A është e vërtetë se nuk ka asgjë për të rinjtë në Kosovë?

Shoku im Dustini, që e kam pasur shok të dhomës dhe shokun më të mirë në California, erdhi të vizitojë familjen time në Kosovë. Si nikoqir sipas traditave kosovare, i vizituam së bashku vendet e bukura të Kosovës.
Diçka që i bëri shumë përshtypje ishin kafetë e stërmbushura me njerëz të rinj gjatë ditëve të punës – dhe ai ishte shumë kurioz të kuptojë se pse ndodhte kështu. Kur i pyeste shokët e mi për arsyen, gati të gjithë i përgjigjeshin se nuk ka asgjë për ta këtu në Kosovë – nuk ka shanse punësimi – nuk ka asnjë mundësi – asgjë.
Ishte e vështirë për mua ta pranoj këtë të vërtetë dhe unë dëshiroja të mësoj më shumë se pse ishte kështu.
Shumë shpejt e kuptova se nuk është problemi që ne, këtu në Kosovë, i kemi këto sfida, por gabimi qëndron në faktin se ne po lejojmë që këto sfida të na mposhin, duke na shndërruar në viktima të rrethanave ku po jetojmë.
Si ta ndërrojmë këtë? Si mund ti shndërrojmë sfidat në mundësi për të mësuar dhe për tu ngritur përtej tyre? Për ta bërë këtë, le të mësojmë prej shembullit të Çlirim Sheremetit.

“Çdo gjë negative – presioni – sfidat – paraqesin mundësi për mua për tu ngritur” – ka thënë Kobe Bryant.

Mësimi i parë: Priju të rinjve

Çlirimi ka lindur si refugjat në vitin 1999 në Tiranë – pikërisht në fund të luftës në Kosovë. Prandaj edhe e ka emrin Çlirim.
Disa vite pas kthimit të prindërve të tij në Kosovë, ata vendosën të jetonin në Prishtinë për shkak të mundësive më të mëdha ekonomike. Kështu ai e kuptoi se sa përpjekje dhe punë të rëndë duhej bërë prindërit e tij për të siguruar një ardhmëri më të mirë për familjen.
Që në moshën 10 vjeçare, Çlirimi filloi të bënte punë vullnetare dhe të mësonte se si të bëhet qytetar aktiv dhe punëtor i palodhshëm.
Çlirimi tregon: “Gjatë tri viteve të punës vullnetare, unë qëndroja pas perdes, duke bërë kafe, duke i lëvizur karrigat, duke promovuar shfaqjet e ndryshme, por asnjëherë nuk dola para perdeve, aty ku ndodhnin gjërat.”
Edhe pse nuk ishte e lehtë ta bëjë këtë punë, ai qëndroi disa vite dhe ia doli mbanë.

Mësimi i dytë: Jepja vetes lejen për të krijuar ndryshimin

Duke u angazhuar me vullnetarizëm, Çlirimi e kuptoi shumë qartë se njerëzit që i udhëhiqnin këto projekte nuk kanë dhe aq aftësi të jashtëzakonshme – dhe ai vetë e ndjeu veten të aftë për krijuar dhe udhëhequr projekte vetanake. Ky ishte momenti kur mendja e tij u hap për të parë mundësitë që i ofroheshin. Ai e hodhi poshtë rolin e viktimës së rrethanave dhe vendosi të ndryshojë fatin e vet duke menduar ide dhe duke krijuar projekte vetanake. Në fillim ai u bë pjesë e organizatës The Young Ambassadors, që përbëhej prej nxënësve të shkollave të mesme. Kjo pastaj doli të jetë një mundësi e jashtëzakonshme për Çlirimin sepse aty pati rastin të bashkëveprojë me Bekim Selen, njeri me eksperiencë në këtë fushë, që ishte drejtor i kësaj organizate të rinjsh.

Mësimi i tretë: Gjeje Mentorin që i ka shkelur shtigjet

Çlirimi thotë: “Mentori im ishte një pjesë e rëndësishme e procesit nëpër të cilin kaloja, sepse ky ishte personi i parë që më udhëhoqi drejt ngritjes dhe përparimit tim”. Pasi u lidh me mentorin dhe punoi së bashku me të, ai filloi të mendojë më shumë ide dhe mundësi angazhimi.
Në fillim, projekt-propozimet me të cilat aplikonte për mbështetje, kishin ide dhe projekt të dobët, sepse aq dinte në atë kohë Çlirimi. Kjo rezultoi me mospërfillje, mosmbështetje dhe mosmirënjohje ndaj punës së tij. Megjithatë, ai nuk hoqi dorë dhe filloi t`i dërgonte e-maila kujtdo që ia merrte mendja se mund ti ndihmojë për të hapur mundësi për projektet e tij.

