KosovaLive360

Ajo që e dallon fshatin Lybeniq të komunës së Pejës, me rreth 970 banorë, është se çdo vizitor menjëherë në hyrjen e fshatit, përballet me historinë e afërt të banorëve të tij.

Banorët e këtij fshati kanë përjetuar dy masakra nga forcat serbe gati dy dekada më parë.

Më 25 maj të vitit 1998, forcat policore dhe ushtarake serbe masakruan nëntë banorë të fshatit, ndërkohë që më 1 prill 1999, forcat paramilitare serbe masakruan 71 banorë të tjerë.

Në mesin e viktimave pati pleq, fëmijë dhe disa gra, ndërkohë që shumica e grave të mbijetuara, afër 40 sosh, ka mbetur pa burra.

Një fat të tillë e patën motrat Miradia dhe Nexhmija, të martuara për vëllëzërit Hamzaj në Lybeniq, të cilat mbetën pa bashkëshortët e tyre pas masakrës së 1 prillit të vitit 1999. Motrat e veja ende jetojnë në shtëpinë e burrave, ku kanë rritur tetë fëmijë.

Miradia i kujton momentet më të vështira në jetë.

“Ka qenë aq e vështirë sa nuk thuhet. Së pari të pajtohem me humbjen e burrave dhe tjetra që gjithë barra kishte rënë mbi ne. Fëmijët ishin të vegjël për të kuptuar çka ka ndodhur. Përveç ndihmave që na jepnin, nuk kishim të ardhura, e tetë fëmijët duhej ushqyer”, thotë ajo.

Motra e saj Nexhmija nuk flet shumë.

“Jam mësuar të hesht e të vuaj përbrenda për shkak të tre fëmijëve të mi dhe kujtimit të burrit tim. Deshëm që të mos i lëmë fëmijët pa dy prindërit”, tregon shkurt ajo.

Nezir Jahmurataj, përfaqësuesi i Lybeniqit, thotë se edhe pse ky fshat përjetoi tmerrin, “gratë janë krenaria” e tij.

“Secila familje në Lybeniq ka nga një apo më shumë fotografi të varuara në mur. Foto fëmijësh, nënash e veçmas baballarësh (burrash) të vrarë nga serbët në prill dhe në maj të vitit 1998-1999. Mungojnë 80 jetë”, thotë ai.

Një nga ta ishte edhe burri i Rukije Bobit. Edhe pas 18 vitesh ajo ende flet me dhembje për humbjen e bashkëshortit.

“Burri më ka lënë me 6 fëmijët. Fëmija më i madh ishte (vajza) 11 vjeçare dhe më i vogli vetëm tre vjeçar. Fëmija po u rritshin, por kjo nuk e pakëson vuajtjen time. Fëmijët e mi janë ende ‘me vaj në buzë’ se nuk kanë arritur të shkollohen. Për t’i mbajtur fëmijët më kanë ndihmuar të afërmit dhe organizatat humanitare”, thotë Bobi.

Ajo thotë se vuajtja është thelluar me kalimin e viteve dhe ka qenë një pengesë të mendojë të ardhmen e saj.

“Nuk kam mundur as të mendoj për martesën e re. Gjithçka për mua ishin këta fëmijë.  Kam qenë e frikësuar se nuk do të mund t’u siguroj mirëqenien”, rrëfen ajo.

Mejreme Hamzaj ka rritur e vetme katër fëmijë. Eshtrat e burrit i ka gjetur vetëm pesë vite pas luftës.

“Kam filluar jetën nga zero, pa më ndihmuar njeri. Burri im ka qenë fëmija i vetëm i familjes. Sado që më kanë ofruar të shkoj në shtete tjera, nuk kam mundur.  Më dukej se ai po më sheh kur kaloj rrugëve të katundit, ku gjenden varrezat dhe fotografia e tij në mesin e shumë të tjerave”, tregon ajo.

Mejremja thotë se të jesh grua pa burrë dhe kryefamijare në moshën 35 vjeçare, e mbi të gjitha në mentalitet fshati, ka qenë shumë e vështirë. Ajo është detyruar të marrë disa vendime të ngutshme që t’i kundërvihej paragjykimeve eventuale.

“Kam martuar vajzën në moshën 17 vjeçare që ta mbroj nga thanshethemet e pabaza. Sot më bren ky fakt, ia kam marrë rininë me këtë vendim. Ajo është 34 vjeçare, ka tre fëmijëve dhe jeton larg meje, në Zvicër”, thotë Mejremja.

Fitore Shala, sociologe nga Deçani, thotë se është në natyrën e grave shqiptare të qëndrojnë të forta përballë sfidave që i ka pasur familja.

Këto gra kanë virtyte të larta njerëzore. Së pari u kanë qëndruar besnike atyre burrave dhe e kanë ditur se janë shtylla kryesore e familjes. Edhe pse këto janë përballur me shumë sfida, qoftë ekonomike ose psiqike për rritjen e fëmijëve, prapë ia kanë dalë”, tha Shala.

Brikenë Bunjaku, psikologe në qendrën psikoterapeutike “Labyrinth” në Prishtinë, thotë se në tërë këtë mund të gjindet një anë pozitive sepse këto gra edhe shoqëria i sheh ndryshe.

“Është privilegj të rrisësh fëmijët e dëshmorëve”.

Sipas psikologes Bunjaku, këto gra luftojnë me depresionin dhe kujdesen më pak për veten pasi që si objektiv kanë mirëqenien e fëmijëve.

“Pasoja më e rëndomtë është depresioni dhe simptomet e sëmundjeve të ndryshme fizike. Nuk kanë energji të kujdesen për veten. Por, këto gra kanë një shtytës të brendshëm që i bën të mos e humbasin forcën – fëmijët. Janë ata që i motivojnë ato të qëndrojnë të forta”, tha Bunjaku.

Ajo shpjegon se për të siguruar jetesën e fëmijëve të tyre u duhet të kalojnë shumë pengesa si gjetja e punës, por ekspozimi ndaj situatave të tilla i bën ato më të qëndrueshme moralisht.

Sa i përket tejkalimit të vuajtjes, sipas Bunjakut rrethi dhe fëmijët janë faktorët kyç që ndikojnë në tejkalimin ose jo të kësaj gjendjeje.

“Vuajtja tek disa thellohet edhe më shumë sepse rrethi është i tillë që ua imponon të ruajnë kujtimin për burrat e tyre dhe t’u përkushtohen vetëm fëmijëve. Por, ka edhe të tilla që kanë fuqinë e brendshme për ta tejkaluar këtë situatë. Rrethi dhe fëmijët i motivojnë për të ecur përpara”, thotë psikologia.

A.A. studente e ekonomisë  në Prishtinë ka përjetuar një situatë të tillë në familje dhe është marrë për një kohë të gjatë me studimin e kësaj çështje.

“Edhe po të donin të martoheshin është mentaliteti i tillë… Vështirë se do t’i merrnin gratë me fëmijë. Pastaj, nuk kanë pasur nga t’ia mbajnë, se gratë nuk kanë trashëguar atëherë. Nuk kanë dashur të bëhen barrë e vëllëzërve të tyre dhe donin të mos shkelnin nderin e familjes. Ka qenë detyrë e rëndësishme dhe e vetme për to  – rritja dhe mirëqënia e fëmijëve”, tha ajo.

Fjolla Hajrizaj

Të Rekomanduara