00:00:00
23 Mar

Google nuk do ta heqë aplikacionin e diskutueshëm nga Play Store

Google tha se nuk do ta largojë nga faqja e aplikacioneve Absher, një aplikacion qeveritar i diskutueshëm i Arabisë Saudite duke i treguar përfaqësueses së Kalifornisë, Jackie Speier se aplikacioni nuk ka shkelur politikat e Google dhe prandaj nuk do të largohej.

Aplikacioni u mundëson përdoruesve nga Arabia Saudite të kenë qasje në shërbimet e qeverisë, u lejon të aplikojnë për punë apo leje, të paguajnë gjobat, të rinovojnë patentat apo të raportojnë krimet. Megjithatë, aplikacioni gjithashtu u lejon burrave të gjurmojnë femrat dhe të kontrollojnë lëvizjet e tyre.

Një raport tregon se si burrat në Arabi Saudite mund ta shfrytëzojnë aplikacionin për të kontrolluar femrat pasi që mund të përdoret për të revokuar privilegjet e udhëtimit, për të mbajtur tabela të vendndodhjes së tyre dhe për të dërguar mesazhe me përditësime rreth vendndodhjes së tyre.

Pas publikimit të raportit, grupet për të drejtat e njeriut si Amnesty International i kanë kritikuar të dyja kompanitë rreth aplikacionit. Në të njëjtën kohë, Speier dhe një grup përfaqësuesish i dërguan një letër shefit ekzekutiv të Google dhe Apple duke u kërkuar ta hiqnin aplikacionin.

Google i është përgjigjur letrës së Kongresit dhe aplikacioni nuk është larguar. Speier e konsideroi përgjigjjen si “shumë të pakënaqshme” dhe tha se planifikon ta ndjekë ende këtë çështje me kolegët e saj. Shefi ekzekutiv i Apple, Tim Cook tha se do ta rishikonte këtë çështje por ende nuk ka treguar nëse do të hiqet apo jo aplikacioni nga App Store.

Ju pëlqen ky artikull? Klikoni këtu dhe na bëni like në Facebook për më shumë artikuj të tillë.