Hoxha: Programi “Evropa për qytetarët”, rast për aplikim në fondin prej 187 mil. €

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka propozuar për miratim në Kabinetin qeveritar, Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian për pjesëmarrjen e Kosovës në programin “Evropa për qytetarët”. Propozimi i Ministres Hoxha, u miratua njëzëri.

Marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian për pjesëmarrjen e Kosovës në programin “Evropa për qytetarët” është nënshkruar më 26 qershor 2018 në Bruksel.

Fondi i agjencive të BE-së për këtë program është 187 milion euro dhe i dedikohen fushave si Ndërgjegjësimi për historinë dhe vlerat e përbashkëta evropiane, Angazhimi demokratik dhe pjesëmarrja qytetare, Debati i së ardhmes së Evropës dhe sfidimi i euro skepticizmit, Nxitja e dialogut ndërkulturor dhe mirëkuptimi i ndërsjellë, Viti evropian i Trashëgimisë kulturore 2018, etj.

Kjo marrëveshje, vuri në dukje Hoxha, rregullon anëtarësimin e Kosovës në kuadër të programit “Evropa për qytetarët” dhe sipas saj, Kosova do të paguaj anëtarësimin prej 15 mijë eurosh, të cilat janë të planifikuara në kuadër të buxhetit të këtij viti për Ministrinë e Integrimit Evropian.

“Pasi të realizohet marrëveshja dhe pagesa e anëtarësimit, organizatat dhe qytetaret nga Kosova mund të aplikojnë gjatë këtij viti në thirrjet për propozime të cilat shpallen nga ky program”, theksoi ministrja Hoxha.

Ministrja po ashtu, kërkoi ratifikimin në Kuvend të këtij projektligji para pushimeve verore, sepse kështu do ta mundësonte hyrjen në fuqi të marrëveshjes, dhe fillimi i qasjes së aplikuesve nga Kosova në program për të përfituar fonde nga ky program me vlerë prej 187 milion euro.

Ju pëlqen ky artikull? Klikoni këtu dhe na bëni like në Facebook për më shumë artikuj të tillë.