00:00:00
23 Mar

Dëbimi i gjashtë shtetasve turq, sërish në qendër të vëmendjes

Në prag të njëvjetorit të dëbimit nga Kosova në Turqi të gjashtë shtetasve turq, sic pohohej mbështetësve të Fetullah Gulen-it, të njohur si njeriu që në vitet ’70-ta filloi projektin e krijimit të institucioneve private arsimore, dhe ish partnerit të ngushtë të kryetarit aktual të Turqisë, Recep Taip Erdogan, ka reaguar Ambasada Amerikanë në Prishtinë.

Nëpërmes një njoftimi për shtyp, Ambasada Amerikane i ftoi institucionet kosovare që të sigurojnë përgjegjësi të plotë për këdo që shkel ligjin dhe i kanë rikujtuar liderët e Kosovës që institucionet e sigurisë duhet të veprojnë vetëm brenda autoritetit kushtetues, në varësi të sundimit të ligjit.

Ambasada Amerikane ka reaguar në gjetjet e Komisionit parlamentar që ka hetuar rrethanat nën të cilat ishin dëbuar shtetasit turq nga Kosova, dhe kishte shprehur kënaqësinë që edhe përkundër tentimeve për pengimin e punës së tyre, kishte arritur të zbulojë shkelje të ligjit lidhur me këtë incident.

Gjetjet që cilat sugjerojnë në 31 shkelje ligjore ose procedurale nga ana e Agjencisë së Inteligjencës së Kosovës, Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe institucioneve tjera, ngrenë shqetësime rreth mashtrimit nga ana e agjencive kryesore të sigurisë, si dhe ndjeshmërinë e sektorit të sigurisë ndaj manipulimit politik, thuhet në këtë reagim.

Në njoftimin për shtyp po ashtu theksohet se këtu nuk ka të bëjë me fajësinë apo pafajësinë e individëve, por shmangie të qartë të proceseve ligjore të Kosovës nga ana e politikanëve të Kosovës. 

“Presioni politik në sektorin e sigurisë për të thyer ligjin e Kosovës është një shkelje skandaloze e vlerave demokratike. Ne nxisim për transparencë të plotë në sektorin e sigurisë dhe në drejtimin e punëve të jashtme, për të parandaluar ndërhyrjet e pavenda nga politikanët kosovarë në të ardhmen”, ka thënë Ambasada.

Këtë qëndrim të Ambasadës Amerikane e ka mbështetur edhe Ambassada Britanike në Prishtinë, e më pas edhe Ambasada e Gjermanisë, e cila ka theksuar se sundimi i ligjit është kyc dhe se Komisionit, që e ka hetuar këtë rast duhet mundësuar që publikisht t’i prezantojë rezultatet e hetimit të tyre.

Ndryshe, më 15 shkurt, kryetari i Komisionit Hetimor parlamentar, Xhelal Svecla, së bashku me nënkryetarin e kishte paraqitur padinë në Gjykatën Themelore në Prishtinë kundër Kryesisë së Kuvendit, i cili nuk ua vazhdoi mandatin, edhe pse këtë e kishin kërkuar në afatin legjitim dhe ligjor.

Haxhi Shala, anëtar i Komisionit Hetimor parlamentar nga Nisma Socialdemokrate kishte deklaruar për të përditshmen “Zëri” se reagimi i Ambasadës Amerikane ishte vonuar.

“Komisioni nuk e ka përfunduar punën e vet dhe nuk mund të vlerësohet se ka gjetur 31 shkelje, sepse nuk e ka përfunduar raportin dhe punën. Prandaj nuk mund të thirren tash nga Komisioni Hetimor se janë gjetur kaq shkelje”, ka thënë Shala.

Shefi i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca ka deklaruar për “Gazeta Express” se ky reagim i Ambasadës Amerikanë është brengosës meqë vërehen shkelje të mëdha gjatë dëbimit të shtetasve turq.

“Presidenti ka qenë mbrapa kësaj. Ka shumë gjetje të komisionit që tregojnë se presidenti duhet t’i sqarojë disa paqartësi në lidhje me involvimin e tij në këtë ngjarje. Ai as nuk ka shku me iu përgjigj komisionit. Shefin e AKI’së e ka bërë këshilltar të tij. Njeriun kryesor të pushtetit e ka zëvendësu me shefin e AKI’së”, deklaroi Konjufca.

