Gary Cohn: Tarifat ndaj Kinës të njëjta me taksat e konsumit

Ish-këshilltari krysor ekonomik i presidentit Donald Trump, Gary Cohn, paralajmëroi se lufta tregtare ndërmjet Beijing-ut dhe Washington-it do t`u imponojë amerikanëve taksa të padëshiruara.

Ai tha për BBC se pajtohet me lëvizjen e presidentit të SHBA-ve për t`i zvogëluar taksat e korporatave të SHBA-ve, por tha se tarifa ameriakne në produktet kineze është e njëjtë me taksat e konsumit.

SHBA-të dhe Kina janë përfshirë në një luftë tregtare tytë më tytë për muaj me radhë.

Të dy vendet kanë vënë raunde të shumta të taksave për produktet e secilës – dhe Trump ka paralajmëruar se edhe më shumë tarifa janë rrugës.

Sidoqoftë, Cohn paralajmëroi se beteja tregtare ndërmjet dy gjigantëve do ta dëmtojë xhepin e konsumatorëve amerikan – çka do ta dëmtojë ekonominë ameriakne.

“Nuk jemi ekonomi prodhuese,” tha ai. “Pra nëse qytetarët amerikanë mund të blejnë produkte lirë, ata do të kenë më shumë para për t`i shpenzuar në të mira tjera dhe sapo të shpenzojnë në të mira mund t`i marrin paratë që u teprojnë dhe t`i kursejnë – dhe na duhet shkallë më e lartë e kursimeve në SHBA. I shoh tarifat pak si taksë konsumi dhe nuk duam t`u vëmë taksa konsumatorëve tanë kur do t`i shpenzojnë të ardhurat e tyre të shpenzueshme në çka prodhojmë ne, që janë shërbimet.”

Cohn tha se Trump e ka një ide të qartë se çka dëshiron të arrijë në ndonjë negociatë të ardhshme tregtare me Kinën.

“Presidenti e ka stilin e tij, i ka taktikat e tij,” tha ish-këshilltari.

“Njerëzit vazhdimisht kanë bërë pyetje për metodat e tij… por ai është duke ecur përpara në tregti, duke ecur përpara në mbrojtjen e kompanive të SHBA-ve, duke ecur përpara në mbrojtjen e punëve në SHBA – ai e kupton se çka duhet të bëjë.”