Haradinaj: Është koha të reagojmë, në vjeshtë aksion gjithëpërfshirës për pastrimin e Kosovës

Kryeministrit Haradinaj në ditën e parë të Konferencës së Nivelit të Lartë mbi Zhvillimin e Qëndrueshëm, që i dedikohet mjedisit dhe e cila ka nisur në Prishtinë.

“Ftoj të gjithë, institucionet e BE-së, gjithë partnerët, KFOR-i, FSK-ja, Policia, zjarrfikësit, njësitë rajonale dhe regjionale të pastrimit të mbeturinave, të bëhen bashkë, që në vjeshtë, ta bëjmë njëherë një pastrim gjeneral në Kosovë, prej mbetjeve nga mbeturinat që janë bërë qe 20 vjet”, tha Haradinaj.

Në fjalën e tij, kryeministri Haradinaj tha se gjendja në Kosovë nuk është e kënaqshme sa i përket çështjeve mjedisore, por ky është momenti i fundit kur ne duhet të reagojmë.

“Është koha e fundit, kur ne duhet ta kuptojmë rëndësinë e mbrojtjes së ambientit”, tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se mungesa e hapësirave të gjelbra në vendet urbane dhe ndotja e ajrit, janë çështje që na preokupojnë në vazhdimësi.

Kryeministri falënderoi me këtë rast Komisionin Evropian dhe organizatat e tjera ndërkombëtare, të cilët në vazhdimësi kanë ndihmuar me fonde, donacione dhe grante, në projekte që i dedikohen ambientit dhe përmirësimit të tij.

“Miqtë tanë ndërkombëtarë na kanë ndihmuar, që të fillojmë jetën në kushte emergjente pas shkatërrimeve që kanë ndodhë në vitin ’99 dhe tani po vazhdojnë të na mbështesin në përmirësimin e ambientit”, tha Haradinaj.

Nga ana e saj, përfaqësuesja e posaçme e BE-së në Kosovë, Natalyia Apostolova, tha se resurset natyrore të Kosovës janë te limituara dhe duhet të shfrytëzohen në mënyrë të duhur.

“Kosova duhet te ndryshojë qasjen sa i përket mbrojtjes së ambient. Zhvillimi i qëndrueshëm është pjesë e integrimit të Kosovës në BE”, tha Apostolova, duke shtuar se 50 milionë euro nga BE-ja janë investuar në projekte për mjedisin në këto dhjetë vitet e fundit.

Ndërkaq, ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, tha se është hera e parë që jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon, po organizohet një konferencë e tillë që i dedikohet mjedisit.

“Do të luftojmë me të gjitha forcat tona që të mos kemi këtë degradim të mjedisit dhe do të krijojmë një Kosovë, një mjedis që do të jetë shembull për rajonin”, tha ministrja Reshitaj.

Me një fjalë të pranishmëve u është drejtuar edhe Ulrike Lunacek, ish-zëvendës presidente e Parlamentit Evropian dhe ish-raportuese për Kosovë, e cila inkurajoi institucionet dhe akterët e tjerë që të angazhohen për të përmirësuar gjendjen në ambient.

Pjesëmarrës tjerë në këtë konferencë ishin edhe kryetarë komunash, ambasadorë të akredituar në Kosovë dhe ekspertë të mjedisit.

Konferenca njëjavore e Nivelit të lartë për zhvillim të qëndrueshëm organizohet nga Qeveria e Kosovës në bashkëpunim me Zyrën e BE-së në Kosovë dhe KOSID.

Për të ndikuar në përmirësimin e mjedisit në Kosovë, për herë të parë, krahas nismave legjislative dhe projekteve konkrete, qeverisja Haradinaj ka ndarë mjete prej 10 milionë euro për menaxhimin e mbeturinave.

Ju pëlqen ky artikull? Klikoni këtu dhe na bëni like në Facebook për më shumë artikuj të tillë.