Haradinaj bisedoi me telefon me sekretarin e NATO-s, Stoltenberg

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë ditës së sotme ka zhvilluar një bisedë telefonike me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, të cilit i ka shprehur falënderimin e tij dhe të popullit të Kosovës për misionin e KFOR-it në Kosovë dhe kontributin e NATO-s për një ambient të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Ai me këtë rast i ka shprehur sekretarit Stoltenberg respektin dhe ndjenjën e veçantë për shumë ushtarë të NATO-s që kanë humbur jetën gjatë shërbimit të tyre në Kosovë në mbrojtje të paqes dhe sigurisë në vendin tonë.

Më tej, kryeministri Haradinaj, e ka informuar sekretarin Stoltenberg për përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për procesin e tranzicionit të FSK-së, duke e siguruar atë se tranzicioni i FSK-së do të jetë transparent dhe në bashkëpunim të ngushtë me NATO-n, për një ushtri profesionale, multietnike dhe kredibile në shërbim të të gjithë qytetarëve të Kosovës.

“Ky vendim sovran i Kosovës, i cili do të votohet më 14 dhjetor, përmban në vete vizionin dhe vullnetin e qytetarëve të Kosovës që të ruajnë dhe mbrojnë vlerat perëndimore. FSK do të kontribuojë për paqen dhe stabilitetin në rajon dhe më gjerë. Institucionet e Kosovës do të sigurohen që të vazhdojnë bashkëpunimin e ngushtë me KFOR-in dhe NALT, pasi që ndajmë të njëjtat shqetësime të sigurisë, interesat dhe vlerat”, ka thënë kryeministri Haradinaj, në bisedë telefonike me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.

Ju pëlqen ky artikull? Klikoni këtu dhe na bëni like në Facebook për më shumë artikuj të tillë.