 

 

Mësimi i katërt: Mos u dorëzo – vazhdo me përpjekjet

Kur filloi të frikësohet se askush nuk po bregoset dhe se nuk duket se do të marrë mbështetje për projektet e tij, Çlirimi rastësisht ra në kontakt me dikë nga Ambasada e Finlandës që premtonte se mund të ishte mbështetje për përpjekjet dhe rrugëtimin e tij. Ai kërkoi prej tyre që ta pranojnë një vizitë nga Young Ambassadors në Ambasadën e Finlandës, për të treguar se çka janë duke punuar. Ata e pranuan dhe gjatë takimit Çlirimi i pyeti se a ekziston ndonjë organizatë ndërkombëtare finlandeze që është e interesuar për bashkëpunim në Kosovë. Ambasada u dërgoi disa e-maila organizatave të ndryshme dhe më në fund, njëra prej tyre u përgjigj – ishte 4-H Finland.
I entuziazmuar pas kësaj përgjigjeje pozitive, Çlirimi i kontaktoi ata për bashkëpunim dhe ata e thirrën atë që ta vizitojë Finlandën, për të mësuar më shumë për mundëstë dhe për të përcaktuar mënyrat e bashkëpunimit.

Qëllimet e organizatës ndërkombëtare 4-H Finland, me seli në SHBA janë fuçizimi i të rinjëve me aftësi udhëheqjeje për tërë jetën, ndërtimi i komunitetit dhe krijimi i ndikimit pozitiv. Duke mësuar dhe kuptuar më mirë progarmin e tyre, Çlirimi e kuptoi se kjo ishte mundësia që 4-H të vinte në Kosovë. Ai u kthye në Kosovë dhe me vendosmëri filloi të punojë që kjo vërtetë të ndodhte.

Mësimi i pestë: Krijo ekipin dhe puno

Puna e parë që Çlirimi bëri ishte të gjejë shokë dhe shoqe që meritojnë të bëhen pjesë e iniciativës. Atij iu kujtuan shokët dhe shoqet nga ditët e vullnetarizmit, që ishin shumë të pasionuar dhe të vendosur për të bërë ndryshimin në Kosovë. Ai i kontaktoi shumë prej tyre dhe pastaj krijoi ekipin prej pesë vetash që u bënë pjesë e 4-H në Kosovë. Menjëherë pas kësaj ata e filluan programin e parë jashtë-shkollor në Shkollën Model, ndërsa pas disa muajsh e themeluan klubin e dytë në shkollën Ismail Qemali, të dyja këto në Prishtinë. Shumë shpejt Çlirimi e kuptoi se pjesa më e lehtë e punës ishte hapja e klubit, por sfida e vërtetë ishte që angazhimi i rinjëve të jetë kuptimplotë. Së bashku me ekipin e tij e dizajnuan një kurrikulum të nivelit botëror, të cilin pastaj e përhapën edhe në shkolla tjera. Kjo iniciativë tashmë angazhon një personel prej rreth 30 vetash dhe puna nuk ka të ndalur.

Mësimi i gjashtë: Shiko në sfida si të ishin mundësi

 

Kur e pyet Çlirimin se “si është jeta e një të riu në Kosovë?”, ai përgjigjet se “unë e di se ka njerëz që do të më thonë se ka luajtur mendsh, por seriozisht mendoj se është më e lehtë të arrish sukses në Kosovë se në ndonjë vend të zhvilluar, si Gjermania ose SHBA. Po, në këto vende, sistemet e mbështetjes, treningjet, shkollat e të ngjashme, janë shumë më të avancuara, por interneti i plotëson këto zbrazëtira që i kemi ne këtu.”

Çlirimi është një shembull i shkëlqyeshëm i një të riu, që një sfidë e sheh si një mundësi. Nuk ka qenë fare e lehtë për të arritur deri këtu, por me qëndresë e përkushtim dhe me ndihmën e mentorëve dhe ekipit të tij, asgjë nuk ka qenë e pamundur në rrugëtimin e tij drejt suksesit. Kjo çasje është ajo që u nevojitet të rinjve tanë: të shohin sfidat jo si pengesë, por si mundësi për të ecur përpara.

A e kanë fëmijët/nxënësit/punëtorët tuaj këtë qasje?

PërTëMirën është fushatë për t`u dhënë qytetarëve frymëzimin, mjetet dhe komunitetin për të mos mbetur viktimë e rrethanave. Bashkoju grupit në Facebook këtu.

Mentor Dida

(Lekturoi: Liridona Berisha)

Ju pëlqen ky artikull? Klikoni këtu dhe na bëni like në Facebook për më shumë artikuj të tillë.