Mirëpo, deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, anëtare e këtij Komisioni deklaroi në emisionin “Frontal” në televizionin T7, se ky Komision ishte i pasuksesshëm. Ajo pohon se vazhdimi i mandatit nuk është kërkuar në afatin ligjor, dhe i ka akuzuar anëtarit e komisionit nga radhët e opozitës se nuk kanë përvojë në punën e komisioneve.

Nga ana tjetër, kryetari i Komisionit Xhelal Sveqla, nga partia opozitare Lëvizje Vetëvendosje pohon se faji ishte tek anëtarët nga radhët e koalicionit qeverisës.

“Shantazhi me kuorum të punës së komisionit, ku deputetë të subjekteve qeverisëse, sa herë që nuk iu kanë pëlqyer rezultati i punës së komisionit, kanë lëshuar mbledhjen apo nuk kanë ardhur fare në mbledhjet e caktuara. Ne e kemi të qartë, raporti është i gatshëm, e gjitha çfarë është dashur të bëhet, ka qenë që ky raport të votohet, por votimi është pamundësuar për shkak të obstruksioneve të disa anëtarëve të komisionit”, tha deputeti Sveqla.

Anëtari i Komisionit nga Lidhja Demokratike e Kosoës, Driton Selmanaj ka thënë se të dhënat i kanë dorëzuar prokurorisë dhe se presin që ajo ta kryejë punën e vet.

“Vlerësimi jonë ka qenë që ka pasur rreth 31 shkelje, procedurale dhe madje edhe elemente të caktuara të veprës penale. Jemi të bindur që ka pasur vepra penale, një sërë veprash penale të kryera nga autoritetet shtetërore në këtë rast, dhe besojmë që Prokuroria e Shtetit do të arrijë që me të dhënat që ne i kemi ofruar, ta përfundojë punën e saj”, tha Selmanaj.

Me rastin e reagimit të Ambasadës Amerikanë është prononcuar edhe prokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Sylë Hoxha i cili për Radio Europa e Lirë deklaroi se hetimi lidhur me rastin e dëbimit të shtetasve turq, kishte filluar vitin e kaluar dhe se prokuroria po i mbledh të dhënat dhe se raporti i Komisionit parlamentar do të jetë pjesë e lëndës.

Ndryshe, pas incidentit të dëbimit të shtetasve turq pa procedura ligjore, janë shkarkuar nga funksioni shefi i Agjencisë Kosovare të Intelegjencës, Driton Gashi dhe ministri i Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj.

Kryeministri Ramush Haradinaj ka regauar përmes profilit të tij në Facebook, duke theksuar se ndricimi i së vërtetës, të përgjegjësve dhe shmangies ligjore do të ndihmonte në ndërtimin e demokracisë dhe në respektimin e të drejtave të njeriut. Ai ka rikujtuar se askush nuk është mbi ligjin dhe se asnjë institucion i Kosovës nuk do t’i shkel të drejtat univerzale të njeriut.

Hapat e ndërmarrë nga ekzekutivi janë garantues se në situata të ngjashme ne do të jemi të pakompromis në zbatimin e ligjeve të Kosovës. Pa asnjë paragjykim, sundimi i ligjit do të jetë rruga jonë e vetme”, ka shkruar Haradinaj.

Drejtori ekzekutiv i Institutit Kosovar të Drejtësisë (IKD) Ehat Miftaraj, konsideron se prokuroria shtetërore duhet në mënyrë të paanshme dhe me përgjegjësi të madhe t’i kryejë në mënyrë të drejtë kompetencat e veta.

“…për të gjithë qytetarët e Kosovës, por edhe për faktorin ndërkombëtar për të përçuar mesazhin se Kosova nuk i ka vetëm në letër, nuk i ka vetëm me Kushtetutë praktikat dhe standardet më të mira për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut por ato i zbaton në praktikë, por në rastin konkret Kosova ka dështuar ta bëj këtë”, deklaroi Miftaraj për Radio Europa e Lirë.

KosovaLive- Violeta Oroshi Berishaj

Ju pëlqen ky artikull? Klikoni këtu dhe na bëni like në Facebook për më shumë artikuj të tillë.