Historia e librit që u shit pas 27 vitesh shpërndahet online

Një librari në Angli ka shitur një biografi të “William the Conqueror”, libër për fëmijë, që ka qëndruar në atë dyqan që nga viti 1991.

“Sapo kam shitur një libër që e kemi pasur në shitje që nga maji i vitit 1991”, shkroi në twitter libraria Broadhursts. “E kemi ditur gjithmonë që do të vinte kjo ditë”.

Postimi i librarisë rreth shitjes së librit është shpërndarë në internet duke marrë mijëra përgjigjje. Autorja Sarah Todd Taylor u përgjigj se “Libri e ka mbajtur frymën. Kishte shpresuar aq shpesh, vetëm për t’iu shuar ajo shpresë. Disa duar e ngritën nga rafti dhe e mbështollën në letër ngrohtësisht. Ndërkohë që dera e jetës së kaluar mbyllej, libri dëgjoi brohoritjet e librave të tjerë në raft”.

Libraria u hap në vitin 1920 dhe ndodhet në qytezën e Southport në Anglinë veriperëndimore. Në faqen e tyre thuhet se dyqani mban “një seri gjithëpërfshirëse librash të përshtatshme për të gjitha moshat, interest dhe xhepat”.

 Joanne Ball, punonjësja që e shiti librin, tha se ai u ble nga një “zotëri më i vjetër i cili bleu disa libra rreth pushtimit norman për nipin e tij”.

 Një përdoruese e Twitter, Beckie shkroi: “E dini se kur njerëzit shkojnë në strehat e qenve duan ta marrin në shtëpi qenin që ka qëndruar aty më së shumti. Unë do ta bëj të njëjtën gjë në librari. ‘A mund të ma tregoni librin që e keni pasur për një kohë më të gjatë?’ Ky do të jetë një koleksion librash i rastësishëm!”

“Nuk do të më kishte shkuar në mendje për asnjë moment se ky postim do të shpërndahej – faleminderit të gjithëve për pëlqimet, shpërndarjet, komentet dhe ndjekjet– shkroi Broadhursts – “Jemi shumë të prekur dhe të lumtur se sa shumë libradashës ka”.

Joanne Ball, shitësja e librave tha se “Nuk e di çfarë i ka prekur njerëzit rreth kësaj historie por jam shumë e lumtur për këtë”.

Ju pëlqen ky artikull? Klikoni këtu dhe na bëni like në Facebook për më shumë artikuj të tillë.