00:00:00
17 Jan

Bashkimi Europian tenton ta “shkrijë” dialogun e “ngrirë”

Ndërmjetësja në dialogun e Brukselit, Federica Mogherini dje në kuadër të mbledhjes së tretë vjetore të Këshillit për Stabilizim dhe Asociim, është takuar me delegacionin e Kosovës, që e udhëhoqi kryeministri Ramush Haradinaj. Edhe pse pas këtij takimi ishte paralajmëruar konferenca e përbashkët për media, ajo është anuluar për shkak të “mungesës së kohës”, e nuk është dhënë as njoftimi i përbashkët për shtyp.

Sipas analistëve kosovarë, kjo ishte shënja e parë se kryeministri Haradinaj nuk ishte pajtuar me ofertën e Bashkimit Europian që në kuadër të Marrëveshjes CEFTA, në vend të UNMIK-ut, Kosova të përfaqësojë veten por me emërtimin Kosovo* (Kosova me yll) dhe se Qeveria në këmbim për këtë ta tërheq vendimin mbi vënien e taksës prej 100 për qind në produktet nga Serbia.

Siç njofton e përditshmja “Koha Ditore”, pos që kryeministri Haradinaj kritikoi BE-në meqë nuk e dha dritën e gjelbër për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës përkundër asaj se ishin plotësuar të gjitha kriteret, ai refuzoi tërheqjen e vendimit mbi vënien e taksës në produktet e Serbisë dhe paraqiti disa kërkesa. Një prej tyre ishte liberalizimi i vizave, pastaj një barazi e palëve në zhvillimin rajonal, meqë Kosova është shtet i pavarur, e ai kërkoi edhe që dialogu me Serbinë të vazhdojë, të jetë gjithëpërfshirës dhe që një të rol më të madh të kenë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Qeveria ka përgatitur një draft për këtë marrëveshje potenciale, njëkohësisht Parlamenti ka votuar një delegacion. Qeveria përkrah presidentin dhe delegacionin në përfaqësimin e Kosovës me një materie gjithëpërfshirëse, por s’mund të kemi kohë për të zgjidhur pjesshëm, për shembull tarifa. Nuk mund ta zgjidhim më pjesshëm, por me një marrëveshje që nënkupton njohje e ulëse në OKB”, ka theksuar Haradinaj.

Bashkimi Europian, nga ana tjetër, mbrëmë ka dhënë njoftimin në të cilin shpreh keqardhje për vënien e taksave në importin e mallrave nga Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina duke paraqitur qëndrimin se ato e dëmtojnë interesat ekonomike të Kosovës dhe qytetarëve të saj.

“Cilado pengesë në tregti duhet zgjidhur përmes mekanizmave përkatës me pjesëmarrjen konstruktive të të gjitha palëve të interesuara në frymën e bashkëpunimit rajonal dhe marrëdhënieve të mira ndërfqinjësore”, theksohet në këtë njoftim dhe pos tjerash shtohet se “angazhimi i vazhdueshëm i Kosovës” në dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit është jashtëzakonisht i rëndësishëm, dhe se marrëveshjet e arritura duhet të zbatohen në tërësi pa vonim, sidomos marrëveshja mbi Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.

Si njoftuan mediat kosovare, kryeministri Haradinaj mori një letër edhe nga përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogherini, komisionarja për Tregti, Cecilia Molstrom dhe komisioneri për Zgjerim, Johannes Hahn, në të cilin theksohet mbështetja e Rezolutës së miratuar në Kuvendin e Kosovës si një zhvillim i rëndësishëm që do t’i kontribuojë lehtësimit, shpejtimit dhe vazhdimit në mënyrë konstruktive të procesit, në kuadër të dialogut të nivelit të lartë. Në letër shprehet edhe mospajtimi me konstatimin e Haradinajt se dialogu po stagnon.

