Buxhet për “zhvillim ekonomik” apo “blerje të qetësisë sociale”

Vazhdon seanca parlamentare në të cilën deputetët e Kuvendit të Kosovës debatojnë rreth Projekt-ligjin e propozuar mbi buxhetin e Kosovës për vitin 2019. Deputetët e koalicionit qeverisës mbështesin këtë propozim të buxhetit, ndërkohë që deputetët e opozitës e kritikojnë.

Qeveria e Kosovës planifikon që shpenzimet buxhetore për vitin 2019 të rriten për 261 milionë respektivisht 12,5 për qind krahasuar më vitin 2018 dhe të jenë 2 miliardë e 365 milionë euro.

Ministri i financave, Bedri Hamza duke arsuetuar Projekt-buxhetin për vitin e ardhshëm, ka thënë se ky është prioriteti i qeverisë me synim përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe ekonomisë. Në këtë kontekst ai ka theksuar se ka planifikuar që rritja ekonomike më 2019 të jetë 4.7 për qind.

“Presim që më 2019, të hyrat për buxhet 1 milard e 949 milionë euro gjë që paraqet një rritje prej 7. 3 përqind në raport me vitin 2018 ose një rritje prej 123 milionë euro. Kjo rritje e projektuar pritet të vijë kryesisht nga të hyrat tatimore me një rritje prej 7.7 përqind, ndërsa, brenda të hyrave tatimore, tatimet direkte pritet të rriten 5 % ndërsa ato indirekte mbi 8 %”, deklaroi pos tjerash Hamza.

Ai po ashtu ka paralajmëruar investimet kapitale dhe shtimin e investimeve në infrastrukturë, shëndetësi, arsim, ekonomi dhe siguri.

Projekt-buxheti i propozuar për vitin 2019 është kritikuar nga deputetët e opozitës të cilën pohojnë se ai është i orientuar “në asfalte dhe kabinetin qeveritar, por jo në zhvillim ekonomik, investim në Trepçë apo edhe në Termocentralin ‘Kosova e Re’”.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku është shprehur se buxheti për vitin e ardhshëm është projektuar“për të blerë qetësinë sociale”.

“Buxheti është i vetmi mjet zhvillimor që qeveria e ka në dispozicion. Buxheti e devalvon në tërësi programin qeverisës. Puna e shtetit s’bëhet vetëm me imagjinatë, bëhet edhe me laps. Vitin e kaluar janë humbur 16 mijë vende pune. Ky është rezultati i modelit të tanishëm qeverisës”, tha ai.

Naser Osmani, po ashtu deputet i LDK-së ka propozuar që nga Ligji mbi Buxhetin e Kosovës të përjashtohet kategoria e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe që ata të paguhen nga një fond i posaçëm.

“Kam një propozim që të formohet një fond, jashtë buxhetor që Qeveria do të ndajë mjete në disa etapa që për atë fond ku bëhen të gjithë veteranët aksionar, të menaxhohet me një ligj dhe të rregullohet kjo çështje ashtu siç dëshirojnë ata apo ashtu siç e përcakton ligji, të mos them të menaxhohet siç menaxhohet Trusti pensional“, ka thënë ai.

Lideri Lëvizjes Vetëvendosje!, Albin Kurti ka theksuar se buxheti i propozuar është buxhet i shpenzimeve të qeverisë, e jo i zhvillimit socio-ekonomik.

“Është buxhet i shtimit të borxhit publik joproduktiv dhe i deficitit buxhetor e që do ta gërryejë edhe fondin e privatizimit. Numrat e buxhetit janë problematik sepse korniza makro ekonomike dhe makro fiskale është e gabueshme“, ka thënë ai.

Deputetët nga radhët e komuniteti rom, ashkali dhe egjiptas kanë insistuar që në linjën buxhetore të paraparë për infrastrukturë të përfshihet edhe rregullimi i rrugëve në vendbanimet ku jetojnë kryesisht pjesëtarët e këtyre komuniteteve e t’i lidhin vendbanimet e tyre me drerjtime tjera. Depuutetët e Lista Srpska nuk po marrin pjesë në seancat e Kuvendit, kështu që edhe në këtë nuk kanë pasur mundësi që t’i paraqesin vërejtjet e tyre eventuale.

Projekt-buxhetin e propozuar po e kritikojnë edhe shoqëria civile edhe ekspertët ekonomik.

Kështu, eksperti i rrjedhave ekonomike, Naim Gashi thotë se infrastuktura rrugore është e nevojshme për zhvillimin ekonomik, por jo që tërë buxheti të shpenzxohet për këtë sektor, duke shtuar se arsimi, shëndetësia dhe punësimi i të rinjve duhet të jenë prioritet në buxhetin për vitin 2019. Ai thekson se ka nevojë për investime më të mëdha në ndërmarrje të vogla e të mesme, sikur edhe në turizëm.

“Një problem tjetër është sektori i bujqësisë ku po investohen miliona euro dhe janë të mëdha dhe mjetet nuk po shkojnë tek bujqit,” konsideron ai.

Debati rreth propozimit të Projekt-buxhetit për vitin 2019 vazhdon.

Deputetët bëjnë me dije se një propozim i tillë i buxhetit nuk do të votohet, e afati i fundit për miratimin e tij është marsi i vitit të ardhshëm.

Analistët kosovarë nuk përjashtojnë mundësinë që nëse nuk merret parasysh pjesa e vërejtjeve të deputetëve të opozitës dhe nëse nuk intervenohet në Projekt-buxhetin, ose nëse nuk arrihet koncensusi mes deputetëve të pozitës dhe opozitës, kjo do të ishte arsye për largimin e Qeverisë aktuale dhe për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

KosovaLive – Violeta Oroshi Berishaj

Ju pëlqen ky artikull? Klikoni këtu dhe na bëni like në Facebook për më shumë artikuj të tillë.