Arrestohen të dyshuarit, për kanosjen e kryetarit të Kllokotit

Prokuroria Themelore në Gjilan, gjatë ditës së djeshme ka ndaluar të dyshuarit Sllobodan Jovanoviq dhe Zoran Jovanovic, për shkak të dyshimit se kanë kryer veprën penale ‘’Kanosje’’ nga neni 185 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Ekziston dyshimi i bazuar se, më 03 dhjetor 2018, në oborrin e kishës ortodokse, në fshatin Gërnqar, të dyshuarit kanë kanosur seriozisht me fjalë kryetarin e komunës së Kllokotit, Bozidar Dejanovic, në atë mënyrë që derisa ai kishte shkuar në kishë, i dyshuari Slobodan Jovanovic, në gjendje të dehur dhe në prezencë të policisë, fillimisht e fyen, pastaj edhe e kanos me fjalë se do ta mbys, me ç’rast aty ndërhyn edhe i dyshuari tjetër, i cili po ashtu e fyen dhe kërcënon me fjalë të dëmtuarin.

Të njëjtit kanë ndërmarrë këto veprime, me pretekst se i dëmtuari e kishte larguar nga puna dhe i kishte ndërprerë asistencën sociale të pandehurit Slobodan Jovanovic.

Gjithashtu, brenda afatit ligjor, me qëllim të sigurimit të të pandehurve në procedurë penale, ndaj tyre është ushtruar kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit dhe është nxjerrë aktvendim mbi fillimin e hetimeve, në Gjykatën kompentente në Gjilan.

Ju pëlqen ky artikull? Klikoni këtu dhe na bëni like në Facebook për më shumë artikuj të tillë.