00:00:00
22 Feb

Hapat e reja dhe të qarta të SHBA-ve rreth mosheqjes së taksave

Pasi Ambasada Amerikane në Prishtinë ia refuzoi vizën kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj për të marrë pjesë në Lutjen e Mëngjesit, që tradiconalisht e organizon presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), edhe komandanti i Gardës Nacionale të shtetit Ajova, gjeneral majori Timothy Orr anuloi vizitën e tij në Kosovë, të planifikuar me rastin e shënimit të 11 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Gjenerali i Forcës së Sigurisë së Kosovës, (FSK) Rrahman Rama e ka informuar kryetarin e Kosovës, Hashim Thaçi për anulimin e vizitës së komandantit të Gardës Nacionale të Ajovas, e si arsye për një vendim të tillë ka theksuar “pakënaqësinë me vendimet e Qeverisë së Kosovës”.

Kabineti i kryetarit të Kosovës e ka konfirmuar përmbajtjen e letrës së dërguar nga gjenerali Rama, e mediat njoftojnë se edhe gjeneral majori Christophet Conor, i cili ka biseduar me gjeneralin e FSK-së, ia ka tërhequr vërejtjen se po shqyrtohen edhe masat e tjera, përfshirë edhe anulimin e trajnimeve dhe vizitave edukative e ushtarake.

Edhe Ambasada Amerikane në Prishtinë zyrtarisht ka konfirmuar anulimin e vizitës të komandandit të Gardës Nacionale të Ajovas, gjeneralit Timothy Orr në Kosovë.

Zëdhënësi i Ambasadës Amerikane, Richard Mei për portalin Koha.net ka deklaruar se vendimi mbi taksat në produktet serbe është arsye për anulimin e vizitës së zyrtarit të lartë ushtarak amerikan.

“Mund të konfirmojmë se vizita e Gjeneralit Orr është anuluar lidhur me tarifat në produktet nga Serbia dhe Bosnia. Nuk kemi tjetër koment lidhur me vizitat e ardhshme apo trajnimet e planifikuara”, ka thënë Mei.

Para disa javësh, presidenti amerikan Donald Trump u ka tërhequr vërejtjen zyrtarëve kosovarë se nëse nuk e suspendojnë taksën në importin e produkteve nga Serbia, në mënyrë që të vazhdojë dialogu me Serbinë, me qëllim të arritjes së marrëveshjes përfundimtare gjithpërfshirëse mes Kosovës dhe Serbisë, SHBA-të do të shkurtojnë ëdo bashkëpunimin dhe ndihmë Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Kryetari i Serbisë, Aleksandar Vučić ka deklaruar se me tërheqjen e vendimit mbi taksat importuese në produktet nga Serbia do t’ia hapte rrugën zgjidhjes së mundshme kompromisi me Kosovën.

„Shpresoj se (Prishtina) do të kuptojë se pa marrëveshje dhe pa bisedime zgjidhje nuk ka dhe se sa është keq për ne, aq është keq për shqiptarët. Nëse Prishtina nuk do marrëveshje, çfarë të bëj unë, askë s’mund ta detyroni”, ka deklaruar kryetari i Serbisë, Aleksandar Vučić në Vranje.

Avni Arifi, shefi i kabinetit të kryeministrit Ramush Haradinaj, ka thënë se Kosova është e gatshme për dialog, e kur është në pyetje vazhdimi i tij, ai ka përsëritur se taksa do të tërhiqet kur Serbia ta njeh Kosovën.

„Kjo varet ekskluzivisht nga Serbia, nëse do marrëveshje, ne jemi të gatshëm, gjithmonë kemi qenë të gatshëm. Kosova ësthë e gatshme”, ka deklaruar Arifi.

Në orët e pasditës u takuan kryetari i Kosovës, Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, lideri i Partisë Socialdemokrate,  Fatmir Limaj, zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj dhe Visar Imeri, anëtari i ekipit të dialogut të Kosovës, për të biseduar rreth dialogut me Serbinë.

Në një njoftim për media theksohet se ishte bërë fjalë për fazën finale me Serbinë dhe se pjesëmarrëit në këtë bisedë ishin pajtuar se pozita dhe opozita duhet të jenë të bashkuara dhe të mbështesin Platformën. Në këtë njoftim po ashtu theksohet se uniteti i skenës politike të Kosovës forcon Kosovën në procesin e dialogut.

