Arrestohet në Kanada zyrtarja kryesore e financave të Huawei

Bija e themeluesit të gjigantit kinez të telekomunikacionit është arrestuar në Kanada dhe përballet me ekstradim në SHBA.

Meng Wanzhou, zyrtarja kryesore e financave të Huawei dhe zëvendëskryetarja, ishte arrestuar në Vancouver më 1 dhjetor.

Detajet e arrestimit nuk janë publikuar por SHBA-të kanë qenë duke e hetuar Huawei-n për mosrespektim të mundshëm të sanksioneve ndaj Iran-it.

Ambasada e Kinës në SHBA protestoi ndaj arrestimit dhe kërkoi lirimin e saj.

Huawei tha se kishte pak informata rreth akuzave dhe “nuk ishte në dijeni për ndonjë shkelje nga ana e Meng-ut”.

Arrestimi vjen në një kohë të ndjeshme për marrëdhëniet SHBA-Kinë. Shtetet janë përfshirë në një luftë tregtare që ka vazhduar me vënien e taksave  miliarda dollarëshe nga të dyja palët për produktet e njëra-tjetrës.

Arrestimi nuk do t`i ndihmojë armëpushimit 90 ditor të tarifave për të cilin shtetet u pajtuan në samitin G20 në Argjentinë.

Ministri i Drejtësisë së Kanadasë e ka konfirmuar datën dhe vendin e arrestimit të Meng-ut dhe shtoi: “Ajo kërkohet për ekstradim nga SHBA-të dhe një seancë dëgjimore është caktuar për të premten.”

Ai tha se nuk mund të thoshte më shumë meqë Meng ka kërkuar të mos publikohen detaje dhe kjo është urdhëruar nga gjykata.

Një zëdhënës i departamentit të drejtësisë së SHBA-ve në Distriktin Lindor të Nju Jork-ut – për të cilin Huawei tha se i ka ngritur akuzat – nuk pranoi të komentonte.

Arrestimi vjen në një kohë interesante kur disa shtete kanë filluar bojkotimin e pajisjeve për rrjet 5G nga Huawei.

Ju pëlqen ky artikull? Klikoni këtu dhe na bëni like në Facebook për më shumë artikuj të tillë.