KosovaLive360

Haki Ahmeti, 57-vjeçar, është një nga qytetarët e rrallë i cili ka vendin e punës të rregullt edhe pse ka mungesë të shikimit. Gjithsej 36 vite ai ofron shërbime si teknik i fizioterapisë në Spitalin e Përgjithshëm “Dr. Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë.

Kur, si një i ri 21 vjeçar, e i verbër kishte filluar punën, ishte ballafaquar me mosbesimin e pacientëve.

“Pacientët kanë ikur, janë frikësuar por shumë shpejt me kalimin e kohës e kanë pa edhe vetë që nuk është ashtu si kanë menduar. Tash kam pacienta të mjaftueshëm. Me shoqëri e kaloj jashtëzakonisht mirë, jam ndër punëtorët më të vjetër. Kemi respekt dhe kalojmë mirë”, thotë ai.

Ahmeti thotë se për shkollimin dhe aftësimin e tij për punën e fizioterapisë atëbotë ishte përkrahur nga shteti.

“Pas përfundimit të shkollës fillore në Prizren dhe shkollës së mesme për teknik të fizioterapisë në Beograd, pas një viti pauzë në qershor të vitit 1982, kam filluar të punoj në spitalin regjional të Mitrovicës, ku edhe jam sot e kësaj dite”, thotë ai.

Edhe pse nuk dihet numri i saktë i personave të verbër e me të meta në të pamur, në Shoqatën e të Verbërve të Kosovës janë të anëtarësuar rreth pesë mijë persona.

Të punësuar nga kjo kategori, nga ana tjetër, janë vetëm disa dhjetra. Në vitin e kaluar vetëm një person i verbër është punësuar dhe këtë në Kuvendin e Republikës së Kosovës, ndërkohë janë vetëm rreth 30 persona të verbër që aktualisht punojnë në Kosovë.

Sipas kryetarit të Shoqatës të Verbërve të Kosovës (SHVK), Bujar Kadriu shumica e të punësuarve punojnë si fizioterapeut, profesorë, teknologji të informacionit, Nga ana tjetër, ai thotë se institucionet nuk ofrojnë hapësirën për rritjen e numrit e të punësuarve të verbër.

“Institucionet apo personat që e kanë për obligim zbatimin e këtij Ligji, praktikisht nuk kanë arritur ende të kuptojnë rëndësinë e zbatimit të tij. Mendoj se kjo është një shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut dhe është një diskriminim total i kësaj kategorie”, thotë ai.

Ligji për personat e verbër përcakton mbrojtjen e tyre nga të gjitha llojet e shfrytëzimit, diskriminimit, abuzimit, fyerjes, talljes dhe janë të barabartë me qytetarët e tjerë, në bazë të standardeve ndërkombëtare.

Sipas Ligjit, këta persona mund të punësohen nëse i plotësojnë kriteret e caktuara, e për këtë  vendimin përfundimtar e ka komisioni mediko-social. Po ky komision përcakton edhe atë se kush prej tyre mund të gëzojë përfitimin material për shkak të verbërisë.

Pa marrë parasysh se a janë të punësuar apo, personat e verbër gëzojnë kompensim jo më pak se 100 euro në muaj nga buxheti i Kosovës.

Personat e verbër, ata të grupit të parë, me shoqëruesit e tyre marrin një shumë prej 250 euro, ndërsa personat e verbër, të grupit të dytë, pa shoqërues marrin 125 euro. Krahas kësaj shume nga buxheti, ata gëzojnë edhe beneficione të tjera: shfrytëzimin falas të trafikut urban, lirimin 50 % të biletës në trafikun ndërurban dhe lehtësira në pagesën e energjisë elektrike.

Ligji, ndërkaq, përcakton edhe disa beneficione për punëdhënësit e personave me aftësi të kufizuar, rrjedhimisht edhe për të verbërit.

Kadriu i SHVK-së shprehet shumë kritik ndaj zbatueshmërisë së Ligjit për personat e verbër, duke e quajtur “zero” sidomos nenin i cili i dedikohet punësimit të tyre.

Sipas tij, Fondi për aftësimin e personave me aftësi të kufizuara, që përfshinë edhe personat e verbër, e që parasheh punësimin e tyre “është vetëm teori, asgjë praktike nuk ka”, edhe pse “disa nga këta persona janë të gatshëm të jenë pjesë e tregut të punës.”

“Një pjesë e konsiderueshme e personave të verbër në Kosovë kanë përfunduar grada të ndryshme shkencore duke përfshirë master, tituj të ndryshëm akademikë”, shtoi ai.

Si një nga problemet Kadriu sheh edhe ngecjen në gjithëpërfshirjen e fëmijëve të verbër në shkollat e rregullta, pasi që mungojnë kuadro profesionale që njohin shkrimin e Braille-it.

“As Ministria e Arsimit nuk ka ndërtuar ende një mekanizëm të përshtatshëm, as qendra burimore në Pejë e cila ka një staf profesional nuk ka bërë diçka konkrete dhe konsideroj që këta fëmijë tash e tuje rrezikojnë që të kenë një arsimim të kënaqshëm për ta”, thotë ai.

Sipas Ligjit, Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë do të duhej t’u siguronte personave të verbër përdorimin e Alfabetit të Braille-it, shkrimin relievor, shkrimin me shkronja të zmadhuara dhe tekstet në teknikën akustike dhe digjitale.

Shkurtë Spanca

 

 

 

 

 

 

 

Të Rekomanduara