KosovaLive – Sipas raportit të fundit të Zyres për Shërbime Publike të Qeverisë së Kosovës nga viti 2016, 90 për qind të kërkesave për qasje apo shikim të dokumenteve publike, respektivisht në 2,169 kërkesa, përgjigja ndaj 2,050 gazetarëve dhe mediave ka qenë pozitive.

Megjithatë, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, në anketën në të cilën morën pjesë vetëm 50 gazetarë, ka arritur në përfundim se kërkesat e tyre për qasje në informatat apo dokumentet publike janë refuzuar në 78 për qind të rasteve.

Vehbi Kajtazi, kryeredaktori i medias online “Insajderi”, që merret me gazetari hulumtuese thotë se media e tij madje në 80 për qind të rasteve nuk i ka marrë informatat e kërkuara.

“Ka me dhjetra raste kur kemi kërkuar dokumentet publike të cilat nuk i kemi marrë. Institucionet e dijnë se gazetarët nuk kanë shumë kohë dhe energji të iniciojnë procedura dhe t’i padisin në gjyq, meqë këto mund të zgjasin pesë apo gjashtë vjet. Për këtë arsye ata i refuzojnë këto kërkesa dhe kështu çështja mbetet e hapur. Nuk është sikur në vendet e tjera kur me rastin a padisë se gazetarit rasti shqyrtohet në afat prej 24 apo 48 orë, sikur është rasti në Amerikë,” thotë Kajtazi.

Jeta Xharra, drejtoreshë e Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese për Kosovë – BIRN, thotë se Agjencia pë Mbrojtjen e të Dhënave duhet të quhet “Agjenci për mbrojtjen e kryeministrit dhe politikanëve nga publiku,” e zyrtari për lëshimin e dokumenteve publike “Zyrtar për mosqasje në dokumente publike.”

“Krejt çfarë bënë ai zyrtar është salto, fiskulturë, si mos t’i japë ato dokumente. Është interesant se si e kuptojnë punën e tyre zyrtarët për qasje në dokumente zyrtare. Kështu u kanë servirë punën shefat e tyre, kështu i terrorizojnë dhe bëjnë trysni dhe nën trysni ata për ne, për publikun, për gazetarët dhe qytetarët janë shndërruar në zyrtar për mosqasje në dokumente publike,” konsideron Xhara.

Mediat dhe gazetarët kryesisht kërkojnë qasje tek dokumentet e lidhura me mënyrën e shpenzimit të buxhetit të Kosovës, pastaj në vendime, kontrata, tenderë, investime kapitale, sikur edhe në subvencione.

Xharra thotë se problemi më i madh ende është marrja e informatave rreth përmbajtjes së kontratave dhe se hasin në rezistencë të pabesueshme kur kërkojnë qasje në faturat e parave të shpenzuara të zyrtarëve përmes kartelave kreditore shtetërore.

 “Kemi kërkuar faturat e shpenzimeve të kryeministrit dhe gjashtë zëvendës-kryeministrave më 2013, dhe të gjitha kryeministrave të radhës,” thotë Xhara.

Agjencia për mbrojtjen e të dhënave është përgjigjur negativisht me arsyetimin se kështu do të zbulohej dieta personale e kryeministrit, që nënkupton se përmes faturave mund të vërtetohet se çfarë ka ngrënë. Pra, ne përmes faturave mund të vërtetojmë se a ka ngrënë mish apo perime, diç dietale apo jodietale.

Rasti më eklatant është refuzimi i zbulimit të Marrëveshjes mbi shitjen e rrjetit elektroenergjetik të Kosovës, në kuadër të të cilit janë dhuruar hidorcentralet, e ende nuk ka qasje në Marrëveshjen për ndërtimin e autostradës me Behtel Enka-n, e disa gazetarë madje thonë se ekziston një nen që ndalon publikimin e dokumenteve, që nuk është në harmoni me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës.”

 “Nga shkurti i këtij viti po i kërkojmë faturat lidhur me shënimin e pavarësisë së Kosovës. Sot është 10 maji e ne ende nuk kemi marrë përgjigje, nuk i kemi siguruar dokumentet, nuk na i kanë dhënë dokumentet rreth shpenzimeve të shënimit, rerspektivisht për paratë e shpenzuara nga taksat e qytetarëve kosovar. Ata refuzojnë ta bëjnë këtë. Mendoj se shumë nga këto dokumente, në shumë raste kanë elemente të veprës penale dhe se zyrtarët do të duhej të ndiqeshin për shkak të vendimeve që i kanë marrë,” pohon Kajtazi.

