00:00:00
22 Feb

Bafta e largon Bryan Singer nga nominimi pas akuzave për abuzim

Bafta e ka larguar Bryan Singer nga nominimet para ceremonisë së ndarjes së çmimeve që do të mbahet të dielën.

Singer, regjisori i filmit biografik Bohemian Rhapsody ishte nominuar krahas producentit të filmave Graham King dhe shkrimtarit Anthony McCarten në kategorinë e filmave të jashtëzakonshëm britanikë.

Në një deklaratë në faqen e Bafta, u tha se:

“Duke marrë parasysh akuzat shumë serioze të bëra së fundmi, Bafta e ka njoftuar Bryan Singer se nominimi i tij për Bohemian Rhapsody është pezulluar. Bafta e konsideron këtë sjellje tërësisht të papranueshme dhe të papërshtatshme me vlerat e saj. Kjo ka çuar deri te pezullimi i Singer. Bafta është e vetëdijshme për mohimin e akuzave nga Singer prandaj pezullimi i nominimit të tij do të vlejë derisa të zgjidhet rezultati i akuzave”.

Bafta konfirmoi se nominimet e tjera për “Bohemian Rhapsody” nuk ndryshojnë: filmi garon në shtatë kategori përfshirë atë të aktorit më të mirë me Rami Malek dhe kinematografisë më të mirë. Malek tha së fundmi se puna me Singer në film ishte “e pakëndshme”.

Singer u pushua nga “Bohemian Rhapsody” para se xhirimi të përfundonte dhe u zëvendësua nga Dexter Fletcher. Megjithatë Singer është regjisori i vetëm që merr meritat sipas rregullave të unionit. Singer i ka mohuar vazhdimisht akuzat dhe së fundi është raportuar se ai është angazhuar për të bërë regjinë e versionit të ri të filmit të vitit 1980 “Red Sonja”. Ai nuk ishte i pranishëm gjatë çmimeve Golden Globe ku “Bohemian Rhapsody” fitoi çmimin e filmit më të mirë dhe aktorit më të mirë por shkroi një postim falenderues në rrjete sociale i cili më pas u fshi.

Çmimet e filmit Bafta do të mbahen të dielën, më 10 shkurt.

Ju pëlqen ky artikull? Klikoni këtu dhe na bëni like në Facebook për më shumë artikuj të tillë.