00:00:00
23 Mar

Edhe të kualifikuar, ndihen të diskriminuar në punësim

Sfida më e madhe në Kosovë pas përfundimit të shkollimit është ta gjesh një punë, por tek komunitetet romë, ashkali dhe egjiptas kjo është akoma edhe më problematike.

Kadri Limani, 23 vjeçar nga komuniteti ashkali aktualisht vijon studimet për sociologji në nivelin master. Ai thotë se deri tash disa herë deri tash ka provuar që ta gjejë një vend pune, por, pa sukses.

‘Unë kam kërkuar punë, biles edhe ku kërkohej niveli i mesëm i përfunduar shkollor. Por, fatkeqësisht as në intervistë nuk më kanë ftuar. Para 5 viteve kam aplikuar që të bëhem pjesëtar  i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) , pastaj kam aplikuar edhe nëpër ministri për pozita të punës, ku kërkohej shkollimi i mesëm, por as aty kurgjo hiç”, thotë ai.

Por, Kadriu nuk është dorëzuar. Ndërkohë, ai ka gjetur punë si mirëmbajtës i kopshtit të Arkivës së Kosovës, në kuadër të kompanisë private për pastrim Member Sanitary Service (MSC).

Ai nuk është i vetmi kosovar me diplomë, i cili punon një punë, të cilën as nuk e ka menduar që do të punojë ndonjëherë në jetë, por Limani e ka edhe një brengë.

“Mendimi im është diskriminimi që i përkas këtij komuniteti. Unë po mendoj se ende ekziston ai paragjykimi që komuniteti im ashkali janë të pashkolluar, janë njerëz pa kuadro dhe mendoj se ky është problem. Se kur po e shohin ata se paska njerëz të komunitetit tonë, njerëz me kuadro të mira, ata disi po i neglizhojnë”, thotë ai.

Sipas statistikave të popullsisë, në Kosovë jetojnë afro 20 mijë ashkali, 20 mijë romë dhe 12 mijë egjiptas. Sipas të dhënave të Qendrës Evropiane për Komunitete, aktualisht 500 të rinj nga këto komunitete vijojnë studimet në universitete publike dhe private.

Papunësia në Kosovë është 30%, kurse vetëm tek të rinjtë për vitin 2018 ka qenë 55.6%. Ndërsa sipas raportit për përfaqësimin e komuniteteve në shërbimin civil të organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), papunësia tek komuniteti rom, ashkali dhe egjiptas është edhe më e theksuar: rom – 43.1%, ashkali – 37.7% dhe egjiptas – 29.9%.

Në raportin e njëjtë, kërkesat për punë nga pjesëtarët e komunitetit romë janë 38%, ashkali 30.7% dhe egjiptas 26.1%, kurse 5.1% të komunitetit romë, 7% të komunitetit ashkali dhe 3.8% nga komuniteti egjiptas nuk kërkojnë fare punë.

Sipas ligjit për shërbimin civil në Republikën e Kosovës parashihet që në kuadër të shërbimit civil në institucionet e nivelit qendror minimum 10% e posteve duhet të rezervohen për personat të cilët u përkasin komuniteteve të cilët nuk janë shumicë në Kosovë dhe që përmbushin kriteret specifike të punësimit. Në nivelin komunal për anëtarët e kualifikuar të komuniteteve që nuk janë shumicë në komunë, do të jetë i rezervuar numri i vendeve të punës në pajtim me përfaqësimin procentual të komuniteteve të komunës së dhënë.

Mirëpo, Veton Berisha deputet në Kuvendin e Kosovës nga Partia Liberale egjiptiane thotë se që ky ligj nuk po zbatohet.

“Unë kam marrë përsipër edhe jam bërë kryetar i Komisionit për monitorimin e ligjeve për shërbimin civil. Neni 11 në këtë Ligj i refererohet se deri në 10 % të komuniteteve duhet me qenë të punësuar. Dhe të gjeturat nga monitorimi kanë qenë skandaloze. Kemi gjetur njerëz që kane qenë në emër të komuniteteve egjiptian të punësuar, edhe pse nuk janë egjiptian. Ata kanë përdor deklarimin dhe kanë deklaru që janë egjiptian.”, thotë deputeti Berisha.

