Zbulohet pllaka memoriale e ushtarëve të KFOR-it, rënë gjatë shërbimit në Kosovë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, mori pjesë në ceremoninë e zbulimit të pllakës memoriale të ushtarëve të KFOR-it, të rënë gjatë shërbimit në Kosovë.

Me këtë rast, kryeministri Haradinaj tha se në këtë ditë të paqes kujtojmë dhe nderojmë burrat dhe gratë, ushtarët e NATO-s dhe KFOR-it, që sakrifikuan jetën e tyre në shërbim të paqes dhe sigurisë në Kosovë.

“Qeveria dhe populli i Kosovës iu është përjetë mirënjohës NATO-s dhe shteteve që kontribuojnë në KFOR. Ne jemi popull që shprehim falënderim, nuk harrojmë të kaluarën dhe duam të kemi një të ardhme të sigurt”, tha Haradinaj, duke shtuar se Kosova synon anëtarësimin në NATO, në organizatën e ushtrimit të paqes, për të ndihmuar jo vetëm vetën dhe rajonin, por kudo dhe këdo që ka nevojë.

Haradinaj theksoi gatishmërinë e Kosovës për të kontribuuar për sigurinë dhe paqen në botë, duke mirëpritur qëndrimin e NATO-s në Kosovë.

“Ky memorial është një simbol që Kosova ka vendosur për rrugën e vet në nderimin ndaj të rënëve. Liria është vlera jonë e përbashkët: e Kosovës dhe e aleatëve”, tha kryeministri Haradinaj.

Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrustem Berisha, tha se NATO që udhëhoqi operacionin për mbështetjen e paqes në Kosovë, operacion ky që ktheu shpresën për liri dhe siguri, `99 do të mbetet përjetësisht në historinë më të re të Kosovës, si dita e kthimit të shpresës.

Ndërkaq, zëvendës ndihmës asistenti i sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, John Manza, tha se KFOR-i vazhdon të jetë i suksesshëm në krijimin e një ambienti të qetë dhe të sigurt për lirinë e lëvizjes, për të gjithë ata që jetojnë në Kosovë.

“Ky monument do të mbetet një simbol për një kohë të gjatë për atë se çfarë kemi bërë gjatë këtyre viteve në Kosovë dhe të ndërtojmë një Kosovë të fortë, që synon drejt së ardhmes, e cila është integrimi euroatlantik”, tha zëvendës ndihmës asistenti i sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, John Manza.

Manza në emër të sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, falënderoi popullin e Kosovës për këtë iniciativë për ngritjen e këtij monumenti, mjaftë domethënës, në qendër të Prishtinës.

Në ceremoninë e zbulimit të pllakës memoriale të ushtarëve të KFOR-it, të rënë gjatë shërbimit në Kosovë, e cila u bë nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj dhe ndihmës asistenti i sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, John Manza, morën pjesë edhe ministri të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrustem Berisha, komandantit të forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjeneral Lejtnant, Rrahman Rama, komandantit të KFOR-it, gjeneral major, Salvatore Cuoci, drejtorit të NALT-it, gjeneral Ralf Hofman, ish-komandant të KFOR-it, nga Gjermania dhe Franca, ambasadorë të akredituar në Kosovë, Atashe të Mbrojtjes, familjarë të ushtarëve të NATO-së dhe të KFOR-it, që kanë humbur jetën në Kosovë, zëvendëskryeministra, ministra, zëvendësministra, deputetë dhe pjesëmarrës të shumtë.