Filmi “Martesa” në platformat digjitale e në kinemat e zgjedhura

Filmi “Martesa” i Blerta Zeqirit, nga sot, më 7 dhjetor, do të jetë në dispozicion për banorët e SHBA-ve, me pagesë në iTunes, GooglePlay, Amazon, YouTube, Vudu, Fandango Now, si dhe në kinema të zgjedhura atje.

Sshikuesit që jetojnë në SHBA mund ta shohin filmin “Martesa” në shumë platforma digjitale si iTunes, GooglePlay, Amazon, YouTube, Vudu, Fandango Now, Dish Network dhe përmes shërbimeve lokale kabllore, si dhe në kinema të zgjedhura të SHBA, duke filluar nga Laemmle të Glendale, Los Anxhelos.

Ky zhvillim me filmin e parë të metrazhit të gjatë të Blerta Zeqirit, me Alban Ukajn, Adriana Matoshin dhe Genc Salihun në rolet kryesore, vie si rezultat i kontratës së distribuimit të nënshkruar me Uncork’d Entertainment për të drejtat e shfaqjes në SHBA dhe Kanada.

Një numër recensionesh, artikujsh e intervistash në mediat më të njohura filmike amerikane, si Hollywood Reporter, The Wrap, LA Times dhe më herët Variety, i kanë paraprirë daljes së filmit në kinema dhe platforma digjitale në SHBA dhe shumica e tyre e kanë vlerësuar shumë lartë filmin “Martesa”, duke e quajtur “portretizim solid të ndikimit të kohës në atë që na mungon, dhe si na mungon” (LA Times) dhe “Dramë tërheqëse […] tërheqëse […] absorbuese” (Variety). Një gazetar i një portali (TheGeekiary.com) e quan “një ndër filmat më të mirë LGBT që është bërë ndonjëherë”.

Ju pëlqen ky artikull? Klikoni këtu dhe na bëni like në Facebook për më shumë artikuj të tillë.