KosovaLive360

Disa të rinj prishtinas, kryesisht me ambicie për art, kulturë, modë e dizajn u përkushtuan me shumë energji drejt ringjalljes dhe kultivimit të traditës sonë kulturore përmes punimit të veshjeve, si artefakte.

Para dy vitesh, disa nxënës të Shkollës së Mesme “Xhevdet Doda” këtë ide ia paraqitën profesoreshës së gjuhës shqipe, Tolinda Gojani e cila që nga fëmijëria ishte marrë me punime tradicionale.

Në kuadër të shkollës, kjo ide u mbindërtua me themelimin e Klubit “Kultura Tradicionale”. Profesoresha thotë se për të pasur një projekt të tillë kishte dëshiruar një kohë të gjatë në mënyrë që të mësohet dhe promovohet më shumë kultura tradicionale.

“Dëshira ime ishte shumë e madhe që nxënësit ta njohin, ta sjellin letërsinë, interpretimin e letërsisë përmes artit ishte një ndër synimet e mia kryesore, por edhe kurrikula e re shkollore e lehtësoi këtë mundësi”, thotë Gojani.

Punimi i veshjeve tradicionale në shkollë ishte një sfidë më vete, sidomos në mungesë të fondeve dhe faktit se po krijonin veshje për herë të parë.

Dafina Aliu, nxënëse e klasës së 12 dhe anëtare e klubit, në fillim edhe pse jo aq optimiste se ky grup do të ketë sukses, thotë se përvoja ishte e pazëvendësueshme. Në mes tjerash ajo mësoi shumë për kulturën e popullit tonë, për simbolet dhe veshjet të cilat nuk kishin vetëm qëllim estetik, por pas tyre fshihej një domethënie shumë më e madhe.

“Gjithashtu ishte një rikujtim i historinë tonë por edhe se si populli shqiptar asnjëherë nuk e ka lënë jashtë apo anash rolin e gruas në shoqërinë tonë. Roli i saj ishte jo vetëm për kujdesin ndaj familjes por edhe në role shumë më të mëdha si në veshje apo luftë“, thotë Dafina.

Pesëdhjetë e katër anëtarë, sa ishin në fillim, arritën që për rreth dy javë, të realizojnë 13 veshje tradicionale. Disa nga këto veshje ishin: Princesha e Luleve-Jerina, personazhi i Gjergj Fishtës, veshjet arbëreshe, veshje të Shqipërisë së Mesme, veshja e Krajës, e Malësisë, etj.

Njëra ndër vajzat e klubit, Drande Sermaxhaj, nxënëse e klasës së 12, cila synon të studiojë mjekësi, thotë se puna në klub i dha njohuri për historinë dhe simbolet shqiptare. Njëra nga këto simbole ishte dyzotësia e cila ishte paraqitur për herë të parë tek Ilirët. Ajo gjithashtu përshkruan simbolin e shqiponjës e cila vjen që nga koha e ilirëve e deri në ditët e sotme.

“Janë dy lloje shqiponjash, njëra me ngjyrë ari dhe tjetra me ngjyrë argjendi. Figura tjetër është vallja e Rugovës, në këtë figurë dy burra vazhdojnë të kërcejnë anash dhe në mes janë vajzat të cilat pas çdo konflikti mes dy meshkujsh, janë ato që ndalin gjithçka”, thotë Drandja.

Përpos këtyre simboleve anëtaret e klubit përdorën edhe simbole të tjera. Drandja shton se përdoren edhe gaforrën, që vjen si simbol miniaturë, por ka vlerë të madhe mbrojtëse. E përpos gafores përdoren edhe simbolin e krijimit të botës, që prej një elementi vie elementi tjetër.

“Në fund është dielli një nga besimet më të rëndësishme Ilire, në formë trekëndëshi dhe në mes është një figurë rrumbullake, por që është me tipare ngjyrë ari dhe tregon se brenda gjithçkaje është dielli”, shton Sermaxhaj.

Anëtaret e klubit përpos punimit të veshjeve i dhanë rëndësi edhe tatuazheve në duart e meshkujve, por edhe të grave, me figura, që ishin vizatuara nga populli shqiptar në kohët e vjetra. Secili nga tatuazhet kishte pasur kuptime të ndryshme.

Disa nga këto tatuazhe ishin: kryqi me dy inicialet M dhe F te një vajzë, e cila kishte pasur dy meshkuj në jetën e saj; kryqi i fatit i paraqitur te brigjet e Bunës te luftëtarët më të mëdhenj, i cili iu drejtohet katër figurave të ndryshme që sjellin fat; gjethja e Dafinës, që nënat ua vizatonin vajzave të cilat do të martoheshin, si urim për ogur të mirë dhe martesë me begati.

Drande Sermaxhaj shpjegon edhe tatuazhe tjera siç ishte një rreth me një kryq, që simbolizon lindjen e një foshnjeje dhe fatin e saj ose dielli i bardhë madhor dhe hëna e zezë, dy nga figurat që paraqiten më së shumti në veshjet tradicionale.

“Një tatuazh tjetër i rëndësishëm ishte trekëndëshi i jetës, ku 6 cepat simbolizojnë jetën. Trekëndëshi i kthyer lartë simbolizon jetën, kurse ai i kthyer poshtë vdekjen. Në disa raste ky simbol tregon edhe ujin, zjarrin, dhe ajrin, si elemente kryesore të jetës”, shpjegon Drandja.

 Me punimet të cilat i realizuan klubi ”Kultura Tradicionale” morën pjesë në Panairin e Shkencës dhe Kulturës në kuadër të vetë shkollës, e më vonë këto punime i ekspozuan në Muzeun Kombëtar dhe në Ditën Ndërkombëtare të Muzeve.

Renea Begolli

Të Rekomanduara