00:00:00
23 Mar

Brukseli i gatshëm për vazhdimin e dialogut, por jo edhe palët

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimi Europian (BE), Federica Mogherini duke marrë pjesë në seancën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të Amerikës (OKB) ka përsëritur se Kosova duhet ta tërheq vendimin mbi taksën në importin e produkteve nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina (BeH) dhe ka shprehur qëndrimin se pastaj menjëherë do të thërriste raundin e ri të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

“Siç e dini, unë pesonalisht e lehtësoj dialogun. Por dialogu nuk më përket mua, Bashkimi Europian ose ndonjë prej nesh rreth kësaj tryeze, ajo takon dy palëve në dialog. U takon atyre të arrijnë një marrëveshje, e cila do të ishte pranueshme për të dyja palët. Në të njëjtën kohë një marrëveshje përfundimtare duhet të jetë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe do të duhej të mbështetet nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së”, tha Mogerini.

Qëndrimin e ndërmjetëses në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë e ka përkrahur deputetja e Parlamentit Europian, e cila ka deklaruar se Mogherini në fakt do që mandatin e saj të përfundojë më një histori pozitive. 

 “Unë kam shumë besim te Federica Mogherini. E di që dialogu midis Serbisë dhe Kosovës është shumë i rëndësishëm jo vetëm për të, por për gjithë BE-në. Bëhet fjalë për zgjerimin e Ballkanit Perëndimor”, tha Fajon.

Nga ana tjetër, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka kërkuar nga ndërmjetësja në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mogherini që mos ta lidhë vazhdimin e dialogut me vendimin rreth taksës në produktet serbe e boshnjake.

“Dialogu kishte dalë nga binarët shumë kohë para sa të vendosej taksa. Mungesa e transparencës, inkurajimi i propozimit për shkëmbim territoresh dhe dështimi i zbatimit të marrëveshjeve ekzistuese, këto janë arsyet. Dialogu mund dhe duhet të rikthehet pa u ndërlidhur me tarifën”, ka shkruar Haradinaj në llogarinë e tij në Twiter.

Reagoi edhe shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daćić i cili theksoi se deklarata e Mogherini-t se KS i OKB duhet ta verifikojë dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit, nuk do të thotë se do të ketë ndryshim të formatit të negociatave. Ai ka shtuar se nuk ka negociata dhe se Prishtina “platformën e saj mund ta varë në korridorin e parlamentit si gazetë e murit ose një njoftim të brendshëm”.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel është bllokuar që nga nëntori i vitit të kaluar, kur Qeveria e Kosovës vendosi taksa në importin e produkteve nga Serbia dhe BeH, dhe nga ky vendim nuk zbrapset përkundër presioneve të fuqishme të BE-së dhe partnerit strategjik, Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA).

Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës (IKD) konsideron se refuzimi i pezullimit të taksës doganore nga Qeveria e Kosovës ka si pasojë dëmtimin e raporteve të Kosovës me vendet që konsiderohen mike.

“Ne qëndrojmë para një fakti ku duhet të shohim se si të ruajmë interesin tonë si shtet në kuadër të procesit të dialogut (me Serbinë) si dhe në kuadër të këtij procesi të ruajmë edhe partneritetin tonë me miqtë tanë ndërkombëtar. Çdo veprim të cilin e bëjmë duhet ta zhvillojmë në bazë të një strategjie, për të cilën duhet vazhdimisht ta konsultojmë dhe të marrim mbështetjen e partnerëve tanë ndërkombëtar”, tha Krasniqi për Radio Europa e Lirë.

Nga ana tjetër, Jehona Lushaku Sadriu, politikologe dhe njohëse e mirë e integrimeve europiane, deklaroi se duhet bërë analizë dhe duhet parë çfarë aktivitetesh do të mund të kishte në të ardhmen.

“Në përgjithësi Kosova është duke humbur sepse kjo është një kërkesë shumë decidive e bashkësisë ndërkombëtare për ta pezulluar taksën. Mendoj se mungesa e alternativave nga ana e Kosovës i mbyll shumë shtigje sa u takon raporteve më bashkësinë ndërkombëtare edhe mendoj se duhet të gjendet një zgjidhje emergjente që kjo taksë të pezullohet për një kohë dhe të arrihet një marrëveshje”, tha Lushaku-Sadriu.

Qeveria e Kosovës, në ndërkohë, e ka themeluar ekipin për bisedime me Serbinë, e Kuvendi i Kosovës, me shumicë votash, e ka miratuar Ligjin dhe Platformën për Dialog, që para disa ditësh krerët e ekipit kosovar ia dorëzuan Zyres së ndërmjetëses Mogherini,.

Kryeministri Haradinaj gjatë ditës u takua me deputetët nga radhët e komunitetit turk, e në profilin e tij në Facebook theksoi se edhe pjesëtarët e komuniteteve joshumicë, pra edhe turqit, janë pjesë e pandashme e realitetit kosovar dhe se ata do të duhej të përfshiheshin në dialogun me Serbinë.

Sipas tij, fuqizimi i turqve të Kosovës në kontekst të dialogut me Serbinë ndikon në forcimin e pozicionit të vendit tonë si shoqëri e vlerave, siç janë shumëetniciteti dhe diversiteti kulturor.

Përfaqësuesit e shoqërisë civile theksojnë se ka mospajtime përbrenda koalicionit qeverisës rreth asaj se kryeministri Ramush Haradinaj refuzon që përkohësisht ta pezullojë taksën, me çka do të përmbushej kushti i Beogradit zyrtar për vazhdimin e dialogut në Bruksel.

Adri Nurelari, këshilltar i kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli në emisionin Info Magazin në televizionin Klan Kosova deklaroi se ky vendim rreth taksës është keqpërdorur dhe se është qesharak justifikimi i kryeministrit se me taksë mbrohet territori, duke shtuar se ai mbrohet në parlament.

Nga ana tjetër, zëvendëskryeministri nga Partia Demokratike e Kosovës, Enver Hoxhaj ka theksuar se nëse vendimi rreth taksës i vë në pikën zero raportet me SHBA-të, ai për shkak të përgjegjësisë do të jepte dorëheqje.

Hoxha deklaroi në televizionin Dukagjini se ky vendim tashmë i ka tronditur raportet mes Kosovës dhe SHBA-ve.

“Taksa e ka lënduar raportin tonë me Amerikën sepse Amerika është e interesuar të përfundojë shtet-ndërtimin e Kosovës. Ne nuk i kemi vënë taksë Amerikës. Kur presidenti amerikan i shkruan dy letra një shteti të vogël siç është Kosova, ne nuk do të duhej të diskutonim nëse taksa duhet të hiqet, apo jo. Kam frikë se nëse BE kushtëzon të ardhmen e Serbisë, kjo nuk do të bëhet në pafundësi”, ka thënë tutje Hoxhaj.

Ai ka thënë se Kosova duhet ta shfrytëzojë momentin historik të vëmendjes ndërkombëtare për arritjen e marrëveshjes përfundimtare me Serbinë.

KosovaLive – Violeta Oroshi Berishaj 

Ju pëlqen ky artikull? Klikoni këtu dhe na bëni like në Facebook për më shumë artikuj të tillë.