Në ndërkohë, anëtarët ekipit për dialog thonë se po punojnë në krijimin e platformës për dialog me Serbinë me qëllim të arritjes së marrëveshjes përfundimtare, gjithëpërfshirëse, e një nga krerët e këtij ekipi, Fatmir Limaj ka deklaruar se platforma do të kryhet këtë javë dhe se menjëherë pastaj do t’i dërgohet Kuvendit të Kosovës për miratim.

“Nëse nuk do të mund ta unifikojmë faktorin politik në Kosovë, të paktën duhet të unifikojmë qëndrimet dhe jemi duke punuar fort në draftimin dhe përfundimin e platformës për dialogun dhe shpresoj që ajo platformë të paraqesë ose të reflektojë qëndrimet e përbashkëta të faktorit politik të Kosovës që do të dërgonte një mesazh dhe Kosova përfundimisht ta ketë një pozicion zyrtar në raport me dialogun me Serbinë”, tha Limaj.

Limaj po ashtu ka thënë se edhe partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Lëvizje Vetëvendosje (LVV), do të informohen rreth takimeve të deritashme që ekipi i Kosovës ka pasur në Bruksel, duke precizuar se më shumë ishte fjala për përgatitje teknike në aspektin e asaj se si duhet vazhduar dialogu.

“Qëndrimi i Republikës së Kosovës, ose platforma jonë, konsiston në ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit të Republikës së Kosovës. Dokumentet bazë që kanë sjellë pavarësinë e Kosovës, deklarata e pavarësisë, pakoja e Ahtisaarit, vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë e kështu me radhë. Me një fjalë, e gjithë platforma është ndërtuar në frymën e Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, tha Limaj.

Dy partitë opozitare LDK dhe Lëvizje Vetëvendosje, refuzojnë ftesën e koalicionit qeverisës për të marrë pjesë në ekipin qeveritar për dialog me Serbinë, duke theksuar se dialogun duhet ta udhëheq kreyministri, e jo kryetari i Kosovës, Hashim Thaçi. Sidomos nuk pajtohen me idenë e Thaçit se marrëveshja përfundimtare me Serbinë mund të arrihet me korrigjimin e kufijve.

Analisti i Grupit Ballkanik për Politikat e Zhvillimit, Naim Rashiti në një intervistë për “Deutsche Welle” ka deklaruar se duket sikur ekziston një marrëveshje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, por nuk ka unitet në bashkësinë ndërkombëtare për një marrëveshje të tillë.

“Ajo që po ndodh te faktori ndërkombëtar dhe ai lokal është se nuk po besojnë se do të ketë një marrëveshje, edhe me modifikim kufijsh, edhe me njohje dhe me një marrëveshje gjithëpërfshirëse ndërmjet dy vendeve. Ajo çfarë po ndodh me Gjermaninë është se duke mos besuar se mund të arrihet një marrëveshje tash, ata vetëm kanë filluar të mendojnë sesi do të dukej dialogu nën një udhëheqje të re të BE-së që pritet këtë vit. Në Kosovë dallimet mes liderëve rreth zgjidhjes finale nuk besoj se do të veniten shpejt. Nuk besoj se do të ketë mbështetje për një lider apo tjetrin për shkak të pozicioneve. Pra edhe SHBA-ja kërkon që ky proces të jetë sa më gjithëpërfshirës dhe të ketë legjitimitetin demokratik, sepse në këtë situatë nuk mund ta kalojë”, ka thënë Rashiti.

Ndryshe, shefi i diplomacisë së Serbisë, Ivica Dačić ka deklaruar se ky është momenti i volitshëm për të bërë hapa përpara në zgjidhjen e çështjes së Kosovës, Si transmeton Televizioni “Most”, Dačič ka deklaruar për mediat serbe se administrata amerikane aktualisht përgatitet për një kompromis mes Prishtinës dhe Beogradit dhe se Komisioni Europian aktual e përfundon mandatin e vet sivjet.

KosovaLive – Violeta Oroshi Berishaj

Ju pëlqen ky artikull? Klikoni këtu dhe na bëni like në Facebook për më shumë artikuj të tillë.