00:00:00
22 Mar

Hapet panairi tre ditor i produkteve vendore, “100% Rahovec”

Në qytetin e Rahovecit, është hapur sot panairi tre ditor i Produkteve Vendore, me moton “100% Rahovec”, në këtë panair do të ekspozohen dhe promovohen vetëm produkte vendore. Në ceremoninë e hapjes së panairit i pranishëm ishte kryetari i komunës, Smajl Latifi me bashkëpunëtor, përfaqësues të podrumeve dhe qytetarë.

Me këtë rast, kryetari Smajl Latifi, është shprehur se verë e ngrohtë, demonstrim i pjekjes së rakisë, turshi e specialitete të shumta vendore nga Rahoveci, çaj e kafe, bashkë me muzikë, do na shoqërojnë sot e në dy ditët e ardhshme në Rahovec.

“Atmosferë e ngrohtë e festive ju pret në një panair që për herë të parë organizohet si i tillë në komunën tonë e që ka për synim të gjallërojë qytetin në këto ditë feste dhe të presim edhe vizitorë nga qytetet tjera. Synoj poashtu që ky panair të bëhet tradicional dhe që të vazhdojmë të stimulojmë prodhuesit vendor edhe në vitet e ardhshme në forma të tilla”, ka thënë ndër të tjera kryetari Latifi.

Panairi është në ambient të hapur përkatësisht në rrugën “Xhevat Kasapi” në Rahovec. Panairi do të mbetet i hapur për të gjithë vizitorët nga 28 dhjetor deri me 30 dhjetor 2018.

Ju pëlqen ky artikull? Klikoni këtu dhe na bëni like në Facebook për më shumë artikuj të tillë.