Diaspora duhet të informohet më shumë rreth zgjedhjeve

Zv.kryeministri Dardan Gashi, njëherësh ministër i Diasporës dhe Investimeve Strategjike dhe kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka biseduan të mërkurën për procesin e zgjedhjeve, votimin e pjesëtarëve të diasporës, por edhe përfaqësimin e bashkatdhetarëve në Kuvendin e Kosovës.

Zv.kryeministri Gashi dhe kryetarja Daka u pajtuan që diaspora duhet të informohet më shumë për votimin përmes vebfaqeve të institucioneve, përmes tryezave që planifikohet të mbahen me përfaqësuesit e diasporës, edhe përmes shoqatave, asociacioneve e organizimeve të ndryshme, të cilat mund të shërbejnë edhe si pika grumbullimi të materialeve zgjedhore për votim jashtë Kosovës.

Në takim u potencua se për përfaqësimin e diasporës në Kuvendin e Kosovës ka vullnet politik nga subjektet politike të Kosovës dhe në një të ardhme të afërt do të organizohen takime, debate, tryeza dhe organizime të ndryshme për procesin e votimit të diasporës. Debate të tilla do të mbahen edhe me partitë politike, nga të cilat sigurisht do të dilet me një qëndrim se si do të veprohet në të ardhmen, sa i takon votës së përfaqësuesve të diasporës, por, njëkohësisht, në takimet që do të mbahen në diasporë do të merret edhe mendimi i tyre.

Gashi dhe Daka u dakorduan që ta thellojnë bashkëpunimin mes tyre, me qëllim që përfaqësuesve të diasporës t’ua bëjnë më të lehtë votimin dhe të shihet mundësia e përfaqësimit të tyre në Kuvendin e Kosovës.

Ju pëlqen ky artikull? Klikoni këtu dhe na bëni like në Facebook për më shumë artikuj të tillë.