Hamza s’përgjigjet nëse do ta respektojë urdhrin e kryeministrit për rritjen e pagave

Ministri i Financave (MF), Bedri Hamza, nuk ka dashur të komentojë nëse do të respektojë urdhrin e kryeministrit, Ramush Haradinaj në lidhje me rritjen e pagave për qeveritarët.

Të gjitha komentet për këtë çështje ai tha si ka bërë të qarta në mbledhjen e Qeverisë gjatë ditës së djeshme, raporton Ekonomia Online.

“Sot jemi për një ngjarje jashtëzakonisht të mirë, për një vazhdim përkrahjes përmes granteve. Sa i përket çështjes që ju e thatë e keni përcjellë mbledhjen e Qeverisë e kam thënë atë”.

Këto komente Hamza i bëri pas interesimit të gazetarëve gjatë nënshkrimit të marrëveshjes së grantit me KWf për mënjanimin e ujërave të zeza në Prizren, Pejë dhe Gjakovë.

Edhe pas insistimit të gazetarëve duke u pyetur se Çfarë ndikimi do të ketë në vend rritja e pagave, Hamza përsëri foli për marrëveshjen me KfW.

“Lajm më të mirë nuk muj me dhanë se sa që është përkrahë me 8 milionë euro për para falë”.

Hamza në mbledhjen e Qeverisë dje tha se ky vendim duhet të harmonizohet me Ligjin për pagat si dhe tha se beson që kjo çështje është analizuar mirë nga Zyra Ligjore e kryeministrisë.

“Është konsensus i përgjithshëm që kjo çështje të rregullohet me ligj besoj që në këtë drejtim jemi duke ecur. Ky vendim të harmonizohet në Ligjin për pagat”.

“Duke pasë për bazë që kemi një situatë të re besoj që zyra ligjore e kryeministrisë e ka shikuar. Fokusi im është që zyra ligjore i ka shikuar komplet edhe vendimin e gjykatës edhe opinionin së AKK-së”.

Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Qeveria dje ka marrë vendim për shfuqizimin e vendimit e pezulluar për rritje pagash.

Me këtë vendim të gjithë qeveritarët do të kenë pagën më të madhe, vetëm kryeministri Ramush Haradinaj tani do të ketë pagë 2950 euro në muaj.

Shuma që në muajin e ardhshëm zyrtarët qeveritarë do të kompensohen nga buxheti i shtetit është 1 milion e 57 mijë e 362 Euro.

Ju pëlqen ky artikull? Klikoni këtu dhe na bëni like në Facebook për më shumë artikuj të tillë.