Gjykuar sipas deklaratës së kancelarit austriak Sebastian Kurtz, i cili pas takimit me zyrtarët kosovarë shprehu skepticizëm se qytetarët e Kosovës do ta marrin liberalizimin e vizave deri në fund të këtij viti dhe insistimit të shefes së Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova se përfaqësuesit e Kosovës duhet të përmbahen dhe të mos flasin rreth datave për liberalizimin e vizave, ka pak mundësi që kjo dëshirë shumëvjeçare e Kosovës të realizohet sivjet.

Kosova deri më tash i ka përmbushur të gjitha 95 kriteret që i ka vendosur BE për liberalizimin e vizave, e analistët kosovarë rikujtojnë se ndërmjetësi në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel dhe përfaqësuesja speciale për Politikë të Jashtme e BE-së, Federica Mogherini vjet në Prishtinë kishte deklaruar se Kosova duhet t’i përmbushë dy kriteret e fundit – që kanë të bëjnë me luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe ratifikimit të marrëveshjes mbi demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

“Nëse Kuvendi i Kosovës e voton demarkacionin, ne Bashkimi Evropian, do të lëvizim shumë shpejt në procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën”, kishte deklaruar atëbotë Federica Mogherini.

Ekspertët për integrime evropiane, aktualisht nuk e përjashtojnë kthesën e mundshme tek anëtarët e Këshillit të Ministrave të BE-së, të cilët deri në fund të vitit, megjithatë do të mund të vendosin të shqyrtojnë mundësinë e dhënies së dritës së gjelbërt dhe që qytetarët e Kosovës të udhëtojnë në vendet e Zonës Schengen pa viza, por janë më shumë të prirur se kjo çështje do të shtyhet për vitin e ardhshëm.

Kështu, Demush Shasha, drejtor ekzekutiv i Institutit kosovar për Politika Evropiane, konsideron se Kosova e ka humbur momentumin pozitiv më 2016 për shkak të mosrespektimit të koncenzusit lidhur me demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, për ç’shkak “janë humbur” tre vjet, por ka theksuar se nëse çështja e liberalizimit vihet në tryezën evropiane më 2019, nga Kosova do të kërkohen rezultatet konkrete në fushën e sundimit të ligjit.

Për shkak të zhvillimit të këtillë lidhur me qarkullimin pa viza, por edhe pritjeve dhe premtimeve të mëdha, duket se më të dëshpëruar janë zyrtarët kosovarë. Kështu, kryeparlamentari, Kadri Veseli ka deklaruar se flitej se liberalizimi i vizave është çështje teknike, e tash po dëgjohen zëra se është edhe çështje politike, duke shtuar se nis nga kjo logjikë, del se Kosova qe 10 vjet është politikisht e izoluar.

 “E drejta na takon që në dhjetor të merret vendimmarrja e Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave, ndryshe, ky është qëndrimi im politik është racizëm, është racizëm i skajshëm”, tha Veseli.

Një qëndrim të tillë ka edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, i cili deklaroi se përgjigja në pyetjen kush është fajtor për mosliberalizimin eventual gjatë këtij viti, gjendet në Bruksel.

“Kemi pasur kritere më shumë se sa vendet tjera të rajonit, qoftë Shqipëria, Maqedonia, Bosnja Hercegovina, Mali i Zi dhe Serbia, por ne kemi pasur vullnet që ta përmbushim këtë udhërrëfyes me të gjitha kriteret dhe tash topi është tek BE-ja”, është shprehur Hoxhaj.

Dhe ndërkohë që kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj konsideron se nuk duhet dorëzuar dhe se do të punohet në drejtim që kjo çështje të mos shtyhet, kreytari i Kosovës, Hashim Thaçi, në dukje ftohtë e ka pranuar mundësinë që Këshilli i Ministrave të BE-së ta shtyejnë votimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës deri në fund të këtij viti, duke deklaruar se “…do të punojmë me shtetet anëtare të BE-së veç e veç që kjo të ndodhë në të ardhmen e afërt”, tha Thaçi.

Nga ana tjetër, deputetja e partisë opozitare, Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besa Gaxheri konsideron se BE nuk duhet t’i ndëshkojë qytretarët  për shkak të gabimeve të Qeverisë së Kosovës, e sidomos për shkak të mungesës së rezultateve pozitive në fushën e sundimit të ligjit, e njohësi i mirë i rrjedhave politike në Kosovë, Ramush Tahiri konsideron se fajësinë për shtyrjen e mundshme të liberalizimit të vizave e mbajnë institucionet e Kosovës.

“Përgjegjësia është e kuptueshme se u takon institucioneve të Kosovës sepse i kishin premtimet që i përdornin si për fushatë elektorale edhe i kishin të pabazuara dhe të pa koordinuara me institucionet e Bashkimi Evropian. Fundja çka i duhet Kosovës udhëheqësit nëse nuk flasin një zë me Evropën. Kosova as qytetarët e saj nuk kanë asnjë përfitim nga hedhja e fajit në BE edhe me faktin e të qenit kjo e vërtetë”, tha Tahiri për gazetën Blic.

Ndryshe, pas takimit të sotëm të Këshillit ministror për integrime evropiane të Kosovës, kryeministri, Ramush Haradinaj ka deklaruar se pas dhënies së dritës së gjelbërt nga Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian mbetet vetëm që edhe Këshilli i Ministrave të BE-së ta vë në rend ditë çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën, duke theksuar se asnjë shtet i BE-së nuk është kundër asaj që Kosovës t’i jepet liberalizimi i vizave, por se asnjëra nuk e ka si prioritet këtë çështje.

Një pjesë e mediave kosovare tash së vonë ka njoftuar se në takimin e fundit të vendeve anëtare të BE-së, të njohur si  CORPE, është konfirmuar se 12 apo 13 vende të BE-së nuk janë të gatshme që aktualisht ta mbështesin liberalizimin e vizave për Kosovën. Analistët kosovar, si shkak përmendin emigrimin potencial të kosovarëve të rinj në vendet e BE-së. Ata po ashtu rikujtojnë se zgjedhjet në Parlamentin Evropian në muajin maj të vitit të ardhshëm dhe kryesimi i BE-së  nga Rumania nga janari i vitit të ardhshëm, mund ta shtyjnë shqyrtimin e liberalizimit të vizave deri më vitin 2020.

KosovaLive – Violeta Oroshi Berishaj