“Ne fuqimisht nuk pajtohemi me vlerësimin tuaj se dialogu po ngecë. Përkundrazi, dialogu i udhëhequr nga dy presidentët po shënonte dhe ka shënuar progres të qëndrueshëm. Ne e kemi ndarë këtë vlerësim me liderët e BE-së në Këshillin Evropian këtë dhjetor dhe kemi marrë mesazhe inkurajuese të përkrahjes”, theksohet në letër.

Në letër po ashtu theksohet se dialogu do të duhej vazhduar në formatin e deritashëm dhe në nivel kryetarësh.

Nga fundi i javës së kaluar, deputetët e Kuvendit miratuan Rezolutën me të cilën përcaktohet edhe ekipi negociatori i Qeverisë për dialogun përfundimtar me Serbinë, në Bruksel, e në krye të të cilit do të ishin kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj dhe ai i Partisë Socialdemokrate, Shpend Ahmeti. Me këtë Rezolutë parashihet edhe sjellja në afat prej një muaji e Ligjit i cili do të përbënte edhe rekomandimet e paraqitura në këtë dokument, por meqë Rezoluta nuk është ligjërisht e obligueshme, ka pak gjasa se Ligji do të aprovohet. 

Sidoqoftë, Dardan Moliqaj nga Partia Socialdemokrate e Kosovës dje deklaroi në televizonin T7 se nësë negociatat për Serbinë i udhëheq Vučić, vështirë është t’i ndalohet Thaçit të negociojë në emër të Kosovës.

Debati publik rreth negociatorit kryesor në dialogun më Serbinë, që po zgjatë me ditë të tëra, ka nxitur Qendrën Kosovare për Siguri që ta kryejë hulumtimin e opinionit publik “Dekonstruktimi i perceptimeve publike: Politika e Jashtme e Kosovës dhe Dialogu me Serbinë”. 

Sipas këtij hulumtimi del se vetëm 15 për qind të të anketuarve mbështet kryetarin e Kosovës, Hashim Thaçin në krye të dialogut me Serbinë, e në vendin e dytë është Albin Kurti me 11,15 për qind, ndërsa 17,7 për qind janë deklaruar se individët jopolitik do të ishin adekuat për udhëheqjen e dialogut me Serbinë.

Hashim Thaçin si negociator kosovar e kundërshtojnë edhe partitë opozitare – Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizje Vetëvendosje! me arsyetimin se sipas Kushtetutës procesi negociator me Serbinë duhet të udhëhiqet nga Qeveria dhe se Thaçi i ka tejkaluar kompetencat e kryetarit edhe pse në mandatin e tij është edhe politika e jashtme. Ato drejtojnë kritika veçanërisht të ashpra për plasimin e idesë për definimin e kufijve me Serbinë, duke e akuzuar për shkeljen e Kushtetutës së Kosovës.

Këtë ide e kundërshton edhe një pjesë e koalicionit qeverisës, përfshirë edhe vet kryeministrin, Ramush Haradinaj, meqë në fillim të mandatit të tij ia la udhëheqjen e dialogut Thaçit. Ekipi negociator i Qeverisë, i cili është koncipuar në Rezolutën e miratuar, sipas një pjese të analistëve kosovarë, është pos tjerash tentim që të minimizohen kritikat e deritashme të fuqishme adresuar Qeverisë dhe kryeministrit të Kosovës, e nga ana tjetër edhe në llogari të kryetarit të Kosovës.

Sidoqoftë, zyrtarja e lartë e BE-së dhe ndërmjetësja në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Federica Mogherini ka caktuar për nesër takimin në Bruksel me tre kryetarët dhe tre kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Sipas mediave kosovare, në Bruksel nesër do të udhëtojnë kryetarët e Kosovës, Serbisë dhe Malit të Zi, dhe kryeministrat e Shqipërisë, Maqedonisë dhe Bosnjë-Hercegovinës.

Siç pohohet, pritet diskutimi mbi uljen e tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë pas zhvillimeve të fundit.

KosovaLive – Violeta Oroshi Berishaj

Ju pëlqen ky artikull? Klikoni këtu dhe na bëni like në Facebook për më shumë artikuj të tillë.