipas tij do të ndikojë në rritjen e efikasitetit në sistemin e drejtësisë në Kosovë.

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Skender Çoçaj dhe kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Bahri Hyesni, kanë thënë se të dy këshillat janë të përkushtuar të kemi një sistem gjyqësor transparent dhe llogaridhënës.

Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj tha se duhet të ketë një bashkëpunim sa më të ngushtë në mes të policisë, prokurorisë dhe gjyqësisë, nëse duam të reduktojmë korrupsionin në një nivel shumë më të ulët. Sipas Qalajt, në Kosovë nuk guxon dhe nuk ka njeri të paprekshëm, po se ligjet duhet implementaur më shumë e duhet pasur më shumë guxim.

Të gjithë panelistët u dakorduan se raporti i IKD-së iu ndihmon të gjithëve që të punojnë sa më mirë.

Pjesëmarrës në këtë tryezë ishin edhe kryetari i Gjykatës së Apelit, kryetarë të Gjykatave Themelore, kryeprokurorë të Prokurorive Themelore, gjykatës, prokurorë, drejtori i Agjencië Kundër Korrupsionit, drejtori i Akademisë së Drejtësisë, kryetari i Odës së Avokatëve të Kosovës, përfaqësues të Ambasadës Britanike, Ambasadës Amerikane, BE-së, EULEX-it, përfaqësues të organizatave tjera ndërkombëtare, përfaqësues të shoqërisë civile, mediat dhe të tjerë.

Ju pëlqen ky artikull? Klikoni këtu dhe na bëni like në Facebook për më shumë artikuj të tillë.