00:00:00
22 Feb

Haradinaj: Prokuroria dhe Gjykata të dëshmojnë fuqinë e vet

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur sot në takim pune ministrin e Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa, ministrin e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Rashit Qalaj, kryeshefen e Inspektoratit policor, Miradie Kelmendi dhe kryeinspektorin e Arsimit, Defrim Gashi, me të cilët ka biseduar për zhvillimet e fundit, pas rastit të abuzimit seksual të një të miture nga Drenasi.

Me këtë rast, Haradinaj ka kërkuar që të ndërmerren të gjitha veprimet, bazuar në ligjet e Kosovës, për ta zbardhur të vërtetën dhe për t’i nxjerrë para drejtësisë të gjithë ata që kanë kryer vepra të jashtëligjshme në rastin e të miturës nga Drenasi.

Po ashtu, kryeministri Haradinaj i ka bërë thirrje Prokurorisë së vendit, që t’i nxjerrë para drejtësisë akterët e këtij krimi.

“Institucionet e vendit, Prokuroria dhe Gjykata, duhet të dëshmojnë fuqinë e vet në zbatim të ligjit. Rasti i abuzimit seksual të të miturës në Drenas, duhet të trajtohet në kohë dhe me profesionalizëm nga të gjitha institucionet e vendit”, ka theksuar Haradinaj.

Njëkohësisht, kryeministri Haradinaj kërkon nga të gjithë mekanizmat institucional dhe shoqëror, që të bashkërendojnë politikat dhe aktivitetet, me qëllim të parandalimit të rasteve të tilla në të ardhmen.

Ju pëlqen ky artikull? Klikoni këtu dhe na bëni like në Facebook për më shumë artikuj të tillë.