Disa pjesëtarë të komuniteteve e shohin si një nga pengesat për punësim edhe mosnjohjen e gjuhës shqipe, sepse një numër i tyre e kanë përfunduar shkollimin në gjuhën serbe.

Gazmen Salijevic, nga komunitetit rom, aktualisht koordinator i Qendrës Evropiane për Komunitete në Kosovë, për KosovaLive thotë se edhe ai ka pasur një përvojë të ngjashme..

“Para vitit të ri ka qenë një konkurs për zyrtarë për informim në Kuvendin e Kosovës edhe unë kam aplikuar e kam kaluar testin. Unë kam mbaruar studimet në Hungari dhe po ashtu e kam përfunduar shkollën në gjuhën serbe në Kosovë. Kur hyra në intervistë dy-tri herë një zotëri më tha që t’i nuk fol shumë mirë shqip dhe une jam ndier keq sepse e kam ndjek shkollën në gjuhën serbe e kjo është po ashtu gjuhë zyrtare e Kosovës. Kjo nuk është arsye për mos marrje në punë, por kjo po na e pamundëson integrimin në shoqëri. Unë i kam plotësuar kriteret, dhe kam pasur  kualifikimin, por arsyeja ishte që unë nuk flas mirë shqip”, thotë ai.

Në një raport të OSBE-së rreth përfaqësimit të komuniteteve në shërbimin civil, si pengesa me të cilat ballafaqohen këto tre komunitete në Kosovë kur është fjala për punësim, janë edhe mungesa e kualifikimit, mungesa e përvojës, mungesa e parave për jetën perditshme, ndërhyrjet politike, mungesa e informatave për vendet të reja të punës, por edhe paragjykimi, diskriminimi.

Sipas statistikave të MASHT-it, në gjitha shkollat e Kosovës në vitin shkollor 2017/2018 rreth 1870 nxënës e kanë braktisur arsimin, 228 prej tyre nivelin fillor dhe te mesëm të ulët. Ndërsa, 1642 e kanë braktisur nivelin e shkollimit të mesëm të lartë. Ndonëse mungojnë statistikat e sakta, një numër i konsiderueshëm i tyre janë pjesëtarë të komunitetit rom, ashkali dhe egjiptas.

Organizata “The Ideas Partnership”, e cila merret me edukimin e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptas në Fushë Kosovë, në vitin 2011 kanë kthyer në shkolla publike 56 nxënës të cilët e kishin braktisur mësimin, nga gjithsej 100 për të cilët kanë pasur informata.

Në vitin 2018, sipas statistikave të kësaj qendre, mësimin e rregullt e kanë braktisur 5 fëmijë, të cilët me intervenimin e menjëherëshëm të organizatës “The Ideas Partnership” janë kthyer në shkollë.

Sipas kësaj organizate, në shkollat në Fushë Kosovë, 405 nxënës e vijojnë mësimin e rregullt në shkollën “Selman Riza” dhe 30 në nivelin e mesëm në shkollën “Daut Bogujevci”.

Hysni Hasani, koordinator i qendrës “The Ideas Partnership” thotë se ndër arsyet më të shpeshta për braktisjen e shkollave është komunikim në relacionin mësimdhënës-nxënës.

‘Shkaqet e brakstisjes së shkollimit kryesisht kanë qenë në fillim që nuk janë trajtuar mirë prej mësuesve dhe stafit të shkollës. Pas ndërhyrjes sonë janë përmirësuar kushtet. Tjetër arsye janë edhe varfëria te këto tre komunitete dhe martesat e hershme, kryesisht tek vajzat e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptas“, thotë Hasani.

VJOSA ÇERKINI me Donjeta Zeqiraj, Afërdita Lukaj, Donjeta Qerkini

 

Ju pëlqen ky artikull? Klikoni këtu dhe na bëni like në Facebook për më shumë artikuj të tillë.