00:00:00
22 Mar

Hoxha shpreh zhgënjimin për mos marrjen e vendimit për vizat

Në seancën plenare të Këshillit të përbashkët të MSA-së, BE-Kosovë, të cilën e udhëhoqën kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj dhe Federika Mogherini, ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka diskutuar për Kriteret politike, Kriteret ekonomike, implementimin e MSA-së si dhe bashkëpunimin financiar.

Hoxha në fjalën e saj u fokusua në faktin se Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave dhe shprehu shqetësimin për mos marrjen e vendimit për liberalizimin e vizave, gjë e cila vë në pikëpyetje kredibilitetin e BE-së dhe është zhgënjyese për qytetarët.

Në takim, ajo ka theksuar se është përshpejtuar zbatimi i reformave gjithëpërfshirëse për të përmbushur Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, duke u fokusuar në zbatimin e Agjendës Evropiane të Reformave.

Bashkëpunimi rajonal dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore, janë kapitull pozitiv i Kosovës, ka theksuar ministrja, duke cekur pengesat që Kosova ka hasur në tregtinë e lirë.

“Kosova ka miratuar Pakon e ligjeve për Reformën e Administratës Publike dhe Programin e Menaxhimit të Financave Publike, përzgjedhjen në sektorin publik të nëpunësve civilë të lartë, racionalizimin e agjencive të pavarura për të rritur llogaridhënien, eliminimin e kompetencave të mbivendosura dhe sigurimin e një administrate publike më të strukturuar”, potencoi Hoxha.

Kosova, ka cekur ministrja Hoxha, është duke përmirësuar sundimin e ligjit dhe klimën e investimeve për investimet vendase dhe të huaja, duke përfshirë të drejtat pronësore të investitorëve.

Ju pëlqen ky artikull? Klikoni këtu dhe na bëni like në Facebook për më shumë artikuj të tillë.