00:00:00
17 Jan

Brit Awards: Artistet femra dominojnë në nominime

Pasi fitoi çmimin “best female” vitin e kaluar, Dua Lipa kishte thënë se “Uroj të ketë më shumë gra në këto skena. Uroj që më shumë gra të fitojnë çmime dhe më shumë gra të pushtojnë botën”.

Një vit më vonë, duket se industria e muzikës ia ka vënë veshin pasi që artistet femra dominojnë në listën e shkurtër të ceremonisë së vitit 2019.

Dua Lipa është nominuar për katër çmime, përfshirë atë të “best single” për këngën “One Kiss” duke u barazuar kështu me yllin e popit Anne-Marie si artistja më e nominuar e vitit.

Për më tepër, është vetëm hera e dytë në historinë e Brit Awards që më shumë gra se burra janë kandidatë për çmimin më të rëndësishëm të mbrëmjes, atë të albumit të vitit.

Fitueses së mëhershme Florence + The Machine i bashkohen edhe Jorja Smith, Anne-Marie, këngëtari dhe tekstshkruesi George Ezra dhe pop grupi The 1975 që e kompleton listën e shkurtër.

Lista e shkurtër për “best female” do të ketë konkurencë më të fortë me shumë të nominuar si Jorja Smith, Anne-Marie, Jess Glynne dhe Florence + The Machine të cilave u bashkohet edhe Lily Allen, albumi i katërt i së cilës ishte një nga rikthimet më të befasishme dhe më të mirëpritura të vitit 2018.

Janelle Monae dhe Christine + The Queens, albumet e të cilave trajtuan tema të identitetit gjinor dhe politikave seksuale udhëheqin në një fushë të rëndësishme, atë për “best international female”.

Ceremonia e Brit Awards 2019 do të zhvillohet të mërkurën, më 20 shkurt.

Ju pëlqen ky artikull? Klikoni këtu dhe na bëni like në Facebook për më shumë artikuj të tillë.