Zëdhënësit trasojnë rrugën e gjatë drejt informatave

Sa Druge Strane – gusht 2018 – Me të gjitha bezditë që e përcjellin pozitën e gazetarëve – nga presionet politike, të ekspozuarit kërcënimeve llojesh të ndryshme, mospajtimet esnafe dhe josolidariteti, deri te fakti se, rëndom, nuk janë të paguar sa duhet për punën e tyre, atyre punën ua vështirësojnë edhe institucionet duke mos u dhënë informatat e kërkuara.

Ndodh që gazetarët t’i marrin të dhënat nga institucionet dhe ndërmarrjet publike, por tepër vonë¸ kur storja e tyre ka humbur në aktualitet.

“Nëse keni kohë të mjaftueshme për t’i pritur informatat, në të shpeshtën edhe do t’i merrni. Problemi është se ne kemi afate, brenda të cilave duhet kryer teksti apo storja dhe atëherë, brenda një dite, është e pamundur të merren të gjitha informatat, nga të gjitha anët, në mënyrë që të keni rrëfimin komplet,” thotë gazetarja e Al Jazeera Balkans, Ljiljana Smiljanić.

Smiljanić thekson se ka institucione që informatat e kërkuara i dërgojnë vetëm pas afatit ligjor prej 15 ditësh, e ka të tilla, arkaike, që përgjigjet gazetarëve u dërgojnë me postë apo nëpërmjet fax-it.

Rekordi i saj personal në pritje të përgjigjes në pyetjen e shtruar ka qenë dy muaj.

“Dy muaj kam pritur përgjigjen e Komisionit për koncesione të RS, kur e përgatitja temën mbi ndarjen e koncesioneve për ndërtimin e hidrocentraleve të vogla… Gjatë atyre dy muajve rregullisht kam dërguar pyetje, gjithmonë i telefonoja edhe Komisionit për koncesione dhe Ministrisë së Industrisë, Energjetikës dhe Minierave, që është kompetente për këtë fushë”, thekson ajo.

Komisioni dhe Ministria ia gjuanin topin njëri-tjetrit, por Smiljanić nuk hiqte dorë, kështu që në një ngjarje ua „luajti lojën” edhe kryetarit të Komisionit dhe ministrit duke marrë pëlqimin e tyre për dërgimin e informatave të kërkuara.

“Rrallë ndonjë gazetar mund t‘i lejojë vetes komoditetin e aq shumë kohe e këmbënguljeje për t’iu përkushtuar një teme,” vlerëson gazetarja e Al Jazeera.

Bosnja e Hercegovina është ndër vendet e para në rajon me Ligjin mbi qasjen e lirë në informata. Ky ligj është lex specialis, që në praktikë do të thotë se zbatohet kurdo që bëhet fjalë për informata, dhe se përkufizimet e kësaj të drejte në qasje në informata janë të rregulluara vetëm në këtë ligj – dhe askund tjetër.

Në ligj ekziston edhe dispozita e zbatimit të detyrueshëm të procedurës së “hulumtimit në interesin publik“, që do të duhej të ishte garancë shtesë se autoritetet nuk mund të kufizojnë qasjen në disa informata, gjegjësisht se duhet t’i bëjnë publike informatat të cilat me këtë ligj janë të definuara si shumë konfidenciale, “në qoftë se kjo arsyetohet me interesin publik“.

Një gjë është ajo që shkruan në ligj e tjetër çfarë ndodh në praktikë. Hulumtimi i Qendrës për zhvillimin e mediave dhe analiza nga Sarajeva, i publikuar vitin e kaluar, ka treguar se mbi gjysma e institucioneve në Bosnjë e Hercegovinë, në të gjitha nivelet e pushtetit, nuk e respekton Ligjin për qasjen e lirë në informata.

Ratko Kovačević, shef i Repartit për komunikim dhe bashkëpunim të Drejtorisë për tatimin indirekt të BeH (UIO), e konsideron gjë shumë të rëndësishme që edhe gazetarët edhe qytetarët të vijnë tek informatat, që i posedojnë institucionet e caktuara.

“Ne jemi institucion i cili që nga fillimi është transparent, gjithnjë dalim edhe me gjera pozitive edhe me dofarë gjera negative që ndodhin… Më së miri është që informata të ofrohet në mënyrë transparente, meqë informata e vërtetë dhe transparente, gjithherë tregohet si më e mira”, thekson Kovačević.

