KosovaLive360

Rrugëtimi në fushën e teknologjisë për vajzat e reja  po vazhdon të konsiderohet një sfidë e madhe në Kosovë. Sipas publikimeve nga Shoqata për Teknologji të Informacionit dhe të Komunikimit të Kosovës  gjatë vitit 2015, gratë përbëjnë vetëm 20% nga numri i përgjithshëm i të punësuarve në sektorin e teknologjisë së informacionit.

Vildane Kelmendi, drejtoreshë e Institutit të Arsimit të Lartë “Cacttus Education” tregon se edhe pse i japin përparësi inkuadrimit të vajzave në fushën e teknologjisë, përsëri vetem 10 % e studentëve të shkollës së tyre janë vajza.

“Synimi i ‘Cacttus Education’ është që në vazhdimësi të ofrohen programe të reja që u mundëson të rinjëve  shkathtësi dhe kompetenca të reja në fushën e teknologjise që aktualisht nuk janë të disponueshme në tregun e punës në Kosovë, dhe në këtë mënyrë të realizohet përputhja e kompetencave me kërkesën e tregut, duke kontribuar në rritjen e punësimit në vendin tonë. Numri i vajzave që shprehin interesim për studim ose trajnim në fushën e TIK-ut është çdo herë e në ngritje edhe pse përqindja e dhënë nga statistikat bën të  shihet dukshëm që mbizotëron gjinia mashkulloree Teknologjise”, thotë ajo.

Nga ana tjetër, Erolinda Shabani, studente e vitit të dytë në Universitetin e Prishtinës në Degën e Shkencave kompjuterike, tregon se studentët, sidomos vajzat, po shprehin shumë interesim në fushën e teknologjisë, në veçanti në programim dhe përgatitjen e aplikacioneve të ndryshme. Ajo pas ndjekjeve së trajnimeve nga  agjencia e konsultimeve “D&D Business SupportCenter” me qendër në Prishtinë, tregon se është duke shkruar projektin që do të ketë për qëllim të organizojë trajnime për gratë të cilat  kanë plan të hapin biznese të tyre dhe nuk dinë të përdorin kompjuterin. Pas kësaj, ato do të aftësohen që të përdorin rrjetet sociale për reklamimin e bizneseve të tyre online.

“Teknologjia ka qenë gjithmonë një fushë që mua më ka interesuar shumë që nga mosha e hershme. Matematika, ka qenë pasioni im më i madh. Duke e ditur faktin që në Kosovë ka mungesë të madhe të vajzave në fushën e teknologjisë kam vendosur që të nis këtë projekt i cili do t’i ndihmojë shumë gratë sidomos ato  në moshë të shtyer, të cilat kanë një biznes të tyre”, thotë ajo..

Blerta Thaçi, e cila ka përfunduar studimet në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike në Universitetin e Prishtinës tani është drejtoreshë e “Open Data Kosovo”, e themeluar më 2014 dhe themeluese e organizatës “Girls Coding Kosova”.

Në fillim të vitit 2018, revista Forbes ka nominuar Blertën në mesin e 30 personave nga vendet evropiane për kontributin e tyre në fushën e zhvillimit të ligjvënies dhe politikave publike për angazhimin e tyre social në ngritjen e transparencës qeverisëse dhe aktivizmit përmes shfrytëzimit të teknologjisë së informacionit.

“Organizata ka për qëllim ngritjen e kapaciteteve për rritjen e transparencës publike nëpërmjet shfrytëzimit të teknologjisë informative dhe sidomos edukimin e vazhdueshëm të të rinjve për shfrytëzim të teknologjisë. Ne vazhdimisht mundohemi që përmes trajnimeve të ndryshme pa pagesë të informojmë të rinjtë për mundësitë e punësimit  që ofrohen në fushën e teknologjisë dhe mundohemi që sado pak t’i përgatisim për tregun e punës’’, thotë Thaçi.

“Girls Coding Kosovo” synim ka rritjen e numrit të grave sipërmarrëse në fusha të reja duke përdorur kodimin dhe programimin dhe t’i inkurajojë ato të konsiderojnë programimin si profesion akademik.

Fllanza Avdimetaj, e cila punon si zhvilluese e aplikacioneve mobile në platformën Android në  kompaninë  teknologjike “Zombie Soup”, e cila e ka në fokus teknologjinë shëndetësore, inteligjencën artificiale dhe realitetin virtual, tregon se aktualisht janë të punësuara 11 vajza si inxhiniere softuerike.

“Një nga arsyet kryesore se pse numri i vajzave në këtë industri është kaq i vogël është mungesa e motivit dhe e edukimit të vajzave të reja të merren me një profesion të tillë. Duhet të inkurajojmë më shumë vajza të merren me tekonologji.  Një edukatë të tillë duhet ‘injektuar’ qysh në mësimet që shtjellojnë fëmijët në shkollat fillore. Ndoshta do të ishte edhe më ideale që të fillojmë të vendosim vajzat si heroina të lojërave kompjuterike ngase shpesh herë vajzat marrin ato si modele jetësore,” thotë ajo.

Por diç si duket po ndryshon edhe në pjesëmarrjen e grave në fushën e teknologjisë së informacionit edhe tek ne.

Liridona Demaj, sot asistente e marketingut në “Cacttus Education” tregon se 63% e të punësuarve të kësaj kompanie janë të gjinisë femërore dhe se aty është një ambient ku të jepet hapësira e mjaftueshme për të qenë kreativ dhe për të provuar gjëra të reja.

 “Unë jam bërë pjesë e Cacttus Education fillimisht si praktikante në mars të vitit 2017. Pas 3 muajsh si praktikante në fushën e marketingut, më është ofruar pozitë pune si asistente e marketingut. Përkrahja që vazhdimisht e kemi për ngritje profesionale, sidomos përmes trajnimeve, dhe vazhdimit të shkollimit është një plus shumë i madh për mua”, thotë Demaj.

Fatlinda Daku

Të Rekomanduara