00:00:00
17 Jan

Filmi kosovar që eksploron traumat e dhunës seksuale

Filmi i ardhshëm i Lendita Zeqirajt ‘Aga’s House’ (“Shtëpia e Agës”) shqyrton pasojat psikologjike të dhunimeve seksuale që kanë ndodhur gjatë luftës si dhe të dhunës familjare duke treguar historitë e grave të cilat janë të margjinalizuara nga shoqëria, nëpërmjet paragjykimeve shoqërore në Kosovë.

Aga, një djalë i ri kosovar i cili nuk ka baba, jeton në një shtëpi me pesë gra, të gjitha viktima e dhunës seksuale apo familjare.

Ai ia arrin ta shpëtojë jetën e njërës prej tyre, duke arritur në kohë për të parandaluar vetëvrasjen e saj. Gjatë pasdites dhe mbrëmjes, historitë e pesë grave tregohen duke eksploruar realitetet e pjesës së përjashtuar dhe margjinalizuar të shoqërisë kosovare.

Ky është skenari i ‘Aga’s House’, filmit të ardhshëm të Lendita Zeqirajt, një regjisore puna e së cilës është vlerësuar me çmime. Ajo tha se dëshiron ta eksplorojë anën njerëzore të vuajtjeve të femrave të cilat ishin abuzuar seksualisht gjatë luftës dhe ishin viktima të dhunës në familje.

“Stigma është një nga gjërat që i vret ato. Në Kosovë ka shumë viktima të dhunës seksuale, që i vuajnë përjetimet e tyre pa zë”, tha Zeqiraj në një intervistë për BIRN.

“Janë mijëra gra të dhunuara dhe kemi vetëm dy ose tri të cilat kanë folur publikisht për këtë gjë. Pse ndodh kjo? Sepse familjet e tyre nuk i kanë pranuar dhe mbështetur ato. Mjedisi jashtë shtëpive të tyre është akoma më i keq, pra ato janë viktima të shumëfishta”, tha Zeqiraj.

“Viktimat femra të dhunës seksuale nuk kanë përkrahje. Ato vazhdojnë të vuajnë traumën e brutalitetit të kohës së luftës prej së cilës ato kurrë nuk e kanë marrë veten. Është një gjeneratë e fëmijëve të cilët kanë parë skena të tmerrshme dhe janë rritur me këtë traumë”, shtoi ajo.

Konfrontimi i paragjykimeve

Skenat në filmin e saj nuk janë dramatike, por historitë janë nga që ato merren me një teme e cila mbetet shumë e ndieshme— jo vetëm në Kosovë. Përveç stigmës që e rrethon dhunimin, Zeqiraj tha se ajo gjithashtu deshi ta konfrontojë patriarkalizmin dhe paragjykimet të cilat akoma vazhdojnë t’i rëndojnë jetët e viktimave.

“Si shoqëri, ne nuk jemi marrë shumë me këtë gjë. Dhuna seksuale nuk është shtjelluar shumë, madje as në art”, shpjegoi ajo.

Filmi i saj merret me një temë shumë aktuale në Kosovë. Vitin e kaluar, pas dy dekadash përpjekje për njohje, qeveria i dha të mbijetuarve të dhunë seksuale statusin zyrtar të viktimave të luftës, gjë që ua mundëson atyre marrjen e një pensioni mujor prej 230 eurove.

Në tetor, një grua kosovare dha një intervistë televizive ku foli për pasojën e saj si viktimë dhunimit gjatë luftës dhe për përpjekjen e saj të pasuksesshme për drejtësi në gjykatë, duke u bërë femra e dytë në vend që flet publikisht për përvojën e saj.

Zeqiraj tha se veçse ka filluar të marrë reagime pozitive për ‘Aga’ House’, akoma pa u dhënë premiera.

“Zërat e parë të kritikëve kanë qenë shumë inkurajues. Unë pres që njerëzit ta gjejnë veten në këtë film; është një reflektim i jetëve tona të përditshme”, tha jo.

Ju pëlqen ky artikull? Klikoni këtu dhe na bëni like në Facebook për më shumë artikuj të tillë.