00:00:00
22 Feb

Dy çmime Grammy për këngëtaren shqiptare Dua Lipa

Dua Lipa, këngëtarja nga Kosova e njohur ndërkombëtarisht, ka shënuar një sukses tjetër të jashtëzakonshëm duke u shpërblyer me dy çmime Grammy në mbrëmjen më të madhe muzikore të vitit.

Këngëtarja shqiptare, e para në histori që ka arritur të fitojë dy çmime Grammy, u zgjodh fituese në kategorinë “Kënga më e mirë ritmike” për bashkëpunimin e saj të suksesshëm me Mark Ronson dhe Diplo “Electricity”. Në këtë kategori, kënga e saj garonte me këngët “Northern Soul” nga Above & Beyond dhe Richard Bedford, “Ultimatum” nga Disclosure dhe Fatoumata Diawara, “Losing It” nga Fisher dhe “Ghost Voices” nga Virtual Self.

23 vjeçarja fitoi edhe çmimin tjetër prestigjioz atë të “Artistja më e mirë e re” ku e nominuar ishte edhe këngëtarja tjetër shqiptare Bebe Rexha, e cila nuk arriti të fitonte ndonjë çmim.

Pasi u ngjit në skenë për të marrë çmimin, Dua e filloi fjalimin e saj duke thënë se ishte e nderuar që ishte nominuar krahas shumë artisteve të mrekullueshme këtë vit dhe tha gjithashtu se “më duket se këtë vit vërtet kemi bërë më shumë”. Kjo deklaratë i referohej komentit të presidentit të Recording Academy, Neil Portnow i cili pas ceremonisë së vitit të kaluar kishte thënë se këngëtaret femra duhet të “bëjnë më shumë” për t’u nominuar dhe për të fituar çmime”.

Dua nuk harroi t’i falenderonte edhe fansat që siç tha ajo e kanë lejuar të jetë “versioni më i mirë i vetes”.

Më pas ajo ka postuar edhe në Instagram duke thënë se:

“Jam artiste me dy çmime Grammy!!! Jam shumë e përulur dhe mirënjohëse në këtë moment. I dërgoj shumë dashuri fansave të mi, familjes sime, ekipit tim, të gjithë artistëve të mahnitshëm me të cilët kam punuar dhe bashkëpunuar. Një ëndërr e vërtetë është realizuar! Faleminderit!!”.

Ju pëlqen ky artikull? Klikoni këtu dhe na bëni like në Facebook për më shumë artikuj të tillë.