00:00:00
17 Jan

Haradinaj bënë thirrje mobilizimi për zhvillim ekonomik

Me kërkesë të kryeministrit Ramush Haradinaj, mbledhja e sotme e Qeverisë së Republikës së Kosovës nisi me informatën lidhur me Koncept dokumentin për lojërat e fatit, të iniciuar nga Ministria e Financave, si një detyrim i trashëguar nga qeverisja e kaluar.

Ministri i Financave ka njoftuar kabinetin qeveritar se ky koncept dokument është derivat që rrjedhë nga obligimet e trashëguara nga qeveritë e kaluara dhe është në përputhje me dokumentet strategjike, programore dhe të Marrëveshjes për Stabilizim Asociim. Koncept dokumenti për lojërat e fatit është analizë dhe ai rekomandon që kjo fushë të rregullohet me ligj, i cili do të hartohet në përputhje me të gjitha procedurat për hartimin e legjislacionit në Kosovë. Koncept dokumenti nuk prejudikon asnjërën nga zgjedhjet e mundshme ligjore që do të bëhen për rregullimin e fushës.

Kryeministri Haradinaj në fjalën e tij ka shprehur qëndrimin që sa i përket lojërave të fatit të shqyrtohen të gjitha mundësitë, të përshtatshme me ligjet në fuqi, derisa ka shtuar se pas konsultimeve publike, është e rrugës të shqyrtohet mundësia edhe e largimit të këtyre lojërave në zonat periferike apo edhe mbyllja e tyre. Një nga qëllimet e këtij koncept dokumenti është që kjo fushë të rregullohet me ligj dhe të evitohet informaliteti në këtë fushë, e cila në këtë fazë është mjaft evidente.

Qeveria e Kosovës po sot ka miratuar vendimin për themelimin e Komisionit Ndërinstitucional për shqyrtimin e marrëveshjes gjithëpërfshirëse me Newdea Inc. Qeveria e Republikës së Kosovës nëpërmjet Memorandumit të Mirëkuptimit të lidhur me Newdea Inc., të nënshkruar më 11 tetor 2018 , ka shprehur gatishmërinë të krijojë partneritet me Newdea Inc. për të krijuar një platformë konvergjence, e cila ofron një treg të unifikuar digjital për të stimuluar investimet dhe zhvillimin ekonomik në Republikën e Kosovës. Komisioni ndërministror do të ketë këtë përbërje:

– Këshilltari i Kryeministrit – kryesues

– Zyra Ligjore, ZKM, Zyra për Planifikim Strategjik, ZKM

– Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë

– Ministria e Financave, Departamenti Ligjor

– Ministria e Punëve të Jashtme, Departamenti për Çështje Ligjore dhe Traktate

– Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, KIESA

– Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, Departamenti Ligjor

– Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Departamenti për Integrim Evropian dhe Koordinim të Politikave

– Ministria e Administratës Publike, Agjencia e Shoqërisë së Informacionit

– Agjencia e Statistikave të Kosovës

Komisioni Ndërministror nga pika 2 e këtij vendimi është përgjegjës të përcaktojë mënyrat e angazhimit të Newdea Inc. për të zbatuar elementet e qëllimit të Memorandumit të Mirëkuptimit.

Në mbledhjen e sotme, kabineti qeveritar ka miratuar vendimin për t’i propozuar Kuvendit të Republikës së Kosovës vazhdimin e ndarjeve buxhetore për muajin shkurt të vitit 2019 të përcaktuara me Ligjin për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2018, si dhe ka miratuar Rregulloren për themelimin dhe zbatimin e funksionit të auditimit të brendshëm në subjektin e sektorit publik dhe të financuara nga fondet publike.

Me plotësimin dhe ndryshimin e miratuar nga kabineti qeveritar në mbledhjen e sotme, është rregulluar përbërja e Komitetit Ndërministror për Integrim dhe Anëtarësim në NATO, i cili bashkë edhe me Ministrin e Infrastrukturës, do të ketë këtë përbërje:

– Ministri i Mbrojtjes – kryesues;

– Këshilltar i kryeministrit – zëvendës kryesues

– Ministri i Punëve të Jashtme – anëtar;

– Ministri i Drejtësisë – anëtar;

– Ministri i Punëve të Brendshme – anëtar;

– Ministri i Integrimeve Evropiane – anëtar;

– Ministri i Financave – anëtar;

– Ministri i Infrastrukturës – anëtar;

– Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës – anëtar.

Qeveria, pas kryerjes së të gjitha procedurave administrative, ka emëruar Arsim Kuliqin, kryeshef ekzekutiv në Agjencinë e Kosovës për Efiçencë të Energjisë, në kuadër të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik dhe Eset Berishën, drejtor të përgjithshëm të Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës.

Në mbledhjen e sotme, kabineti qeveritar ka miratuar Koncept dokumentin për administrimin e resurseve ujore, i cili ka evidentuar nevojën e plotësimit dhe ndryshimit të Ligjit për ujërat. Koncept dokumenti evidenton ndryshimet e kërkesës për ujë në Republikën e Kosovës, si pasojë e zhvillimit ekonomik dhe ndryshimeve të standardit të jetës në vendin tonë. Ligji duhet të adresojë edhe çështjet e pronës, financimit dhe të drejtës ujore.

Kabineti qeveritar është informuar nga Ministria e Administratës Publike për gjendjen aktuale të akomodimit të institucioneve të Republikës së Kosovës, si dhe kërkesat për akomodim që do të paraqiten në këtë vit, Sipas informatës, aktualisht në hapësira me qira funksionojnë 16 institucione qendrore me 1211 zyrtarë. Sipas informatës gjatë viti 2019, totali i zyrtarëve të institucioneve që duhet akomoduar është rreth 2600 dhe sipas një parallogaritje, akomodimi brenda standardeve të përshtatshme për punë, nevojiten rreth 40 deri në 50 mijë metra katror të hapësirave për punë.

Opsionet e mundshme të zgjidhjes së kësaj problematike janë përmes shpronësimit të objekteve, vazhdimi i sigurimit të hapësirave me qira edhe për një afat të caktuar ose me fillimin e procedurave për ndërtimin e kompleksit qeveritar për nevojat e institucioneve që janë akomoduar me qira. Qeveria i ka rekomanduar Ministrisë së Administratës Publike që të përfundojë analizën e kostove buxhetore për të gjitha opsionet e rekomanduara për zgjidhjen e kësaj çështjeje.

Në mbyllje të mbledhjes se sotme të Qeverisë së Republikës së Kosovës, kryeministri Ramush Haradinaj ka theksuar se viti 2019 do të jetë vit i fokusimit të angazhimit të Qeverisë për zhvillimin ekonomik të vendit dhe ka kërkuar nga të gjithë që të aktivizojnë të gjitha resurset në ketë drejtim.

Ju pëlqen ky artikull? Klikoni këtu dhe na bëni like në Facebook për më shumë artikuj të tillë.