Në një hulumtim të bërë nga Qenda për Studime të Avancuara FIT dhe Save the Children në vitin 2016 me 1301 fëmijë të moshës 9-15 vjeç në Kosovë, doli se 97% prej tyre e përdorin internetin, ndërsa 71% e përdorin atë çdo ditë ose gati çdo ditë.

Statistikat tregojnë se 26% e fëmijëve të anketuar kanë parë përmbajtje pornografike, derisa 43% kanë kontaktuar me persona të panjohur përmes internetit.
Po ashtu 28% e fëmijëve kanë përjetuar “cyber dhunë” ndërsa 18% kanë pohuar që zihen në shkollë me shokët/shoqet për shkak të asaj se çfarë ka ndodhur paraprakisht në internet.

Jon Bakiu, nxënës në shkollën “Faik Konica”, tregon se sikur bashkëmoshatarët e tij, edhe ai përdor internetin mjaft shumë, mirëpo për informacione që i duhen dhe jo për kyçje në pamje të padëshirueshme.

“Personalisht internetin e përdori deri në pesë orë të ditës, pastaj aty mundem të shqyrtoj shumë gjëra të ndryshme, mundem të marrë informacion për detyra të shtëpisë, për informacione që më interesojnë nga bota, mundem të komunikoj me shokë, shoqe e prindërit”, thotë ai.

Joni mendon se fëmijëve nuk duhet të u ndalohet përdorimi i internetit, por se duhet të ketë masa për mënyrën se si e përdorin atë.

“Nëse fëmiu është i interesuar në shumë gjëra të ndryshme, në lojëra, dhe të gjitha këto lojëra, disa prej tyre, mund të jenë shumë adektive, d.m.th që tërheqin shumë dhe kështu që fëmijët nuk munden të kenë shumë koncentrim në jetën e tyre reale, sociale e kështu, sepse janë të koncentruar në jetën kompjuterike, për këtë arsye është shumë e keqe dhe duhet roli i prindërve e i shoqërisë, d.m.th. të gjitha këto ndikojnë në personalitetin edhe çka bënë fëmiu, d.m.th pavarësisht çfarë fëmije është ai”, tregon Bakiu.

Në një anketë të shkurtër dhe jopretencioze, të realizuar nga KosovaLive me dhjetëra prindër doli se shumica prej tyre nuk i kontrollojnë fëmijët gjatë përdorimit të internetit. Po ashtu, shumica prej tyre i lejojnë fëmijët që më shumë se pesë orë të qëndrojnë në internet.

Teuta Zymeri, drejtoreshë në Qendrën për Studime të Avancuara FIT, rrëfen se, pos tjerash, përdorimi i tepruar i internetit mund të përcillet pos problemeve fizike, aq më tepër edhe me problemet psiqike dhe emocionale.

“Pastaj është Cyber Bullying apo Cyber dhuna, e cila është shumë e shprehur ndër moshatarët mes fëmijëve. Është po ashtu shikimi i përmbajtjeve të papërshtatshme për moshën e tyre është takimi me njerëz të panjohur, i cili po ashtu është rrezik me të cilin mund të përballen fëmijët gjithkund në botë po edhe në Kosovë. Pastaj mund të themi është edhe ajo që ata nuk dinë mirë t’i përdorin parametrat e privatësisë në rrjete sociale, dhe i bëjnë shpesh profilet e tyre publike dhe të qasshme për gjithkënd, është një rrezik me të cilin përballen fëmijët”, thotë Zymeri.

Ajo më tej tregon se kjo ndikon mjaft negativisht në shëndetin mental të fëmijëve.

“Së pari një fëmijë që shikon pamje pornografike ndikon negativisht qoftë në shëndetin mental apo emocional të fëmijës, pastaj është një falsifikues për dashurinë e vërtetë. Mund të themi se mëson argëtimin në thonjëza të të rriturve, që të jetë në formë i dëshirueshëm për fëmijën” tregon ajo.

