KosovaLive360

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur sot Presidentin e Këshillit Evropian, Donald Tusk.

Presidenti Thaçi ka thënë se është kënaqësi e veçantë që ta kemi këtu presidentin Tusk, një mik të vendit tonë dhe një mbështetës të madh të zgjerimit të BE-së me shtetet e Ballkanit Perëndimor.

“Bashkimi Evropian dhe rajoni i Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë këtu edhe Kosovën, nuk kanë qenë kurrë më afër njëri-tjetrit se sot. Mirëpo, mendoj që të dy palët, pra BE-ja dhe shtetet e Ballkanit Perëndimor, e kanë kuptuar se bashkërisht mund të bëjmë shumë më shumë, që sa më shpejtë të realizojmë në praktikë atë që BE-ja e ka riaktualizuar në mënyrë të qartë përsëri, 15 vite nga Samiti i Selanikut, pra anëtarësimin e të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor në BE. Prandaj, unë në çdo rrethanë e konsideroj si të arritur që 15 vite më vonë, tani në Samitin e Sofjes, të gjitha shtetet anëtare të BE-së dhe të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, do të kenë mundësinë që përballë njëri-tjetrit të reflektojmë për arritjet e shumta që janë bërë në rrugëtimin tonë të përbashkët, por padyshim edhe për sfidat e procesit”, u shpreh presidenti Thaçi.

Kreu i shtetit ka thënë se pret që ky të jetë një moment që do të nxisë edhe një reflektim për rëndësinë strategjike të integrimit tonë.

“Ajo që është e qartë është se Kosova ka një nevojë urgjente për të përshpejtuar hapat e saj drejt anëtarësimit në BE. Kosova është e bekuar, sepse reflekton një mbështetje qytetare absolute ndaj BE-së dhe vlerave të saj. Mirëpo, Kosova ka nevojë për konkretizim të perspektivës së vet evropiane dhe ambicia e jonë minimale është që në një periudhë sa më të shkurtër, të marrim statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE”, ka thënë ai.

Presidenti Thaçi theksoi se me presidentin Tusk u pajtuan se është krijuar një momentum pozitiv dhe që ka shumë gjëra që mund t’i bëjmë së bashku, por natyrisht se duhet të tejkalohen pengesat politike.

“Ne folëm edhe për përkushtimin tonë për procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Ky përkushtim nënkupton zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani, por edhe lëvizjen drejt një marrëveshjeje përfundimtare të obligueshme ligjërisht, që do të mundësojë njohje reciproke dhe integrimin në BE”, shtoi presidenti Thaçi.

Ai theksoi se Kosova mbetet e interesuar jo vetëm të vazhdojë dialogun me Serbinë, por edhe ta kthejë atë në një proces të mirëfilltë të pajtimit dhe të ndërtimit të paqes së qëndrueshme në rajon.

Presidenti Thaçi ka thënë se me presidentin Tusk kanë diskutuar edhe për çështjen më urgjente në rrugën tonë evropiane, për liberalizimin e vizave.

Në anën tjetër, presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, ka thënë se Bashkimi Evropian është dhe do të vazhdojë të jetë partneri më i besueshëm i mbarë rajonit.

Ai ka thënë se BE-ja në Samitin e Sofjes duhet të riafirmojë mbështetjen e saj të qartë për perspektivën evropiane të rajonit dhe të mirëpres përcaktimin strategjik dhe angazhimin e përbashkët të partnerëve të saj në Ballkanin Perëndimor ndaj parimeve, vlerave dhe unitetit evropian.

Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, ka thënë se në Bruksel dhe në kryeqytetet evropiane i vlerësojnë arritjet e Kosovës dhe ato mund të jenë model edhe për fqinjët tanë.

Presidenti Thaçi e ka njoftuar presidentin Tusk edhe me punën që është bërë për përmbushjen e të gjitha kushteve që i ka vënë BE-ja dhe ka kërkuar edhe një herë mbështetjen dhe përshpejtimin e procesit e vendimmarrjes që do të kalojë edhe në Këshillin e BE-së.

Të Rekomanduara