00:00:00
17 Jan

OVL: Gjykohen luftëtarët e UÇK-së, por jo edhe kriminelët serbë

Organizata e Veteranëve të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, vazhdimisht ka kundërshtuar krijimin e Gjykatës Speciale, përmes së cilës do të gjykohen luftëtarët e UÇK-së, duke e konsideruar si një gjykatë diskriminuese që gjykon vetëm shqiptarët, por jo edhe kriminelët serbë që kryen krime në Kosovë.

Krijimi i kësaj gjykate fatkeqësisht është votuar nga ana e Kuvendit të Kosovës, e cila do të funksionojë në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, dhe përkundër kritikave tona, të ftuarit duhet të përgjigjen dhe gjatë proceseve gjyqësore të vërtetojnë pafajësinë e tyre.

OVL UÇK, kundërshton marrjen në biseda informative të luftëtarëve të UÇK-së me status të padefinuar, nga ana e Prokurorisë Speciale, e cila ka për qëllim që nga këto biseda informative, të sigurojë prova e që pastaj të akuzojë luftëtarët e UÇK-së.

Bisedat informative kanë qenë praktikë e ish sistemit jugosllav, i cili në të kaluarën i ka përdorur ato për të ngritur akuza dhe ka organizuar me qindra gjyqe nga të cilat u dënuan me mijëra intelektual dhe të rinjë e të reja shqiptarë.

Duke pasur parasysh këtë përvojë të hidhur nga e kaluara, e cila fatkeqësisht po përsëritet edhe tani, Organizata e Veteranëve të UÇK-së ju bën thirrje të gjithë të ftuarve nga Gjykata Speciale, të mos pranojnë që të bashkëpunojnë me Prokurorinë Speciale, pra të mos japin deklarata pranë saj, e cila nuk ka prova, por përmes këtyre bisedave informative po synon që t’i nxjerr ato e për të dënuar luftëtarët e UÇK-së.

Nëse Prokuroria Speciale ka mbledhë prova të mjaftueshme, ajo le t’i provojë me akuzë gjatë shqyrtimit kryesor në seanca gjyqësore, e jo ne t’i shërbejmë asaj për t’i siguruar prova kundër vetes.

Ju pëlqen ky artikull? Klikoni këtu dhe na bëni like në Facebook për më shumë artikuj të tillë.