Sipas Zymerit, fëmijët nëse shumë shpesh shohin pamje të tilla, në të ardhmen mund të bëhen vetë përdhunues nga se këto pamje krijojnë imazhe të cilat pastaj mund t’i përdorin në jetën e tyre të përditshme.

“Kohëve të fundit po flitet shumë që fëmijët po flasin me vonesë, kjo është për arsye se fëmijëve shumë herë po u jepen pajisjet teknologjike dhe po u lihet qasja në internet sa që ata po i kanë shumë të gatshme gjërat, dhe nuk po kanë nevojë të bisedojnë me dikë, përderisa e kanë muzikën, mund të ngjyrosin, mund të shikojnë edhe filma të ndryshëm të animuar apo ajo që u pëlqen atyre dhe nuk po e kanë atë nevojën shumë të shprehur sikur e kemi pasur ne përpara, që të flasin, do të thotë se po komunikojnë me pajisje edhe me internet”.

Interneti shpesh herë ka shkaktuar edhe konflikte në mes të fëmijëve. Shumë biseda në internet kanë rezultuar edhe me përleshje në shkolla.

Në anën tjetër, sipas disa të dhënave të dërguara nga Policia e Kosovës për KosovaLive, vetëm vitin e kaluar, në shkolla dhe në afërsi të tyre janë raportuar gjithsej 166 raste të personave me lëndime të lehta trupore dhe 27 me lëndime të rënda, ndonëse nuk saktësohet se cilat ndërlidhen me përdorimin e internetit.

Policia e Kosovës (PK) thotë se në lidhje me këtë çështje kanë mbajtur edhe ligjërata me fëmijët.

“Polica, konkretisht Drejtoria e Policisë, ka realizuar qindra ligjërata dhe takime të drejtpërdrejta me nxënës, ka shpërndarë broshura me tema të ndryshme vetëdijësuese siç janë: parandalimi i dhunës në mes të bashkëmoshatarëve, filozofia e policimit në bashkësi, parandalimi i pasojave nga përdorimi i substancave narkotike, ngritja e sigurisë në trafikun rrugorë, parandalimi i keqpërdorimit të teknologjisë informative dhe rrjeteve sociale të komunikimit”, është përgjigjur PK.

Gazmir Hapçiu, menaxheri i Sigurisë së Cilësisë në Cacttus, për KosovaLive thotë se shpeshherë harrojmë se qasjet tona mund të keqpërdoren dhe të jemi viktima të “hacker”-ëve.

“Krimet të cilat ndodhin në jetën reale dhe vjedhjet ato po ashtu ndodhin edhe në botën e internetit. Sikur se kur e kalojmë rrugën dhe duhet të sigurojmë se mos kemi ndonjë veturë anash para se të marrim një iniciativë për veprim, ne po ashtu duhet ta kemi parasysh se kur jemi në internet të kemi kujdes të veçantë se në cilat faqe dhe çka jemi duke kërkuar, cilat aplikacione jemi duke i përdorur dhe nga cili burim i pranojmë ato, çfarë lloj informata jemi duke i transferuar”, thotë Hapçiu.

Ai tregon se ka raste kur me ridirektim nga një aplikacion apo me shkarkim të ndonjë “file”-i, dikush mund të qaset në pajisjet tona dhe ato të keqpërdoren. E sipas tij, risku më i madh është vjedhja e informatave nga pajisja jonë dhe qasja në kamerë të pajisjes dhe më tej, kontrollimi i tij.

Këshillat janë që asnjëherë të mos klikojmë në linqet ku shohim se informatat janë të panevojshme, të mos përdorim aplikacione të palicencuara, të mos pranojmë miq të panjohur nëpër rrjete sociale, të vëmë çelësa të sigurisë, passëord-et të ndërrohen në periudha të rregullta dhe të jemi të kujdesshëm me blerjet online, largimin e të dhënave nga disqet si dhe të jemi më të vëmendshëm kur qasemi në rrjetet e hapura publike.

Njomza Berisha

Ju pëlqen ky artikull? Klikoni këtu dhe na bëni like në Facebook për më shumë artikuj të tillë.