Institucionet dhe agjencitë kosovare, sipas ligjeve të Kosovës janë të obliguara që në ueb faqet e tyre t’i publikojnë të gjitha marrëveshjet mbi tenderët, vendimet, dispozitat dhe dokumentet e tjera prej rëndësisë për publikun kosovar. Megjithatë, varësisht prej përmbajtjes së ndonjë Marrëveshjeje apo kontrateje, ky obligim nuk respektohet gjithnjë. Më së shpeshti nuk respektohet as afati ligjor prej 7 deri 15 ditësh brenda të cilit Agjencia për qasje në dokumente publike është e obliguar që gazetarëve t’u japë qasje në informatat e kërkuara. E si “shllag mbi tortë”, mediat dhe shoqëria civile tash së voni e kanë penguar tentimin për ndryshimin e Ligjit mbi qasjen në dokumente publike”

 “Iniciativa e fundit të cilën e kemi penguar me shumë aktivistë të shoqërisë civile është tendenca e Agjencisë për anti-korrupcion që të ndryshojë Ligjin dhe kështu t’i eliminojë të dhënat mbi paratë ‘cash’ që politikanët i deklarojnë në deklaratën mbi pronën e tyre. Agjencia ka thënë: ‘Le ta deklarojnë shtëpinë, tokën, por jo edhe paratë e gatshme’. Pra, ka tentuar të fshehë prej publikut paratë e gatshme. Ne kemi dëgjuar për këtë iniciativë dhe menjëherë kemi reaguar dhe kërkuar sqarim, jemi mobilizuar si shoqëri civile dhe në afat prej 24 orësh kemi marrë deklaratën e shefit të anti-korrupsionit i cili ka thënë e kemi kuptuar gabimisht,” thotë Xhara.

Pas padisë së paraqitur para pesë vjetëve, BIRN më në fund ka fituar kontestin gjyqësor me Agjencinë për qasje në dokumente publike, por qasjen në to vetëm një vit më vonë. Lëvizja “Fol” dhe Instituti GAP poashtu kanë fituar vendime të plotëfuqishme gjyqësore në favor të tyre, por vendimet ende nuk janë zbatuar.

Petrit Çollaku, hulumtues në Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës thotë se zgjidhja e vetme është që Ligji për qasjen mbi dokumentet publike, të zbatohet duke ndjekur procedurën. Gjegjësisht, nëse gazetarët nuk marrin përgjigje në një afat të caktuar, duhet t’i drejtohen Avokatit të Popullit, e pastaj edhe prokurorisë.

Mirëpo, Vehbi Kajtazi thotë se gazetarët nuk kanë gjithnjë kohë, energji e as mjete financiare që të përfshihen në procedura ligjore që në fund nuk premtojnë epilog pozitiv. Ai thotë se për shkak të aktualitetit të hulumtimeve shpesh janë detyruar që t’i publikojnë hulumtimet e tyre pa informatat e kërkuara, që rezulton me sulm verbal nga politikanët, e një pjesë e publikut që bie pre e kësaj propagande, krijon përshtypje se gazetarët në fakt janë agresivë.

 “Ende nuk është instaluar kultura e transparencës dhe komunikimit me media dhe publikun. Mungon llogaridhënia dhe mungon përgjegjësia për mosllogaridhënie. Së dyti, jam i mendimit se ata gjithmonë kanë diç për të fshehur,” thotë Kajtazi.

Kajtazi thotë se rrugëdalja nga kjo situatë është funksionimi i mirë i gjyqeve që do të duhej t’i shqyrtonin me prioritet paditë e gazetarëve me rastin e refuzimit të qasjes në dokumente publike, dhe se ato raste do të duhej të shqyrtoheshin në afat prej më së shumëti një-dy muaj, në mënyrë që institucionet të detyrohen t’i publikojnë ato dokumente.

 “Në momentin kur nuk i zbatojnë vendimet e gjyqit ata kryejnë vepër penale. E nëse një zyrtar do të ndiqej penalisht, ndonjëri do të dënohej me burg, ndonjë tjetër me dënim në të holla, ata do të disciplinoheshin dhe nuk do t’i fshihnin dokumentet, por do ta miratonin çdo kërkesë për informatë,” konsideron Kajtazi.

 Edhe pse Ligji për qasje në dokumente zyrtare i Kosovës është i mirë, Agjencia për qasje në dokumente të titlla nuk është institucion i pavarur. Shoqëria civile dhe mediat konsiderojnë se mu për këtë sistemi gjyqësor i Kosovës, si institucion i pavarur, do të duhej të disciplinonte institucionet përmes një zbatimi më efikas të drejtësisisë kur bëhet fjalë për jotransparencë dhe shkelje të së drejtës së publikut mbi informatën.