Era Istrefi në listën e njerëzve që do të kenë ndikim në 2019

“Politico” për çdo vit bën një listë prej 28 personash që mendohet se do të kenë ndikim në vitin që vjen. Mes këtyre 28 njerëzve, këtë vit është edhe emri i këngëtares nga Kosova, Era Istrefi.

Duke folur për Erën, “Politico” e konsideroi atë ambasadore të Kosovës dhe ka shkruar se: “Era Istrefi po e vendos Kosovën në hartë – edhe nëse dikush nuk e do aty. Këngëtarja 24-vjeçare nga Prishtina ka shijuar një rritje të shpejtë ndërkombëtare. Pasi një prej hiteve të para shqipe u bë hit global dhe i siguroi kontratën e parë me një label amerikan, ajo arriti të bashkëshkruajë dhe performojë himnin e Kampionatit Botëror ‘Live It Up’, bashkë me yjet amerikane Nicky Jam dhe Will Smith”.

Më tej, “Politico” e cilësoi Erën si përfaqësuese të brezit të ri të kulturës dhe sportit: “Dhjetë vjet pasi Kosova shpalli pavarësinë, Istrefi është pjesë e gjeneratës së re të artistëve dhe yjeve të sportit që po promovojnë vendin – dhe Ballkanin – si imazh alternativ në krahasim me atë të dominuar nga varfëria, krimi dhe politikanët e korruptuar që grinden për të ardhmen”.

Mes të tjerash vihet në pah se Era ka lindur dhe është rritur në vendlindje, çka tregon se “talenti mund të depërtojë”.

Viti 2019 pritet të jetë i suksesshëm për Erën pasi ajo do të publikojë albumin e saj të parë.

Ju pëlqen ky artikull? Klikoni këtu dhe na bëni like në Facebook për më shumë artikuj të tillë.