Pos që institucionet në mënyra të ndryshme injorojnë zbatimin e Ligjit mbi qasjen e lirë në informata, njerëzit që janë në krye të atyre institucioneve shpesh kanë raport diskriminues ndaj gazetarëve të caktuar dhe shtëpive mediale. Ministrat dhe drejtorët e ndërmarrjeve dhe institucioneve publike, që në ato poste kanë ardhur sipas me vijë partiake, jorrallë i ndajnë gazetarët në të përshtatshëm e tëpapërshtatshëm.

BN televizioni tash së voni është vënë në “listën e zezë” të partisë në pushtet – Lidhjes së Socialdemokratëve të pavarur (SNSD) në Republika Srpska, ministrat dhe drejtorët e së cilës kanë marrë urdhër të prerë nga kreu i partisë që të mos komunikojnë me gazetarët e atij televizioni.

“Ka diskriminim. Institucionet nuk kanë qasje të njëjtë ndaj të gjitha mediave. Do t’ju rikujtoj se unë si gazetar i BN TV, por edhe të gjithë kolegët e mi, me siguri dy-tri vjet nuk kemi mundur të hyjmë në Pallatin e RS, edhe pse rregullisht e kemi dërguar shkresën, respektivisht kërkesën për akreditim. Ato akreditime nuk i kemi marrë. Kur kolegët e pyetën kryetarin – pse, ai bëri shaka, me gjasë iu duk qesharake, dhe tha se disa procedura zgjasin edhe nga njëzet vjet,” thotë gazetarja e BN TV, Danina Milaković.

Zëdhënësi i UIO të BeH Ratko Kovačević pohon se kjo Drejtori ka qasje të njëjtë ndaj të gjitha mediave dhe gazetarëve dhe se nuk ka absolutisht kurrfarë diskriminimi.

“Konsiderojmë se të gjithë gazetarët dhe të gjitha mediat duhet të marrin informatën që e kanë institucionet e caktuara, nuk bëjmë kurrfarë dallimi dhe, praktikisht, çdokush duhet të jetë i njëjtë”, thekson Kovačević.

Shumë shpesh vetë zëdhënësit e institucioneve publike u bëhen pengesë gazetarëve gjatë gjurmimit të tyre për informata të plota dhe relevante.

Gazetarja e Al Jazeera-s, Ljiljana Smiljanić thotë se në institucionet me seli në Banja Lluka ka zëdhënës që njëmend e kryejnë punën e tyre si duhet, që përpiqen që gazetarëve t’u japin përgjigjet në pyetjet e shtruara apo të merren vesh rreth deklaratave të zyrtarëve.

Nganjëherë, shton ajo, zëdhënësit ua “kalojnë” informatat jozyrtare, që kërkojnë konfirmim shtesë, por janë pikënisje për realizimin e një storjeje të mirë.

“Nga ana tjetër, ka më shumë të tillë që, fatkeqësisht, punën e tyre e kuptojnë krejtësisht ndryshe, që disi shikojnë që në çdo mënyrë të mundshme të pengojnë që informata nga institucioni për të cilin punojnë të arrijë deri tek gazetari,” thekson Smiljanić.

Sipas saj, krejtësisht është i gabueshëm “misioni” në të cilin zëdhënësit kinse mbrojnë eprorët e tyre nga gazetarët.

“Nuk kuptojnë që, në fakt, në momentin që gazetari pyet rreth ndonjë teme, është e qartë se posedon disa informata dhe fakte në bazë të të cilave mund ta realizojë storjen e tij“, vlerëson gazetarja e Al Jazeera-s.

Gazetarja e BN TV, Danina Milaković thotë se ka zëdhënës me të cilët ka bashkëpunim të mirë dhe të cilët raportin e tyre me gazetarët nuk e ndërtojnë sipas “uniformës” partiake që e mban shefi i tyre.

“Për fat të keq, ka më shumë të tillë që, në fakt janë të dëgjueshëm. Disa as që lajmërohen në telefon. Mendoj se kjo është e gabueshme, për më tepër kur ata kryesisht janë ish gazetarë. E kanë kryer atë punë, e dijnë sa vështirë është të arrihet deri te informata, e dijnë se si është puna në terren dhe me institucione të caktuara“, konstaton Milaković.

Ajo thekson sindromin e “amnezisë” tek shumica e zëdhënësve, që harrojnë ish profesionin e tyre me të arritur në poste të reja në institucionet publike.

“Me të hyrë në ndonjë institucion, e zënë ndonjë kolltuk të mirë, dhe është e qartë se harrojnë se si ishte të punohet në plus 30 dhe minus njëzet”, thotë Milaković.