KosovaLive360

Fitim Krasniqi, student në vitin e fundit në Fakultetin Teknik, Dega e Komunikacionit, në Universitetin e Prishtinës, jeton në Mitrovicë dhe punon për organizatën daneze “Danish Refugee Council”. Edhe pse komuniteti i tij ashkali ka shumë probleme, sipas tij gjërat po “përmirësohen”.

“Shumë të rinj janë duke u edukuar në nivele të ndryshme të arsimit në Kosovë, janë të kyçyr në pozita të ndryshme të punës dhe gjithashtu janë shumë aktiv me OJQ dhe aktivitete të ndryshme avokuese,” ka pohuar Krasniqi për KosovaLive.

Sipas regjistrimit të popullsisë të vitit 2011, në Kosovë jetojnë 35,784 romë, ashkalinj dhe egjiptas.

Lorenta Kadriu, drejtoreshë në organizatën joqeveritare “Raise your hand for help” me seli në  Fushë Kosovë, tregon se kushtet në  të cilat jetojnë këto komunitete janë të rënda, përfshirë edhe probleme në arsimim dhe punësim.

“Një prej sfidave më të mëdha vazhdon të jetë komunikimi mes komuniteteve në Kosovë. Mungesa e këtij komunikimi vërehet më së shumti tek të rinjtë të cilët dinë shumë pak për njëri-tjetrin. Ata jetojnë me paragjykime dhe stereotipe të formuara nga shoqëria”, potencoi Kadriu.

Kjo organizatë gjatë verës së kaluar ka kryer hulumtimin “Paragjykimet e ndërsjella mes shqiptarëve dhe komuniteteve romë, ashkali dhe egjiptian”, ku morën pjesë 600 të anketuar, 300 shqiptarë dhe 300 të komuniteteve romë, ashkali dhe egjiptian.

Sipas gjetjeve të hulumtimit, kontaktet e ndërsjella mes shqiptarëve dhe komuniteteve janë të rralla.

Në pyetjen se “a ke marrë pjesë në ndonjë aktivitet të përbashkët”, 45 % të anketuarve shqiptar dhe 53% të  komunitetit rom janë  përgjigjur negativisht. Ndërsa, vetëm 28% shqiptarë dhe 15% pjesëtarë të këtyre tre komuniteteve kanë marrë pjesë disa herë në aktivitete të përbashkëta.

Donjeta Jashari, sociologe nga Prishtina, e cila ka marrë pjesë në këtë hulumtim, tregon që edhe statusi social, bashkë me shumë faktorë, të tjerë luan një rol tejet të rëndësishëm.

“Komunitetet rom, ashkali dhe egjiptas paragjykohen për shkak të dukjes dhe statusit të tyre social dhe jo vetëm për shkak të mungesës së kontakteve apo paragjykimeve të rrënjosura thellë. Në një shoqëri ku pasuria ekonomike shihet si vlerë e cila duhet synuar gjithsesi, të qenurit pjesë e një komuniteti të varfër shihet si një normë e pranuar për paragjykim’’, thotë ajo.

Sipas hulumtimit të njëjtë nga OJQ “Raise your hand for help”, 44%  e të anketuarve mendojnë  se komunitetet “paragjykohen shumë” dhe 16 % prej tyre mendojnë se “nuk paragjykohen shumë.”

Në qershor të këtij viti Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë ka formuar një grup të të rinjëve me etnicitete të ndryshme “UN Youth Task Force”.

Jana Minochkina, administratore për të rinjtë dhe zyrtare politike në Misioni i UN-it në Kosovë, tregon se ky grup i përbërë nga 24 të rinj ka lindur si një nevojë për bashkëpunim edhe më të madh mes të rinjëve.

“Së bashku me ’UN Youth Task Force’ kemi organizuar Asamblenë e parë për të rinjtë e Kosovës ku përmes kësaj kanë marrë pjesë 140 të rinj nga komunitete të ndryshme për të zhvilluar disa rekomandime që do t’i dërgohen institucioneve të Kosovës, organizatave ndërkombëtare dhe vetë UN-it gjithashtu. Këto rekomandime i paraqesin problemet që të rinjtë e Kosovës i hasin në jetën e tyre të përditshme”, thotë Minochkina.

Ky grup, në dhjetor të këtij viti, i ka adresuar 50 rekomandime Ministrisë së Rinisë, Kulturës dhe Sportit, ku dy kërkesat më të rëndësishme janë në lidhje me edukim joformal mbi largimin e gjuhës së urrejtjes në mes të komuniteteve dhe lirinë e lëvizjes.

Pjesë e këtij grupi është edhe Jovan Zivkovic nga komuniteti serb i cili jeton në komunën e Vitisë. Ai ka kryer studimet në Universitetin Amerikan RIT (Rochester Institute of Technology) në Prishtinë dhe Fakultetin Teknik, në degën e Arkitekturës në Universitetin e Prishtinës në gjuhën e tij amtare. Sot, ai punon si mësimdhënës në një shkollë në komunën e Vitisë.

“Arsyeja pse marr pjesë në aktivitete të tilla është që t’i bëjë të rinjtë që jetojnë në Kosovë më aktiv, pasi që 60% e popullsisë së Kosovës janë të rinj dhe Kosova konsiderohet si një prej vendeve me popullsinë më të re në Europë. Aktivitete të tilla i bashkojnë të rinjtë për të punuar së bashku dhe për të ndërtuar një të ardhme të përbashkët në mënyrë pozitive”.

Sipas Zivkovic-it edukimi është e vetmja mënyrë që të thyhen barrierat që ekzistojnë në mes komuniteteve dhe se sa më e edukuar të jetë një shoqëri në Kosovë aq më lehtë do të jetë.

“Unë jam një shembull tipik për këtë. Kam jetuar në një zonë rurale dhe kam vendosur që për kater vite të jetoj në Prishtinë dhe të edukohem për një të ardhme më të mirë. Kam pasur shoqëri nga të gjitha komunitetet dhe kjo besoj është një nga eksperiencat e mia më të mira.’’

Fatlinda Daku

 

Të Rekomanduara