00:00:00
22 Mar

Gruaja në ndërmarrësi, zhvillim i qëndrueshëm ekonomik në vend

Pjesëmarrja e grave në tregun e punës vazhdon të mbetet në nivele shumë të ulëta, ndërsa promovimi i tyre në ndërmarrësi është i nevojshëm në mënyrë që të arrihet zhvillim i qëndrueshëm ekonomik në vend, e për këtë është e nevojshme mbështetja e institucioneve, bizneseve por edhe vetë grave të suksesshme.

Kjo u tha sot në tryezën e organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë në bashkëpunim me Fondacionin Jahjaga ku u diskutua mbi rolin e gruas në ndërmarrësi dhe zhvillimi i saj.

Presidentja e katërt e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, tha se emancipimi dhe fuqizimi i gruas në shoqërinë tone është i domosdoshëm në zhvillimin ekonomik dhe prosperitetin e vendit. Ajo tha se përkundër sfidave të shumta të cilat gratë i hasin në ndërmarrësi, është shënuar mjaft progres në këtë drejtim e kjo fal guximit dhe iniciativave që i kanë ndërmarrë në zhvillimin e tyre si profesional ashtu edhe shoqëror.

Presidentja Jahjaga shtoi se vetëm përmes fuqizimit ekonomik, politik, e shoqëror të gruas do të arrihet një bazë e qëndrueshme e vendit duke thënë se kjo pastaj reflektohet në demokraci të vazhdueshme, rritje të qëndrueshme ekonomike, si dhe stabilitet në zhvillimin e sektorit privat.

Shefja e Misionit të USAID në Kosovë, Lisa Magno, përmendi si dekurajuese shifrën e ulët të pjesëmarrjes së grave në fuqinë punëtore të Kosovës, ku vetëm 20% janë pjesë e tregut të punës dhe vetëm 11% janë pronare të bizneseve.

Ajo njoftoi të pranishmit se USAID ka punuar në këtë drejtim në zhvillimin e mundësive të reja për grate në biznes, promovimin dhe ofrimin e shkathtësive, duke thyer kështu barrierat për përfshirje më të madhe të grave në ndërmarrësi. Magno inkurajoi të pranishmet të vazhdojnë edhe më tej me fuqizimin e njëra tjetrës duke shtuar se bizneset e tyre shërbejnë si model për vajzat e reja.

Më tutje, përfaqësueset e bizneseve anëtare të Odës Amerikane, shkëmbyen storiet e tyre të suksesit si dhe sfidat me të cilat janë ballafaquar në rrugëtimin e tyre, duke u zotuar se bashkërisht do të gjejnë mënyra për mbështetjen e grave dhe vajzave për një rol më aktiv të tyre në ndërmarrësi si dhe në pozita vendimmarrëse.

Ju pëlqen ky artikull? Klikoni këtu dhe na bëni like në Facebook për më shumë artikuj të tillë.