Ujërat nëntokësore dhe rëndësia e tyre

Ndotja e ujërave është problem global që po shfaqet si në vendet e zhvilluara edhe ato në zhvillim.

Me dy të tretat e siperfaqës së tokës mbuluar me ujë, është e qartë se uji paraqet një nga elementet kryesore përgjegjëse për jetën në tokë.

Kur bie shi, një pjesë e vogël e ujit shfrytëzohet menjëherë prej bimëve, ndërsa një sasi e madhe përfudon në lumenj e liqene. Por edhe më shumë ujë përfundon në tokë, ku depërton nëpër poret e tokës në brendinë e saj dhe bashkohet me ujërat nëntokësore.

Nga totali i ujit të freskët në botë, 30 përqind janë ujëra nëntokësore. Prej 70 përqindëshit tjetër, afro 69 janë të kapura nga bora malore dhe akullnajat, dhe vetëm 1 përqind mund të gjendet në lumenj e liqene.

Uji nëntokësor paraqet një të tretën e ujit të freskët që e konsumojnë njerëzit, por në disa vende të botës, kjo shifër mund të shkojë deri në 100 përqind.

Si burim natyror, ujërat nëntokësore kanë ndikim mjaft të theksuar në ekonominë e shtetit. Ato paraqesin burimin burimin kryesor për ujitje të tokave bujqësore si dhe për industrinë e ushqimit. 

Shikuar globalisht, ujitja konsumon më shumë se 70 përqind të ujit të freskët (sipërfaqësor dhe nëntokësor). Vlerësohet se ujërat nëntokësore mundësojnë rreth 43 përqind të ujitjes.

Ujëra nëntokësore gjendet pothuajse kudo dhe cilësia e tyre zakonisht është shumë e mirë. Duke u grumbulluar në shtresat nën sipërfaqe, ky ujë është i mbrojtur nga ndotja dhe arrin ta ruajë cilësinë.

Kur përdorim ujërat nëntokësore, është me rëndësi me gjetë baraspeshën mes përdorimit dhe rimbushjes së burimeve, si dhe me iu shmangë ndotjes.


 Gropë septike

Në Kosovë, një ndër problemet kryesore në fermat bujqësore është sistemi i derdhjes së ujërave të zeza. Shumë ferma përdorin gropat septike që nuk i përmbushin kushtet për operim të sigurtë. Ndotësit nga këto gropa rrjedhin nën tokë dhe e prishin cilësinë e ujërave nëntokësore.

Nitratet që përdoren si ushqim bimor janë prej ndotësve kryesorë. Në Bashkimin Evropian, 38 përqind e pellgjeve të ujërave janë dukshëm të prekur nga ndotja bujqësore. Këto probleme shfaqen edhe në Amerikë dhe në Kinë.

Blegtoria llogaritet se shfrytëzon 70 përqind të të gjithë tokës bujësore dhe 30 përqind të sipërfaqës së tokës, ndërkohë që kërkesa për produkte blegtoriale po rritet shpejt. Prodhimtaria po bëhet më intensive, që domethënë se ka shumë bagëti në sipërfaqe të vogël. Jashtëqitjet dhe mbeturinat në rritje të bagëtive po ndikojnë pashmangshëm në cilësinë e ujërave nëntokësore.

Referencat

 

  • International Groundwater Resources Assessment Center
  • Water pollution from agriculture: a global review – FAO
  • Soil and groundwater pollution from agricultural activities

 

Artikull nga Ben Dida, agronom, dhe konsulent në RECURA Agroqendër