“TOKA” organizon kampin “ndërkombëtar” për të përmirësuar shkollat publike në Kosovë

Më 7 gusht ka filluar kampi “Ndërkombëtar” me 40 të rinjë nga Amerika, Izraeli, Franca, Maqedonia dhe Kosova të cilët për një javë do të qëndrojnë në Qendrën Rekreative të Gërmisë duke punuar në realizimin e projekteve vullnetare përmes së cilave do të përmirësojnë shkollat publike në Kosovë. Të rinjtë pjesëmarrës në kamp, përmes aktiviteteve socializuese dhe edukative do të zhvillojnë shkathtësitë e tyre të punës me dru, komunikimit dhe bashkëpunimit. Ata do të vizitojnë vende të ndryshme të Kosovës, po ashtu do të kontribuojnë në komunitet duke ndërtuar ulëse për përmirësimin e oborrit të shkollës fillore “Dardania” në Pejë.

Kampi “Ndërkombëtar” organizohet nga Organizata Kosovare për Talent dhe Arsim – TOKA dhe ka për qëllim të zhvilloj te pjesëmarrësit kompetencat e parapara me Kornizën e re Kurrikulare të Kosovës, po ashtu synon që përmes vullnetarizmit edukativ të nxisë qytetarinë aktive tek të rinjtë.

Ky kamp financohet nga projekti Promovimi i Shoqërisë Demokratike (DSP) – i financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Ministria e Punëve të  Jashtme e Danimarkës (DANIDA) dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF). Kampi gjithashtu përkrahet nga organizata mjedisore WWF Adria dhe Komuna e Prishtinës.

Kampi do të vazhdojë deri me datën 14 gusht 2018.