KosovaLive360

Xhimi Begeja dhe familja e tij janë iniciues dhe organizator të projektit ‘Femra Shqiptare në Himalaya’  dhe kanë vlerësuar se Uta Ibrahimi është alpiniste e cila meriton përkrahje në këtë projekt.

Uta Ibrahimi sapo ka përfunduar ekspeditën dimërore 4 javore  në Himalaya, konkretisht në qendër-veri të Nepalit, në Luginën Ralwaling e cila është e njohur për mundësi të ndryshme alpine përgjatë gjithë vitit.

Ecja ka filluar në fshatin Jagat 1200 metër lartësi mbidetare dhe duke vazhduar për 7 ditë ecje nëpër fshatrat e thella të kësaj zone, deri në fshatin e fundit NA me lartësi mbidetare 4200 metër.

Lugina Ralwaling njihet si ndër zonat ku është zhvilluar Budizmi gjatë shekullit të 17 dhe në atë kohë ka qenë si zonë sekrete dhe vetëm në 30 vitet e fundit është e vizituar nga alpinistë nga gjithë bota.

Ekspedita alpine ka vazhduar më tutje nëpër kampe me lartësi të ndryshme mbidetare, kampi bazë 4900 metër, kampi i dytë 5400 dhe kampi i fundit në 5656 metër alt si dhe çdo ditë me aktivitete alpine në lartësi të ndryshme mbidetare me qëllim të përgatitjeve teknike – ngjitje në gurë (rock climbing), ngjitje në akull (ice climbing), ngjitje alpine e kombinuar, ngjitje në glaciera dhe trajnim në kravasa, përgatitje psiqike dhe aklimatizim, dhe si përfundim ngjitje në 3 maje të Himalayave, Yalung Peak 5700 metër lartësi mbidetare, Nurbu Peak 5800 metër lartësi mbidetare, ngjitje teknike e shkallës D+ dhe së fundi Ramdung Peak 5925 metër lartësi mbidetare, ngjitje alpine e shkallës PD.

“Përveq përmirësimit të teknikave alpine, kjo eksperiencë më ka bë familjare me kuptimin e vërtetë e një alpinisti, në një masiv me shumë maje rreth e rrotull, me temperatura të ulëta deri në -20, me rrezikshmëri në çdo hap dhe respekt për bjeshkët dhe natyrën. Këtë përjetim ta ofrojnë vetëm Himalayat”, ka thënë Ibrahimi.

Si fund, kjo ekspeditë është faza e parë e ekspeditës ‘Femra Shqipëtare në Himalaya’  e që ka për qëllim pushtimin e disa majave të tjera në Himalaya gjatë dy viteve të ardhshme si dhe zhvillimin dhe promovimin e alpinizmit shqiptar.

Në mars 2017 vazhdon faza e dytë e kësaj ekspedite me pushtimin e majës Sersung 6422 metër lartësi mbidetare, maje teknike e shkallës D+ e cila  nuk është pushtuar deri më tani ndonjëherë dhe kjo është ftesë që më është bërë pas përfundimit të këtij trajnimi 4 javor e që pjesëmarrës janë 5 ngjitës nga bota duke përfshi dhe guidën Nepalese.

“Po Më duhet me zemër me ju falënderuar publikisht Familjes Begeja për besimin që ma kanë dhënë në realizimin e këtij projekti madhor, anëtarët e Shoqatës Dajti Alpin Turistik dhe Shoqata Skarpa nga Prizreni”, ka përfunduar Ibrahimi.

Nuk ka qenë aspak e lehtë me kalu me sukses këtë ekspeditë, e aq më pak ekspeditat e ardhshme të marsit dhe majit 2017 e që do t’i publikojmë ditëve në vazhdim.

Të Rekomanduara