Chanel ndalon përdorimin e gëzofit dhe lëkurës së kafshëve

Chanel është pajtuar të ndalojë përdorimin e gëzofit dhe lëkurës ekzotike nga koleksionet e tij, duke thënë se dëshironte të ruante standardet e etikës pas presionit nga aktivistët për të drejtat e kafshëve.

Shtëpia franceze e modës e njohur ndërkombëtarisht njoftoi se do të ndalojë prodhimin e veshjeve dhe aksesorëve të bëra nga gëzofi i kafshëve si dhe nga lëkura si ajo e krokodilit, hardhucës dhe gjarpërit.

Një zëdhënëse e Chanel tha se vendimi u mor pjesërisht pasi që nuk është e mundur të sigurohen produkte të tilla që plotësojnë parimet e kompanisë.

Ajo tha se “Në Chanel, i rishikojmë vazhdimisht zinxhirët e furnizimit të sigurohemi se i plotësojnë pritjet tona të integritetit dhe gjurmueshmërisë. Në këtë kontekst, po bëhet shumë e vështirë të gjejmë lëkura ekzotike që i plotësojnë standardet tona etike”. Zëdhënësja konfirmoi se politikat e reja zbatohen edhe sa i përket gëzofit duke shtuar se ky vendim ofron “një mundësi për të krijuar një gjeneratë të re të produkteve cilësore”.

Ky veprim është mirëpritur si një fitore e kampanjës nga PETA, motoja e së cilës është pjesërisht se “kafshët nuk janë tonat për t’i veshur”.

Në sezonat e fundit, shumë marka kanë përdorur gëzof të rremë, ndërkohë që gëzofi origjinal po shihet gjithnjë e më shumë si i dalë mode.

Chanel i është bashkuar markave të tjera si ASOS, Nike, Nine West, Puma e shumë të tjera që veçse e kanë ndaluar përdorimin e lëkurës ekzotike.

Ju pëlqen ky artikull? Klikoni këtu dhe na bëni like në Facebook për më shumë artikuj të tillë.